24 orët e Saimir Tahirit dhe paniku që shkaktoi në Partinë Socialiste…

Nga Artur Zheji

Ish-ministri i brendshëm, kishte marrë me sa duket një vendim, të thyente heshtjen dhe të dilte me zë, me fytyrë dhe ballë për ballë, ndaj ish miqve dhe armiqve të tij.

Kuptohet kryesisht në Partinë Socialiste. “Nuk ka bir nëne dhe nuk ka bir kurve, që më pengon mua të flas!” paralajmëroi Tahiri.

Askush nuk bën pyetjen, kush e kish penguar derimë tani që të fliste, ish-ministrin që përjeton një ndjekje penale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda?

Dihet që në radhët e Opozitës, askush nuk mund ta pengojë që të flasë, ashtu si edhe ndodhi në krejt 24 orëshin e datës 19 Prill 2018. Tahiri, nuk ka asnjë pengesë ligjore që të dalë në media apo të ulet në ndenjësen e tij në Kuvendin e Shqipërisë.

Atëherë, “Kush është ky bir nëne apo bir kurve…” që mundohet ti mbyllë gojën Sajmes?

Kujt i adresohet paralajmërimi i tij, përpara mediave të zhuritura, për çdo koment që mund të bënte ai, Sajmja, pas një heshtjeje të gjatë?

Reagimi i kryeministrit, si të ishte i thumbuar nga një grerëz, u bë live, në katraurën mediatike të së Enjtes televizive: “Tahiri s’mund të më kërcënojë dot mua, kjo është qesharake…” belbëzoi me të shpejtë kryeshefi socialist, duke kujtuar në mënyrë cinike që: “Tahiri tashmë nuk është, as anëtar i PS dhe as anëtar i grupit parlamentar socialist…”

Mediat shërbyese të qeverisë, u ngutën të hedhin shashkën, të shitur me shpejtësi si analizë, që tashmë është opozita që po përpiqet ti bëjë të lexueshme si anti Rama, veprimet e tij mediatike dhe jo vetëm.

Por pyetja që shtrohet, është e thjeshtë si buka që hamë dhe si uji që pimë: “Kujt mund ti drejtohet tjetër, me këto fjalë, që përmbajnë një mesazh të qartë dhe të koduar njëkohësisht, ish ministri kyç, i qeverisë Rama 1, përveçse pikërisht ish shefit të vet?”

Duket fare mirë se tendenca politikëbërësve e kryeministrit, është që përvoja dhe periudha e Tahirit, në drejtim të Ministrisë së brendshme, të mos e kujtojë askush më, mundësisht edhe vetë Tahiri, të fshihet diku larg syve të botës përgjithmonë… mundësisht të zhduket, si një person dhe si një politika, që u “dogj” njëherë e mirë.

Ndoshta Sajmja do ta bënte edhe këtë vetësakrifikim për kryeshefin e vet të dikurshëm, porse për çfarë ai ka vepruar apo ka gabuar, ka qenë thjesht një nga instrumentet e rëndësishëm të Orkestrës qeveritare, me dirigjent kryeministrin.

Dhe Sajmja, e di fort mirë se gjërat nuk mbarojnë këtu. Ai është tashmë një “objekt gjuetie” modern, të cilit i kanë vënë në trup një GPS kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ai nuk mund t’ja i dalë i vetëm dhe pa mbrojtje. Qoftë përkundrejt persekutimit politik të përqendruar mbi të, ashtu si edhe përkundrejt Drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane, e cila hapi de facto “Çështjen Tahiri”.

Mirëpo ish kryeshefi, kuptohet qartë se ia ka mbyllur derën dhe madje dyshohet me argumenta mjaft bindëse se atij, do ti interesonte, që Tahiri të “mos e shqetësonte më”, në rrugën e tij drejt integrimit evropian.

Nga këtu edhe buron vendimi i Sajmes, i vetëdijshëm për këto rrethana, që ashtu si edhe 6 muaj më parë, ti drejtohet Kuvendit dhe mediave, me një: “Ja ku jam! O bij nënash apo bij kurvash qofshi!…” duke krijuar një panik dhe pështjellim në Partinë Socialiste, që e dinin gabimisht të “vdekur e të pakallur”…/360grade.al/

Dyfytyrësia e PS-së për ish-ministrin Sajmir Tahiri

SHKARKO APP