FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

28 protestë, pa parti dhe pa regji…

Nga Ndue Dedaj

28 ditë protestë qytetare në qendër të Tiranës, pa parti që ta organizojë e koordinojë, duke mobilizuar njerëzit dhe autobusët nga jugu në veri dhe aeroplanat nga aeroportet euro-atlantike, pa urdhëra nga liderët supremë dhe sejmenët e tyre, pa skenar e regji, pa mbështetje oligarkësh e patronazhistësh. Kjo se njerëzit e lirë kanë një vullnet dhe energji të pashoqe ndryshimi, të vetmin ideal kanë Shqipërinë dhe nuk mund të durojnë që Atdheu të shndërrohet në çiflik për një kastë. Ndaj dhe janë të vendosur e të pandalshëm në qëllimin e tyre.
A nuk mjafton kaq për ta kuptuar Protestën? Të tjerat janë kajde “folklorike”, sipas orkestrës së qeverisë dhe dirigjentit të saj të konsumuar plotësisht, i cili nuk e ka më në dorë situatën e brendshme, për shkak të “armiqve të jashtëm”!? A thua këta të fundit, apo shpirti i paepur shqiptar ka arritur të ngre në këmbë dyqind mijë njerëz, që protestojnë deri në mesnatë, se duan një Shqipëri të re, ndryshe nga kjo që ndërtuam ne, të “tjetërsuar”, sipas modelit më abuziv të mundshëm.
Nuk është ndonjë gjë e re, që këso rastesh befas fjalori i politikës pasurohet me fjalë të reja, ku të përdorura me vend si flamingo e ku pa vend si algoritëm etj. Kështu ka ngjarë gjithmonë. A ju kujtohet kur emri Dushk u bë kryefjalë politike dhe se me çfarë peshe parlamentare se? Bëjmë zakonin e vjetër sot e gjithë ditën, me alibi ndaj protestuesve, thashetheme, përgojime, fyerje, denigrime, linçime e gjer agjenturizëm, apo ankesa për ndërhyrje në “punët e brendshme” të vëllezërve kosovarë (!), që jo vetëm shpirtërisht por dhe realisht kanë shtëpinë e tyre këtu, me bizneset e shumta etj. I njëjti avaz që nga 90-a me gjetë pretekst i militantëve që po humbasin terren. Jo gjithmonë do të ishte koha e tyre. Ka ardhur me në fund koha e qytetarëve, që nuk kanë komplekse ndaj askujt, për të mirën e vendit dhe jo të “ngastrave” partiake.
Si të mos protestohet? Është ndaluar demokracia si një orë e mbetur, rotacioni politik, konkurimi i ideve, alternativave dhe individëve. Kodi i ashtuquajtur zgjedhor nuk zgjedh, por emëron deputetë. Jeta e vendit komandohet nga lart. Kudo që ta prekësh, vjen erë korrupsion mundësisht me “ligj”. Shtetarë të “krimbur” nga abuzimi me paratë e taksapaguesve shqiptarë, përfitime nga tenderet e pafundëm miliardësh, favoret e krijuara oligarkisë me pronat publike, nga pagat e deputetëve pesë herë më të larta se ato të mësuesve, mjekëve e policëve, nga shpërblimet e majme të bordeve shtetërore, aq sa nganjëherë peshon më shumë bishti se sqepari, që do të thotë se të ardhurat prej tyre janë me të mëdha se vetë rrogat e ministrave, sekretarëve të përgjithshëm, drejtorëve të agjensive qeveritare, këshilltarëve të panumërt në dikastere e bashki, ku njëzet të tillë figuronin vetëm në borderonë e Bashkisë së Tiranës etj.
Këto janë ato “Zvërnecët” e padukshëm të “llokmeve” të pushtetit për të besuarit dhe të përdorurit e vet. Sa herë është ngritur zëri qytetar për këto dhe askush nuk ka dëgjuar. Atëherë mbetet protesta t’u japë zgjidhje çështjeve që lidhën me kapjen e shtetit nga guri i themelit në majë të piramidës dhe e vërteta është se ka filluar t’i zgjidhë.
Ja që nuk ka vend për zemërim dhe anatemim të protestës, por më e pakta për ta kuptuar e dëgjuar atë sot, përfshi dhe ambasadat e kancelaritë e vendeve mike! Akti më i lartë i një qeverie është dorëheqja e saj, edhe pa ia kërkuar një gjë të tillë, le pastaj kur ka afro një muaj që qytetarët ta kërkojnë largimin me brohorimë.
Ngulmojmë, mbështetja ka vlerë sot, se me siguri nesër do ketë jo pak njerëz që do ta donin veten në “fotografinë” e saj…

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?