3 televizione akuzojnë ministrin Tahiri për favorizim të A1 Report!
Tre televizione të rëndësishme informative, Abc Neës, Ora News dhe News 24, kanë dalë sot me një qëndrim të përbashkët, kundër ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili sipas tyre favorizon një media të caktuar. 3 televizionet thonë në reagimin e tyre se policia favorizon me pamje televizionin A1 Report. Nga ky reagim
“Metoda e ministrit Saimir Tahiri është influencë e pastër, ndërsa qeveria po deformon konkurrencën. Ministria e Punëve të Brendshme ka zgjedhur sërish A1 Report”,- thuhet në deklaratën e tre televizioneve.
Sipas tyre ky trajtim i Tahirit është ndërhyrje në pushtetin e katërt.
Abcnews, News24 dhe Ora News kane konstatuar sot se për të disatën herë, Ministria e Brendshme, ka zgjedhur median e preferuar të Carlo Bolinos, A1 Report, për të shpërndarë pamjet e një aksioni policor në Fushë-Krujë.
Ky trafik i pandershëm është bërë rrugë për Ministrinë e Brendshme, e cila vendos të ndërhyjë në mënyrë arbitrare në tregun mediatik për të favorizuar një media të caktuar dhe prandaj jemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë.
Metodat e ndjekura nga ministri Saimir Tahiri janë një influencë e pastër e qeverisë për të deformuar konkurrencën e mediave në vend, ku profesionalizmi zëvendësohet nga afërsia me qeverinë. Në këtë mënyrë përpjekja jonë për profesionalizëm zhvlerësohet nga preferencat abuzive në shpërndarjen e pamjeve filmike që bën ministria e Tahirit.
Me ketë praktikë, besojmë se Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare ndërhyjnë në pushtetin e katërt, për të favorizuar dhe më pas kontrolluar atë, ndaj këtë shqetësim do t’ua përcjellim të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Nga Ministria e Brendshme presim sa më parë të kërkojë ndjesë për këtë rast flagrant dhe qeveria të angazhohet për të ndërprerë këtë fushatë të paprecedentë të ndërhyrjes së shëmtuar në Media. Pamjet e policisë nuk mund të jenë si tenderat e qeverisë, ku fituesi është gjithnjë Bollino.