“Antikomunizëm pa komunizëm” si debat shterpë dhe i dëmshëm!

Nga Albert Nikolla

Kur vjen 16 shtatori, krijohet një klimë këndellëse e fillon histeria antikomuniste si debat që përqëdrohet kryesisht në mjediset politike ku kërkohet që një parti, PS-ja në rastin konkret, të identifikohet si njësi që kërkon të mbajë gjallë komunizmin. Protagonistët e këtij “antikomunizmi grotesk” janë kryesisht figura të partive që e paraqesin veten si parti të djathta e antikomuniste.

Ky debat është shterpë për disa arsye.

Së pari për faktin se për të qënë antikomunist i sinqertë dhe i efekshëm, siç na mëson Solzhenicin që mund të konsiderohet si heroi i antikomunizmit, nuk është e nevojshme të jesh në politikë dhe të nxitësh antikomunizëm politik kur komunizmi ka rënë. Por nga çdo pozicion profesional apo jetësor të mbrosh vlerat që komunizmi i mohonte, të mbështetësh një antikomunizëm kulturor, të krijosh në klimë ku antivlerat e kanë të pamundur të përhapen!

Së dyti, t’i mëveshësh vetëm një partie që operon prej 27 vitesh në një sistem pluralist gjithë mëkatet e komunizmit, ndërkohë që janë partitë e ashtuquajtura të “djathta” që e mbartin më shumë mendësinë komuniste, është demagogji shterpë!

Së treti, të kërkosh një ligj të ri ku të mos shfaqet fotografia e Enver Hoxhës, ndërkohë që ka personazhe politike post-komuniste, veprimtaria politike e të cilëve, për nga intensiteti në njësi kohe, kanë qënë më antishtet se veprimtaria e Enver Hoxhës, tingëllon groteske, përveçse shterpë.

Ky debat është i dëmshëm për disa arsye.

Së pari, në këtë lloj ligjërimi antikomunist me natyrë politike krijohet një tymnajë frike e rikthimit të komunizmit. Kjo mënyrë të vepruari është, paradoksalisht, tipike komuniste në vetvete pasi komunizmi e ka patur frikën si një nga mjetet më të efekshme të ruajtjes së pushtetit dhe të formimit ideologjik të “njeriut të ri”! Duke qënë se kjo veprimtari është “antikomunizëm pa komunizëm” prodhon efektin e kundërt duke prodhuar kulturë intollerance tipike komuniste. E kam hasur personalisht efektin e kësaj propagande absurde gjatë zgjedhjeve të fundit politike. Ndodhesha në disa zona malore për zhvillimin e disa projekteve sociale dhe shumë banorë ishin të tronditur nga mundësia e fitores se PS-së pasi do t’u merrej toka dhe do të riktheheshin sërish kooperativat bujqësore! Ishin kaq të tronditur e të bindur në frikën e tyre sa të dukej vetja si i shpërngulur në kohë!

Së dyti, për arsye se shkakton tëhujëzim nga problemet reale që ka demokracia shqiptare dhe nga sfidat e rëndësishme që ka Shqipëria sot. Sot priten debate mjaft të rëndësishme nga çdo mendje e mprehtë mbi reformën në drejtësi, mbi qasjen e Shqipërisë në prag të hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE. Përballë kësaj nevoje kaq të madhe “antikomunistët pa komunizëm” shpikin gogolin e Enver Hoxhës së ringjallur që helmon mendjet e rinisë shqiptare!

Ky lloj antikomunizmi prodhon imazhe pa asnjë qasje reale dhe pikërisht për këtë arsye, fluide dhe që nuk i rezistojnë kohës e nuk japin asnjë avantazh politik për ata që i mbështesin!

SHKARKO APP