50 sipërmarrjet më të mëdha në Shqipëri, me pronare femra

 

Numërohen me pikatore, në pjesën më të madhe qëndrojnë në hije, megjithatë kanë treguar se kur është fjala për të menaxhuar një biznes, ndonjëherë ia arrijnë edhe më mirë se meshkujt. Me biznese që i kanë ngritur dhe drejtojnë të vetme, i menaxhojnë dhe i kanë në pronësi me bashkëshortët, apo kolegë të tjerë, pronaret femra po arrijnë të thyejnë tabutë dhe të përparojnë në renditjen e kompanive më të mëdha në vend, duke shënuar ritme rritjeje të shpejta të aktivitetit.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Qendra e Kërkimit Monitor (shiko nënndarjen: Metodologjia) nga 600 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, 50 prej tyre, ose 8%, janë të paktën 30% në pronësi të femrave (shiko tabelën: Renditja e kompanive më të mëdha në vend, që janë të paktën 30% në pronësi të femrave).

Nga këto, 20 sipërmarrje janë 100% në pronësi të femrave; 17 zotërohen në mbi 50% të aksioneve dhe 13 kompani janë 30-50% në pronësi të femrave.

Në renditjen e 50 kompanive më të mëdha me pronare femra mbizotëron sektori i tregtisë me pakicë e shumicë, si dhe i shërbimeve. Më pas vijojnë kompanitë e farmaceutikës, një sipërmarrje që përgjithësisht preferohet nga femrat.

Nuk mungojnë as bizneset e vështira, si tregtia e naftës, apo dhe ndërtimi.

10 më të mëdhatë

Në renditjen e 10 kompanive më të mëdha me pronare femra spikasin kompani të vjetra, me ecuri të qëndrueshme vit pas viti, të drejtuara nga sipërmarrëse të njohura, por ka dhe hyrje të reja, shpesh të panjohura, apo kompani të krijuara në 2012-2013, që kanë shënuar një ngjitje të shpejtë në 2013-n, duke parë rritje të lartë të qarkullimit vjetor.

Info-Telecom

Info-Telecom, në pronësi 60% të Anisa Skëndaj, e cila është dhe administratore, ishte në vitin 2013, kompania më e madhe në vend me pronare femër. E krijuar në 2009-n, kompania pa një rritje të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë, duke u pozicionuar në të 13-n më të madhe në vend në renditjen totale të sipërmarrjeve më të mëdha për nga xhiro.

Info-Telecom është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service). Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar, transitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP.

Marketing & Distribution

Marketing & Distribution, një sipërmarrje e qëndrueshme prej vitesh, ndër më të mëdhatë në fushën e distribucionit, ishte deri në 2012-n, kompania më e madhe, në pronësi të një femre, zj. Vilma Nushi (me 100% të aksioneve). Ndonëse ka mbajtur një profil të ulët në publik, zj. Nushi njihet si një nga sipërmarrëset më të mira dhe më me përvojë në vend.

Në vitin 2013, Marketing & Distribution arriti të rimarrë pas dy vitesh vendin e parë mes distributorëve, pas një rritjeje të ndjeshme me bazë vjetore prej gati 40% në 15.2 miliardë lekë, duke u ngjitur në renditjen totale në vendin e 19. Rritja e kompanisë ka ardhur pasi ka marrë shpërndarjen e cigareve, Imperial Tabacco dhe Japan Tabacco International.

Gend 2012

Gend 2012 rezulton kompania e tretë më e madhe në vend në pronësi të një femre (Suela Berisha me 100% të aksioneve). Megjithatë, ajo ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë në mars të vitit 2014. Gend 2012 ka si objekt të aktivitetit import- eksport të produkteve, materialeve teknologjike, të vendit dhe të huaja, tregtim të të gjitha materialeve të ndërtimit, pajisje, makineri, automjete të ndryshme, realizim të operacioneve tregtare, industriale, financiare, të pasurive të luajtshme etj. Ndonëse e krijuar në maj të 2012-s, kompania ka arritur të realizojë një xhiro prej 5 miliardë lekësh në vitin e parë të plotë të aktivitetit (2013), pothuajse dyfishim në raport me 2012-n.

Digitalb

Digitalb është operatori më i madh i shërbimeve televizive, me pagesë në vend, ku femrat e familjes Hoxha zotërojnë 40.7% të aksioneve. Një model unik dhe i suksesshëm biznesi, që u nismua më se 10 vjet më parë nga i ndjeri Dritan Hoxha, vijon të ecë sot në të njëjtën rrugë, duke qenë pioniere në teknologji dhe shërbime. Në 2013-n, kompania realizoi një qarkullim vjetor prej 4.9 miliardë lekësh.

Interlogistic

Interlogistic, një tjetër kompani e rëndësishme në fushën e distribucionit, është në pronësi 100% të Majlinda Hidos, duke e bërë atë dhe motrën e saj (Vilma Nushi e Marketing & Distribution), aktoret kryesore të tregut të distribucionit në vend. Në vitin 2013, Interlogistic kishte një qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 2%.

AFT

AFT është një shoqëri e re aksionere me aktivitet në tregtimin me shumicë, transportimin, importimin dhe eksportimin e hidrokarbureve, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me këto aktivitete. Kompania përmendet në një raport të Autoritetit të Konkurrencës për karburantet si një nga hyrësit e rinj me rritje të shpejtë, duke arritur në 6% të tregut të shumicës në 2013-n. Kompania është 100% në pronësi të Romina Shemaj. Në vitin 2013, sipërmarrja kishte një qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, 12 herë më e lartë se 2012-a, viti i parë jo i plotë i aktivitetit, ku kompania regjistroi një qarkullim vjetor prej rreth 300 milionë lekësh.

Rejsi Farma

Rejsi Farma është kompania më e madhe në vend e tregtimit të produkteve farmaceutike.

Merita Sheqi, që zotëron 50% të aksioneve (pjesën tjetër e zotëron bashkëshorti), me dorën e saj të fortë drejtuese në 14 vjet aktivitet ka arritur të konsolidojë biznesin. Vitet e fundit, kompania ‘Rejsi Farma’ po punon fort për të arritur standardet e cilësisë, që lidhen me ‘GDP standard’. “Këto standarde të arritura janë të lidhura me cilësinë e ruajtjes, distribucionit të produktit në kushte të certifikuara”, – thotë Merita Sheqi. Ajo pranon se ka përherë në krah të shoqin.

Kompania realizoi një qarkullim prej 3.8 miliardë lekësh në 2013-n, me një rritje vjetore prej 5%.

Amla-2013

Amla-2013 është një tjetër sipërmarrje e re, e krijuar në janar 2013. Në qershor 2013, kontrollin e aksioneve të kompanisë e mori Spira Janko, që u bë dhe administratore e kompanisë. Sipërmarrja ka si objekt aktiviteti tregti me shumicë e pakicë, tregtinë e skrapit etj., sipas ekstraktit të saj në QKR. Në 2013-n, që ishte dhe viti i parë i aktivitetit, qarkullimi vjetor i saj arriti në 2.45 miliardë lekë.

Teuta Durrës

Eleni Babameto, prej 20 vitesh drejton me bashkëshortin (me të cilin ndajnë aksionet nga 50% secili) kompaninë Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumë rave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë. Ishte ajo që nisi rrugën e biznesit, teksa më parë, nga vitet 1977-1990 kishte punuar si inxhiniere dhe përgjegjëse prodhimi për bukën, niseshtenë, konservat e perimeve, makaronat, etj., në Fabrikën Niseshte-Konserva në Shijak, pjesë e Ndërmarrjes Ushqimore. Edhe pas ndryshimeve politike të ‘90-s, vijoi aty si drejtuese e fabrikës deri në momentin e privatizimit në maj 1994. Fillimisht hyri me një përqindje të vogël aksionesh, për të marrë më pas pronësinë e kompanisë, së bashku me të shoqin. Pas vitesh punë, Eleni Babameto i bashkon arritjet me përkushtimin, seriozitetin, pasionin për punë. “Ato dhanë rezultat, duke bashkuar edhe kontributin e stafit të shoqërisë. Ne u fokusuam kryesisht në tri drejtime, në importimin e produkteve ushqimore bazë, që nuk prodhohen në Shqipëri si orizi, sheqeri, vaji, niseshteja, përpunimin, paketimin e tyre, tregtimin dhe shpërndarjen në gjithë vendin”, – thotë ajo.

Ndonëse një vit i vështirë me rënie konsumi, kompania arriti të ruajë një xhiro prej rreth 1.87 miliardë lekësh.

Top Channel

Sërish në listën e 10 kompanive më të mëdha janë femrat e familjes Hoxha, që zotërojnë 32% të Top Channel, televizionin më të madh në vend për sa i përket xhiros dhe numrit të të punësuarve, por edhe audiencës. Në vitin 2013, Top Channel realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 1.8 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 25%.

Skëndo drejton biznesin e madh të fitimeve të vogla

Anisa Skëndo, aksionerja kryesore e Info-Telecom, e cila renditet sipërmarrësja më e madhe femër për nga xhiroja e biznesit që drejton, është e drejtpërdrejtë kur thotë se, fitimet janë shumë më të vogla se vlera e të ardhurave që realizohen, të cilat nuk emetohen si një kontribut i drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Por biznesi i saj që xhiron miliona euro është risi në tregun shqiptar dhe atë rajonal dhe ky pozicion do t’i sjellë përfitime më të larta kompanisë në të ardhmen.

Info-Telecom mori licencën në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike në vitin 2009 dhe e nisi aktivitetin në fillim të vitit 2010. Kompania është ofruar në treg me dy funksionet themelore, atë të transitimit të thirrjeve telefonike për pajtimtarët dhe transitimin e thirrjeve ndërmjet operatorëve. Aktiviteti pati shpërthim të vrullshëm, thotë Anisa, në transitimin e thirrjeve ndërkombëtare, sidomos në flukset që i drejtohen Shqipërisë. Info-Telecom nisi të tregtojë destinacione që kishin origjinë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit.

Kompania aktualisht ka marrëveshje me 150 operatorë të huaj dhe realizon 80% të të ardhurave nga transitimi i thirrjeve nga jashtë brenda vendit. Skëndo thotë se, duke qenë se, Info- Telecom është një ndër bizneset e para të kësaj fushe dhe ka ekskluzivitetin si bartës i thirrjeve nga jashtë ka pasur rritje të kënaqshme vjetore në vitet e para, me 3% dhe më pas me 6 dhe 7%.

Skëndo pohon se, biznesi që ajo drejton, pavarësisht se ka xhiro të madhe vjetore (rreth 100 milionë euro më 2014), normat e fitimit janë shumë të ulëta, pasi Info-Telecom thjesht ndërmjetëson dy palë për shërbimin e thirrjeve telefonike dhe e kryen këtë shërbim vetëm me 25 të punësuar.

Për nga ideja, biznesi që ajo drejton është mjaft interesant dhe me perspektivë. Bizneset bartës të thirrjeve telefonike nuk janë të zhvilluara në Ballkan. Në Itali, ka shumë dhe në rajon, Rumania njihet për zhvillimin e madh të kësaj industrie, ku edhe Info-Telecom ka hapur zyrën e tij.

Metodologjia

Të dhënat janë përpunuar nga Qendra e Kërkimit Monitor sipas metodologjisë së mëposhtme: nga lista e kompanive më të mëdha në vend sipas xhiros, sipas tatimeve, janë shkarkuar ekstraktet përkatëse në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Nga ekstraktet janë selektuar kompanitë, në të cilat pronësia e femrave (e identifikuar në bazë të një apo më shumë emrave) është më e lartë se 30%. Kërkimi ka vijuar deri sa janë identifikuar 50 kompanitë më të mëdha me pronare femra dhe përfshiu 600 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor.

Qendra e Kërkimeve Monitor është një njësi kërkimi e revistës “Monitor”, me një staf të specializuar që bën analizimin dhe përpunimin e të dhënave të ndryshme të biznesit dhe ekonomisë.

Pjesa më e madhe e drejtueseve femra janë në aktivitetin e tregtisë. Sipas INSTAT, 33.4% e aktivitetit ekonomik, tregti, menaxhohen nga femrat.

Sa më të mëdha bëhen ndërmarrjet, aq më shumë ulet përqindja e femrave që i drejtojnë ato. Vetëm 14,4% e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar menaxhohen nga femrat, ndërkohë që 29% e ndërmarrjeve me 1-4 punëtorë drejtohen nga femrat, që përgjithësisht janë dyqane veshjesh, ose tregtimi ushqimor, parukeri etj.

Femrat drejtuese mbizotërojnë në kryeqytet. 30,4% e ndërmarrjeve në Qarkun e Tiranës menaxhohen nga femrat, ndërsa përqindja më e ulët është në Qarkun e Kukësit, me 15,1%.

Femrat kanë qenë aktive në biznes edhe gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, 29,3% e ndërmarrjeve të krijuara gjatë vitit 2013 menaxhohen nga femrat.

Së fundmi, qeveria ka hartuar Planin e Veprimit për Sipërmarrjen e Grave në Shqipëri 2014-2020. Ky plan parashikon, ndër të tjera, hartimin e projektvendimit për krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, ku mbështetja parashikohet për një periudhë zbatimi për 4 vjet, me vlerë totale 30.000.000 (tridhjetë milionë) lekë. Zbatimi i skemës filloi në vitin 2014 me vlerë 2.500.000 (dy pikë pesë milionë) lekë.

Monitor

SHKARKO APP