61 shanse për të thyer sistemin!
Nga Mero Baze
Kam pasur më shumë reagime private sesa publike, ndaj një shkrimi ku sugjeroja, që dy partitë e mëdha shqiptare të rrisin profilin politik të kandidatëve për 61 Bashkitë. Shumica e mesazheve private ishin ose shumë positive, ose shumë negative duke u nisur nga halli i gjithësecilit, por edhe nga paranoja se mos kjo është ndonjë directive, sidomos e këtyre që janë në pushtet.
Para së gjithash, duhet të qartësojmë që ky është një sugjerim i imi, për të cilin fare pak besoj se do respektohet dhe me këtë rast qetësohen edhe paranojakët që duan vetëm shkas për të zhvilluar skenarët e tyre. Kur këmbëngul për të rritur profilin politik dhe kur i referohem varfërisë së provincave shqiptare, nuk e bëj nga pozitat e ndonjë kryeqytetasi, pasi unë vet jam një jugor, që shumicën e fundjavave të vitit i kaloj në jug e jo në Tiranë. Dhe kjo është arsyeja që më shtyn më shumë të them me zë të lartë se bëjmë gabim t’ia besojmë gjithkujt qeverisjen vendore. Fjala vjen, unë mendoj se Lezhën do ta qeveriste më mirë Preç Zogaj sesa një militant i PD-së në Lezhë, apo Shkodrën do ta qeveriste më mirë Jozefina Topalli, Korçën më mirë Ritvan Bode etj. Kjo jo se dinë më shumë, por vijnë nga një përvojë shumë më e lartë politike se sa ajo e dikujt aty. (Shembujt nuk kanë lidhje me aspiratat e personave që përmenda). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë figura të PS-së, tek të cilat s’po guxojë të zë emra në gojë se nuk duroj dot telefonatat e tyre.
Kur them këtë, nuk kam parasysh as faktin që të zgjuarit jetojnë e aq më pak që lindin në Tiranë, por kam parasysh faktin që shumica e qyteteve të vogla shqiptare janë realisht pa figura me peshë politike apo intelektualë të formuar. Kam ndjekur me vëmendje fjala vjen, kandiaturat e disa qyteteve në Jug dhe jam tërësisht i papajtueshëm me emrat që shfaqen, jo se ata janë njerëz pa vlera, por nuk janë në një gjatësi vale me arsyet përse u bë reforma.
Një arsye përse jemi në këtë gjendje është dhe mënyra se si janë shpërndarë vlerat intelektuale dhe tregu këto 25 vjet. Falë kaotizimit 25 vjeçar, Shqipëria nuk ka më shpërndarjen e detyrueshme të inxhinierëve, mjekëve, arsimtarëve dhe ekonomistëve në çdo rreth të Shqipërisë si gjatë komunizmit, i cili ruante një balancë të shpërndarjes së vlerave për interesat e asaj shoqërie që ishte. Nuk jemi më as në kohën kur Komiteti Qendror emëronte 26 Sekretarët e Parë dhe 26 Kryetarët e Komiteteve nga Tirana. Por jemi në një situatë kur zhvillimi i vendit po shformohet, duke u deformuar tregu për shkak të zhvillimit të koncetruar në zonën Tiranë-Durrës, ndërsa pjesa tjetër e Shqipërisë rrezikon të kthehet në një zonë që duhet mbajtur me lëmosh, në vend që të jetë organizëm i gjallë i ekonomisë kombëtare.
Kur them, që duhet rritur profili i lartë dhe u jam referuar deputetëve, kam parasysh po ashtu faktin se shumë deputetë që janë në rrethe shkojnë aty nga Tirana duke respektuar ndonjë lidhje të tyre gjeografike apo familjare, por qëllimi është të rritet cilësia e atyre që do të na përfaqësojnë.
E thashë në fillim se regaimet ndaj këtij zgjerimi janë në shumicë private, që e kanë zanafillën tek halli i secilit dhe kjo është pjesë e asaj që unë e quaj provincializëm në qeverisjen vendore. Unë e di, që kaq poshtë sa ka rënë steka e të zgjedhurve në Shqipëri, çdo delirant dhe në fshatin më të humbur të Shqipërisë ndjehet i aftë të jetë Kryetar Bashkie, po qe se ka disa cuba pas vetes, por problemi është që të shkojmë tek një model cilësor përfaqësimi.
Ky nuk është një presion që u duhet bërë dy partive të mëdha verbalisht, por është një rast real për t’i thyer ato. Zgjedhjet vendore janë shans për garë mazhoritare dhe si të tilla presioni ndaj partive të mëdha duhet të vijë nga publiku, i cili në këto zgjedhje interesohet më shumë për emrin e kandidatit se sa për emrin e partisë.
Unë nuk kam shumë besim se ky sugjerim do të zërë vend tek selitë e partive, nëse nuk ka një debat publik më shumë se sa ndonjë hall privat, por së paku është mirë që të debatohet, pasi nëse 61 Bashkitë do të zaptohen nga profile të ulëta në rrethe, kjo do ta bëjë edhe më të vështirë caktimin e 140 deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, të cilët tashmë kanë punë shumë herë më tepër me 61 bashkiakët se sa deri më sot. Dhe kjo do ta na sillte pastaj, tek një parlament edhe më i keq dhe i dobët se ky që është, i cili për nga cilësia ndoshta është më i pavleri i 25 viteve.
Kur them se duhet parë dhe shansi politik, që zgjedhjet vendore pas kësaj reforme japin për të gjunjëzuar sistemin politik të komanduar nga kryetarët e partive, kam parasysh faktin që është e vetmja dritare, ku të mërzitur nga kryetarët mund të rebelohen. Sot të gjithë flasim për disa bashkiakë nga PS-ja dhe PD-ja që janë bërë të padurueshëm me përsëritjen e mandateve të tyre dhe dëmet që u kanë sjell qyteteve përkatëse, por mos të harrojmë se ata janë më të zotët e atyre qyteteve. Dhe nëse peshkon në ato ujëra, ata do të të mbeten në dorë.
Hapja e lojës, sidomos për të kandiduar në zona deputet ose figura të larta partiake, do të ndryshonte jo vetëm historinë e atyre qyteteve, por edhe qasjen ndaj karrierës politike të shumë politikanëve që janë brenda një sistemi të kontrolluar nga kryetarët.
Në këtë sistem të kalbur politik që kemi, ku shqiptarët pyeten vetëm për kryeministrin dhe pastaj ai vendos për të tjerët, zgjedhjet vendore, sidomos me 61 Bashki, janë një rast i artë për të promovuar figura të pavarura, por dhe rebelizma brenda partive, pasi është i vetmi sistem i pastër mazhoritar ku dikush mund të provojë veten. Ndaj është mirë që zgjedhjet të shihen si shans për të ndryshuar jo vetëm 61 Bashkitë, por dhe 140 vendet e para të shitura në parlament, të cilat na qeverisin.
Gazeta Tema