7 lojtarë shqiptarë në Seria A italiane
Mbërritja e shkodranit Armando Vajushi në Itali ka vendosur një rekord përsa u përket numrit të futbollistëve shqiptarë në Seria A. Duke se konfirmimi për një tjetër mandat i italianit Gianni de Biasi në krye të kombëtares shqiptare ka pasur efekt edhe në një tjetër aspekt. Kjo ka bërë që futbollistët shqiptarë të “vërshojnë” në Seria A. Vitet e kaluara numri i tyre ishte 2 ose 3. Tashmë ky numër është dyfishuar duke arritur në plot 7 të tillë. Më poshtë vijnë skedat e tyre.
Lorik Cana 31 vjeç
Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë aktivizohet si qendërmbrojtës tek Lazio që prej 1 qershorit 2011. Kontrata e tij përfundon në 30 qershor 2016, por Cana ka deklaruar se dëshiron të largohet nga Italia në fund të këtij sezoni pasi pëlqen të provojë edhe një sfidë në Gjermani. Cana numëron në karrierën e tij mjaft klube me emër si PSG, Marseille, Sunderland, Gallataray dhe së fundmi Lazio. Ai kaloi te Lazio për 6.7 milion euro ndërsa vlera e tij në treg tashmë është diku te 2.2 milion.
Etrit Berisha 25 vjeç
Shqiptari i lindur në Suedi, Etrit Berisha është pjesë e Lazio dhe Seria A që nga viti 2013. Ai ka mbajtur vendin në formacionin bazë me lëkundje ndërsa herë pas herë është konsideruar si portier i dytë, kur te kombëtarja shqiptare është zgjedhja e parë. Berisha ka kontratë me ekipin kryeqytetas deri në vitin 2017 dhe vlera e tij në treg është 3 milion euro.
Thomas Strakosha 19 vjeç
Portieri, Thomas Strakosha është djali i emrit të njohur të portës shqiptare Foto Strakosha. Ai është portieri i tretë tek Lazio ndërsa është vetëm 19 vjeç. Strakosha u bashkua me këtë skuadër në vitin 2013 dhe ka kontratë deri në vitin 2019. Kartoni i tij në treg është vetëm 300 mijë euro.
Elseid Hysaj 20 vjeç
Shkodrani Elseid Hysaj ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me klubin e Empolit deri në verën e vitit 2018. Ai u bashkua me Empolin më 1 qershor 2012 ndërsa ka zgjatur kontratën e tij me këtë ekip të Seria A deri në vitin 2018. Ai ka një kontratë që i siguron 100 mijë euro në sezon ndërsa merr edhe bonuset. Vlera e Hysajt në treg ka ardhur gjithomonë në rritje dhe vlera e tij tashmë është diku tek 3.8 milion euro.
Andi Lila 28 vjeç
Kavajasi Andi Lila u bashkua këtë janar me Parmën pas një eksperience në Greqi te Pas Janina. Mesfushori me tipare sulmuese ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2017, por kjo do të mbetet në varësi të qëndrimit të Parmës në Seria A. Lila kaloi te Parma për 800 mijë euro aq sa është edhe vlera e tij në treg.
Migjen Basha 28 vjeç
Shqiptari i lindur në Zvicër, Migjen Basha u bashkua me Torinon që në qershor të 2012-ës dhe ka kontratë me këtë klub deri në qershor të këtij viti. Ende nuk është bërë ndonjë konfirmim për zgjatjen e kontratës së tij. Pas disa eksperiencave në Zvicër, Basha ka luajtur me disa klube në Itali si Rimini, Atalanta, Frosinone, Viaregio, Lucceze etj. Vlera e tij në treg është diku tek 800 mijë euro.
Armando Vajushi 23 vjeç
Shkodrani Armando Vajushi është vetëm 23 vjeç dhe karriera e tij është gjithmonë në rritje. Pas aktivizimit në disa klube shqiptare ai kaloi te Litex Lovetch në Bullgari. Kalimi i tij tek Kievo këtë janar është hapi më i madh në karrierë. Vajushi ka nënshkruar një kontratë 3 vjeçare ndërsa vlera e tij në treg është afër 2 milion euro.
“Shqiptarët” e tjerë
Seria A ka edhe disa shqiptarë të tjerë, por që nuk aktivizohen me kombëtaren tonë. I tillë është Saimir Ujkani që luan te Palermo. Ai ishte pjesë e kombëtares sonë por e la atë duke zgjedhur Kosovën. Përparim Hetemaj që luan te Kievo dhe që ka zgjedhur të mbrojë ngjyrat e Finlandës. Panajot Kone është shqiptari tjetër që luan për Greqinë. Pa përmendur edhe shqiptarët që aktivizohen me Zvicrën si Xherdan Shaqiri, etj