9 maji si dëshmi e eurohipokritëve të politikës shqiptare
Nga Luan Rama*
75 – vjetori i fitores mbi fashizmin:
9 MAJI SI DËSHMI E EUROHIPOKRITËVE TË POLITIKËS SHQIPTARE!
Sot u mbushën 75 – vjet prej ditës kur koalicioni i madh antifashist botëror, i prirë nga Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet të Bashkuara të Amerikës, shpalli fitoren përfundimitare mbi fashizmin dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Dhe që prej vitit 1945, 9 maji kremtohet si dita e fitores mbi fashizmin.
Mirëpo, paradoksalisht dhe paturpësisht, në Shqipërinë antifashiste, sot në ditën e fitores mbi fashizmin, nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi prej askujt; as prej drejtuesve të lartë të shtetit e të qeverisë, as prej drejtuesve të partive politike!
Nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi për kontributin dhe sakrificat e mëdha që bëri populli shqiptar me luftën e vet Nacionalçlirimtare, falë së cilës Shqipëria jo vetëm u rendit në anën e duhur të historisë, por edhe u njoh botërisht si faktor fitues në Luftën e Dytë Botërore.
Nuk u tha asnjë fjalë përkujtimi dhe nderimi për gjakun e derdhur dhe jetët e falura në themelet e Shqipërisë antifashiste, e po aq, edhe në vetë themelet antifashiste të Europës së Bashkuar!
Dhe të gjithë rendën kush e kush të flasë i pari për Ditën e Europës, e shënjuar si e tillë pesë vjet pas fitores mbi fashizmin, më 5 maj të vitit 1950, me atë që njihet si “Deklarata e Schumanit”, kur Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, shpalli deklaratën me anë të së cilës i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte në fakt edhe embrioni i krijimit të Bashkimit Europian.
Shumë mirë bënë që e përkujtuan Ditën e Europës e cila kremtohet më 9 maj që prej vitit 1964, dikush përkrah ambasadorit të BE-së në Tiranë e dikush tjetër me ndonjë status në fb.
Dita e Europes duhet nderuar jo vetëm për simbolikën që mbart, por edhe për vlerat që mbron dhe përfaqëson Bashkimi Europian, dhe po aq, edhe për aspiratën europiane të shqiptarëve, ende e mbetur peng e papërgjegjshmërisë dhe idiotësisë politike të atyre që na qeverisin!
Ndaj, 9 maji i 75 – vjetorit të fitores mbi fashizmin, është edhe dëshmi e eurohipokritëve shqiptarë, që nuk e kuptojnë se pa Ditën e Fitores mbi fashizmin, nuk do të kishte Ditë të Europës!
( Në foto: monumenti “Partizani fitimtar”, vepër e “Skulptorit të Popullit” Odise Paskali, vendosur në ish – kampin nazist të shfarosjes në Mat’hauzen, si dëshmi e kontributit të popullit shqiptar në fitoren mbi fashizmin.)
*Zëvendeskryetar i LSI