A do ndikojë taksa e re në marrëdhënien Shqipëri-Kosovë?!

Nga Ben Andoni-
Para se të marrë një përgjigje kjo pyetje, të duhet të sqarosh një çështje më parë: Sa do të ndikojë realisht vendosja e taksës 100 për qind kundrejt produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në Kosovë dhe përtej. Duket se në momentin e parë Kosova në masë e ka mirëpritur, si reagim i politikës kufizuese të Serbisë dhe të Bosnjës ndaj çdo aktiviteti kosovar paçka se duket që prononcimi i njerëzve të ekonomisë është ende i mekët. Shqipëria ka qenë shumë e kursyer, anipse përmes ministrit Ahmetaj ka përcjellë një mesazh shumë të kujdesshëm me togfjalëshin se kjo masë është jo e shëndoshë! Kaq ka mjaftuar që Kosova të mos e mirëpresë reagimin e Shqipërisë dhe t’i duket tejet e tepruar. Madje, deputeti i AAK-së Nitaj i është përveshur ministrit shqiptar Ahmeti me fjalët se: “Ai në vend që ministrit serb të financave t’i kërkojë sqarime për agresionin ekonomik e politik të Serbisë ndaj Kosovës, paska premtuar lehtësira për importet nga Serbia! S’ka problem, veç dushk për gogla mos na shitni! Këtij farë ministri i paska ngelur sahati në kohën e “vëllezërve kinezë e miqve kosovarë”!”.

Gjithsesi, Shqipëria dhe Kosova pak orë më vonë (më 26 Nëntor) do bëjnë një marrëveshje për unifikimin doganor në Pejë, masë e cila fillon së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, një masë që mendohet se do japë shpejt efekte dhe duket se e lehtëson këtë mjedis të ngarkuar me reagimet për taksën. Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime, tha për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje, të dy qeveritë janë në fazat e fundit të harmonizimit të dokumentacioneve të nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Duke u kthyer pas në argumentin tonë: Kosova importoi 15% të mallrave të saj nga Serbia dhe 2.7% nga Bosnja. Kosova eksportoi 12.8% të mallrave të veta në Serbi dhe 2.3% në Bosnjë. Në terma financiarë Kosova eksportoi 48 milionë euro mallra në Serbi dhe importoi 450 milionë euro. Fakt, që tregon një disnivel të shkëmbimeve tregtare në krah të Serbisë.

Nga ajo që mendohet, paçka notave optimiste patriotike të zyrtarëve, është se konsumatori i thjeshtë kosovar do ta përjetojë më së shumti, kurse bizneset lokale, veçanërisht ato të cilat prodhojnë produkte ndaj të cilave u është vendosur taksa, efekti do të jetë me shumë pozitiv, pasi kjo presupozon që të favorizojë pozitën e prodhuesve lokalë të Kosovës në treg.

Është ende pak herët për të bërë parashikime, por masa e mëparshme për të rritur taksën 10% shkaktoj uljen 50% të importeve serbe dhe dukej e absorbueshme në ekonominë kosovare, kurse efekti i masës së re do të shikohet më vonë pasi në qendra tregtare, duke iu referuar medias kosovare, ka stoqe të mallrave që janë importuar para taksës 10 për qind, të cilat do të lëvrohen.

Në të gjithë këtë hulli, koha provoi atë që kërkonin shpesh shumë nga njerëzit mëndjehapur: Kosova dhe Shqipëria duhej të përfitonin qysh më parë nëse do të kishin arritur të kishin tregun e tyre të përbashkët. Kjo do të thotë se konkurrenca duhej të ishte më shumë mes prodhuese lokalë të dy vendeve tona sesa konkurrencës që vinte nga importet. Nga ana tjetër kjo do të krijonte mënyrën për të vlerësuar dhe mbështetur më ndryshe prodhimin shqiptar dhe atë kosovar. Kuptohet nëse nuk do flitej për biznese që punojnë me lëndën e parë të huaj nga vendet që po taksohen.

Problem do të mbetet disi furnizimi me grurë dhe miell, që do t’i kushtojë buxhetit kosovar me shumë. Por, nga ana tjetër masa do shtojë dhe vështirësi të tjera që mund të lidhen me rritjen e çmimeve dhe problemet në shportën e konsumatorit.

Ndoshta është koha që ekonomistët të bënin vërejtje më të kujdesshme për pasojat, por ideja jonë është që Kosova duhej ta shqyrtonte sëbashku me Shqipërinë këtë problematikë ose të parashikonin si skenar të së ardhmes, në vend të flamujve dhe sloganeve patetikë, që ndërrojnë në çdo takim. Nga Lufta e re tregtare e Kosovës dhe e Serbisë do ketë shumë humbje por ka gjasa të ndikohet dhe ekonomia e Shqipërisë. Paçka sloganeve në kurriz kjo taksë do rëndojë mbi konsumatorin e thjeshtë dhe justifikimi sërish do jetë thjesht patriotik. Por a mundet valë që patriotizmi të justifikojë tkurrjen e mirëqënies? Kjo do të shihet, të shpresojmë se ekonomistët kosovarë e kanë menduar çdo gjë ashtu si duhet dhe të mos kthehen turpshëm në masën e parë. E në këtë moment, ka një pyetje të madhe: Qëndrimi ambuig i Shqipërisë do të ndikojë vallë apo jo?! Le ta konsiderojmë dhe këtë. (Javanews)

SHKARKO APP