A do ta durojë gjatë Rama “frerin” e FMN-së?

 

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në 31 dhjetor të 2008-ës, FMN-ja e ndihmonte financiarisht buxhetin e shtetit shqiptar, bazuar në një marrëveshje të nënshkruar qysh prej vitit 1992. Kuptohet që ajo ndihmë financiare nuk vinte pa një kosto politike për qeveritë në fuqi – në shkëmbim të saj, FMN-ja kërkonte zbatimin e një disipline të rreptë fiskale dhe makroekonomike. Për shembull, kur qeveria shqiptare nuk zbatoi këshillën e FMN-së për mbylljen e skemave piramidale në verën e vitit 1996, kjo e fundit e ndërpreu ndihmën për të, për ta rifilluar në vjeshtën e 1997-ës…

Nga 1 janari i 2009-ës, FMN-ja e ndërpreru përsëri ndihmën financiare për buxhetin e shtetit shqiptar, pasi Berisha e quajti të panevojshme atë. Dhe me ikjen ndihmave të FMN-së, iku edhe disiplina fiskale që i impononte ajo qeverisë shqiptare.

Po si ndikoi heqja e “frerit” të FMN-së në situatën fiskale të shtetit shqiptar? Ministria e Financave raportonte atëherë se borxhi publik pësoi një rritje galopante qysh prej ikjes së FMN-së – nga 596 miliardë lekë në fund të 2008-ës, shkoi në 683 miliardë në fund të 2009-ës, në 716 miliardë në fund të 2010-ës, në 773 miliardë në fund të 2011-ës , në 828 miliardë në fund të 2012-ës, duke arritur në 900 miliardë lekë në fund të 2013-ës, para rikthimit të ndihmës së FMN-së. Pra, borxhi publik pothuaj u dyfishua qysh nga ikja e saj. Ndërsa në vlerë realtive, borxhi u rrit nga 58.2% e PBB-së, në 70% të saj.

Dhe problemi është se borxhet e reja që u morën qysh prej ikjes së FMN-së nuk shkuan për investime në rrugë, shkolla, kopshte e spitale, siç pretendonte Berisha – ato shkuan kryesisht për të paguar interesat e borxheve të mëparshme. Sipas buxheteve të publikuar nga Ministria e Financave ndër vite, rezulton se 49 miliardë lekë borxh i ri që u shtua në 2013-ën shkoi për të paguar 50 miliardë lekë interesa të borxhit të vjetër. Në 2012-ën, 55 miliardë borxh i ri që u shtua shkoi për të paguar 50 miliardë lekë interesa të borxheve të vjetra. E kështu me rradhë…

Por 50 miliardë lekë nuk janë thjesht karamele. Me to mund të mbulohen më shumë se gjysma e të gjithë pensioneve të pleqërisë dhe invaliditetit, ose treçereku i të gjitha investimeve të shtetit shqiptar në një vit.

Dhe me kthimin e ndihmës së FMN-së në Shqipëri, shpenzimet për interesat e borxhit publik janë ulur. Në 2013-ën, interesi mesatar i borxhit publik ishte rreth 6% në vit, ndërsa në 2014-ën u ul në nivelin 4.4%. Dhe FMN-ja po ndihmon në ristrukturimin e këtij borxhi (me ndihmën edhe të Bankës Botërore), në mënyrë që të rritet pesha specifike e kredive afatgjata me interesa të ulta.

Dhe kjo ndihmë, siç e theksova më sipër, nuk mund të vijë pa një kosto politike – në shkëmbim të granteve dhe kredive të buta, FMN-ja (dhe për rrjedhojë edhe Banka Botërore) po kërkon zbatimin e një disipline të rreptë fiskale dhe makroekonomike nga qeveria shqiptare.

Në programin e qeverisë aktuale ka premtime për ulje taksash të segmenteve të ndryshme të popullsisë me të ardhura të ulta e mesatare, si edhe të biznesit të vogël, për subvencione në sektorë të ndryshëm të ekonomisë e për rritje të shpenzimeve publike në arsim e shëndetësi, të cilat do të mbulohen, gjithnjë sipas programit të qeverisë, me rritjen e taksave për individët dhe bizneset me të ardhura të larta, me pakësimin e evazionit fiskal dhe me uljen e korrupsionit në dhënien e tenderave dhe koncensioneve. FMN-ja do të jetë më se e kënaqur të vazhdojë ta ndihmojë qeverinë Rama për ristrukturimin e borxhit publik, nëse i realizon këto premtime. Por nëse jo, do t’ia shtrëngonte “frerin” fiskal.

Edi Rama e ka pranuar deri më sot “frerin” e FMN-së, megjithë dhimbjet politike që i shkakton ai. Por a do të bëjë Rama në të ardhmen të njëjtën gjë që bëri Berisha në 2009-ën – ta përzërë përsëri FMN-në nga Shqipëria? Kjo ndoshta do të varet nga rezultatet e 21 qershorit. Në rast të një rezultati negativ të mazhorancës në to, Rama mund të dojë të rrisë shpenzimet buxhetore (nëpërmjet shtimit të borxheve), për të përgatitur një terren më të mirë elektoral për 2017-ën. Por në qoftë se e bën këtë gjë, ka për ta rifutur vendin në spiralen e borxheve dhe përplasjeve me FMN-në, e cila do të na çonte drejt gropës thithëse ku ndodhet sot Greqia…

SHKARKO APP