A DO TA NDIHMOJË KINA AMBASADOREN E SAJ NË EUROPË?
Sqaroj të gjithë ata që nuk kanë durim ta lexojnë deri në fund këtë shkrim se në Europë nuk ka ndonjë ambasador kinez të kërcënuar. Fjala është për Greqinë. Një vit më parë kryeministri kinez Li Keqiang, gjatë një vizite në Athinë e ka thënë se Greqia do të jetë ambasadorja e Kinës në BE. Aktualisht fqinji ynë jugor është në prag të falimentimit. Me sa duket as Europa, e cila prej më shumë se 40 vjetësh e mban atë në gjirin e saj, nuk është më në gjendje ta ndalojë këtë rrokullisje. Qeveria greke ka deklaruar se medoemos në datën 5 korrik populli që ajo drejton do të ftohet në një referendum për të vendosur daljen përfundimtare të Greqisë nga eurozona. Përjashtimi mund të bëhet vetëm nëse ndodh mrekullia. Nëse kjo ekziston vërtet, a do të vijë nga Kina?
Në Europë ndodhet për vizitë kryeministri kinez Li Keqiang. Për të marrë pjesë në samitin ekonomik të radhës Kinë – BE si dhe për vizitë zyrtare në Belgjikë dhe Francë. Fakti që në 27 muajt e tij në këtë post kryeministri kinez vjen për të gjashtën herë në Europë tregon se Pekini u kushton një vëmendje mjaft të veçantë marrëdhënieve me kontinentin tonë. Në një analizë pak më të hollë këto marrëdhënie mund të ndahen në dy nivele: në atë kontinental dhe me vendet e veçanta. Edhe vendet e veçanta kinezët i kategorizojnë në Europë e vjetër dhe Europë e re, Europë e pasur dhe Europë e varfër. Në rrethin diplomatik kinez Rusia nuk llogaritet si vend europian, pra nuk bën pjesë në asnjë nga këto grupime. Natyrisht që në bazë të marrëdhënieve Kinë – Europë janë ato ekonomike.
Kjo ishte edhe baza ku këto dy ditë u përqendruan bisedimet midis udhëheqësit kinez dhe liderëve kryesorë të BE Donald Tusk, President i Këshillit të Europës dhe Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian. U desh falja që Juncker kërkoi për ardhjen e tij me vonesë në samit me fjalët “mos më mallkoni mua, por Greqinë” që vëmendja e aktorëve kryesorë të kalonte pikërisht aty ku Europës, dhe jo vetëm asaj, po i dhëmb më shumë këto ditë. Teksa të gjithë e shikonin atë në sy, kryeministri kinez më se një herë përsëriti që kriza e borxheve e Greqisë është një shqetësim jo vetëm për Europën, por edhe për Kinën dhe pjesën tjetër të botës. Kina, tha ai, “pret një zgjidhje adekuate të kësaj çështjeje”.
Padyshim që një dalje e Greqisë nga eurozona nuk është një lajm i mirë as për Kinën. Nëse kjo do të ndodhë, do të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e marrëdhënieve midis Kinës dhe BE. Kjo e fundit është partneri më i madh tregtar i Kinës me një volum prej 600 miliardë dollarësh në vitin e kaluar. Çdo krizë ekonomike në BE, përfshirë edhe këtë të rastit të Greqisë, do të ishte një goditje mjaft e rëndë për ekonominë kineze, e cila nuk e ka më ritmin e rritjes së para dy viteve. Krahasuar me Kinën e madhe Greqia e vogël ka shkaktuar një tërmet edhe në bursat e Azisë. Stoku i Shenzhenit të Kinës pësoi një rënie prej 13 përqindësh, ndër më të mëdhatë që nga janari i këtij viti. Në një kohë kur në tregun aziatik vlera e euros është pothuajse e barabartë me atë të dollarit. Aq më tepër që Kina, përveç rritjes së bilancit tregtar, ka edhe një sërë projektesh mjaft të rëndësishme për Europën. Konkretisht në samitin e këtyre ditëve në Bruksel të dy palët propozuan ngritjen e Fondit të Investimeve Strategjike Europiane. Në bazë të këtij fondi është hartuar edhe një plan investimi kinez në vlerën e 315 miliardë eurove, kryesisht në projekte strategjike në të gjithë Europën, përfshirë projekte të infrastrukturës dhe të transportit. Ky do të jetë investimi më i madh që Kina ka bërë ndonjë herë jashtë kufijve të saj. Kjo është pjesë e strategjisë kineze për të realizuar projektin më të madh të saj “një brez, një rrugë”, pra “Rrugën e mëndafshit”.
Por në kuadrin e diplomacisë kineze me vendet e veçanta europiane Greqia prej kohësh është e privilegjuara e Pekinit. Pozita e saj gjeografike kombinuar edhe me gatishmërinë e herë pas hershme të qeverisë greke për të bashkëpunuar me Kinën, është një mundësi mjaft e rëndësishme që kjo e fundit nuk dëshiron ta humbasë lehtë. Rruga detare e mëndafshit e ka fundin e saj në brigjet e Greqisë, ku mund të bashkohet me rrugën tjetër që përshkon Azinë dhe Europën mes përmes deri në jugperëndim të gadishullit tonë. Kësisoj Greqia do tëshndërrohet nëportën mëtëmadhe hyrëse te mallrave kineze nëjug tëEuropës. Vitin e kaluar të dy vendet kanë nënshkruar një dakordësi në vlerën marramendëse prej 5 miliardë dollarësh. Me këto para Kina dëshiron të blejë hekurudha, aksionet kryesore të portit të Pireut, të ndërtojë një aeroport në ishullin e Kretës etj. Ndërsa Greqia të zgjidhë pjesë nga kriza e saj. Pas nënshkrimit të kësaj dakordësie kryeministri kinez pati deklaruar se portin e Pireut, që Li e konsideroi si “perlën e Mesdheut”, Kina do ta shndërronte në njërin ndër portet më konkurruese në të gjithë botën. Aktualisht kinezët administrojnë dy terminale të tij. Dy muaj më parë një zëvendës kryeministër grek shkoi në Pekin i autorizuar të kërkojë para për të paguar borxhet.
Është e sigurtë se Kinës, e cila po blen borxhet e një pjesë të madhe të botës, nuk i mungojnë rezervat valutore për të zgjidhur hallet e Greqisë. Çështja është: a ka ndërmend ajo ta bëjë një gjë të tillë? Shenjat e horoskopit kinez për këtë nuk janë të mira. Ndërsa kryeministri Li zhvillonte takimet e tij me partnerët europiane, ministria e jashtme kineze e ndau përfundimisht enigmën. Zëdhënësja e saj Hua Chunying bëri të qartë se “Kina shpreson ta shohë Greqinë në Eurozonë. Ajo nuk do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Ne besojmë se vendet e eurozonës do të jenë të aftë dhe aq të zgjuar sa ta zgjidhin siç duhet problemin e borxhit”. Edhe kryeministri Li në Bruksel i qëndroi besnik kësaj deklarate. “Ne, tha ai, preferojmë një Europë të bashkuar, një BE të begatë dhe një euro të fortë”. Ndërsa si për t’u justifikuar përpara grekëve, ai përdori termin e njohur diplomatik se çështja e borxhit grek është një çështje e brendshme e Europës”. Megjithatë ai shtoi se qëndrimi ose jo në Europë i Greqisë nuk është vetëm një problem që shqetëson Europën, por edhe Kinën. Kjo është arsyeja pse Kina ka bërë përpjekjet e saj për të ndihmuar Greqinë në kapërcimin e krizës së borxheve”.
Mendoj se të gjithë janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së borxhit të Greqisë. Tashmë dihet se Greqia vetë nuk ka asnjë mundësi zgjidhjeje. Europa gjithashtu ndjehet mjaft e lodhur nga piruetat greke. Ndërsa Kina financiarisht e ka të mundur ta nxjerrë tymin e bardhë në Athinë. Mjafton vullneti i Pekinit dhe një dakordësi me Europën. Atëherë pse nuk e bën mrekullinë? Duke njohur diplomacinë kineze jam i sigurtë se ata e kanë kuptuar se grekët nuk kanë qenë shumë seriozë e të besueshëm kur, gjatë vizitës së kryeministrit Li Keqiang në Athinë në qershor të vitit të kaluar ranë dakord t’u jepnin atyre hekurudha, porte e aeroporte. Fakti që, sapo erdhi në pushtet, partia e Tciprasit u deklarua e lëkundur në këtë aksion të qeverisë së mëparshme tregon mungesë serioziteti. Njëri nga ministrat e qeverisë së re, Theodore Dritsas,deklaroi se nuk do ta bënte betimin nëse nuk pezullohej privatizimi i portit. Edhe kompanisë COSCO, më e madhja në botë në lundrimin detar, e që aktualisht operon në dy terminalet e portit, disa herë i janë rishikuar kontratat. Kjo e fundit më se një herë ka deklaruar se mund të gjenden alternativa të tjera në kërkim të një porte hyrëse për mallrat kineze në Europë. Ka zëra se për disa nga objektet e dakordësuara me kinezët tani janë te interesuar edhe rusët, të cilët me grekët kanë lidhje të hershme e më të forta se me kinezët. Këtë e përforcon edhe fakti se Tsipras është mik me Putinin.
Qoftë mungesa e seriozitetit ashtu edhe loja e dyfishtë nuk është në favorin e grekëve. Ambasadorët nuk negociojnë me besnikërinë. Kinezët e kanë shumë të vështirë të nisen për rrugë të gjatë. Kjo ndodh pasi nëse ata vendosin e kanë edhe më të vështirë të kthehen në mes të rrugës. Kjo është njëra arsye. Por më kryesorja qëndron në faktin se, kështu si po shkojnë punët e Greqisë, çdo kapërcim krize do të jetë i përkohshëm. Kjo do të ndodhë për sa kohë që ajo nuk po ndërmerr asnjë hap për ta zgjidhur vetë etjen për para. Kinezët kanë një shprehje që u përshtatet grekëve të sotëm: uji i largët nuk t’a shuan etjen.
Hajdar Muneka
Ish ambasador në Kinë