A do ta nisë Rama aksionin ndaj informalitetit nga miqtë e tij?

 

Ndërsa vëmendja është përqendruar tek ambulantët e vegjël, kompani që kanë lulëzuar në 2014-n dhe qarkullojnë miliarda, nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit. Ky është rasti i TPD Drilling, shoqërisë që është në pronësi të aksionerëve të Tajvanit, të njohur si miqtë dhe mbështetësit e kryeministrit Rama dhe që ka 1.58 milionë USD taksa të papaguara ndaj shteti dhe sigurime.

Ambulantët në rrugët e Tiranën janë “zhdukur” ditët e fundit, ndërsa turfullojnë nën zë për presionin e administratës tatimorë ndaj tyre. “Peshku duhet kapur nga koka”, thotë një tregtare e vogël në një cep të Bllokut, që e kanë kaluar si biznes të madh me TVSH dhe nuk po gjen zgjidhje për problemin e saj as në Gjykatën Administrative.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar se në shtator do të nisë një aksion i fortë ndaj informalitetit, duke trembur ambulantët e vegjël që janë dyndur në QKR të regjistrohen.

Por, sa do të ndikojë presioni mbi bizneset ambulante në rritjen e të ardhurave në buxhet. Në vitin 2014, të ardhurat nga tatimi I thjeshtuar i biznesit të vogël ishin 1.7 miliard lekë (rreth 12 milionë dollarë) dhe përbënin vetëm 0.4% të totalit të të ardhurave buxhetore.

“Lepuri fle gjetkë”. Kompani që kanë lulëzuar në 2014-n dhe qarkullojnë miliarda, nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit. Rasti më tipik është ai i TPD-Trading Petrol & Drilling, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s, duke shitur naftë të përpunuar vendase në treg.

Revista Monitor shkruante pak ditë më parë se kjo kompani është radhitur e 11-a ndër sipërmarrjet më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014, por nga ana tjetër, kompania që njohu një rritje me mbi katër herë te të ardhurave për një vit, ka një mal me fatura për të paguar.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të regjistrimit përmbaruesit kërkojnë bllokimin e kapitalit të kompanisë deri në ekzekutimin e 89 faturave të papaguara ndaj operatorit “Porto Romano Oil”.

Në kushtet kur ekzekutimi i titullit ekzekutiv me vendimin e përmbaruesit gjyqësor ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm dhe për ekzekutimin e tij duhet të kryhet bllokimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe kredi tek të tretë me porosi të debitorit, përmbaruesi ka kërkuar që Qendra Kombëtare e Regjistrimit të vendosë sekuestro konservative mbi kapitalin që zotëron debitori, shoqëria TPD-Trading Petrol & Drilling, në mënyrë që të mos kryhet asnjë veprim tjetërsimi apo disponimi. Faturat me numër serial nga 301 deri në 390 janë lëshuar të gjitha gjatë muajit maj 2015. Nuk bëhet e ditur sa është shuma e këtyre faturave.

TPD-Trading Petrol & Drilling është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka si aksioner Pajtim Braçaj. Kompania, sipas Revistës Monitor ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë, duke u renditur kompania e 11 më e madhe në vend, në bazë të xhiros vjetore.

TPD (Trading Petrol Drilling) konsiderohet së është një person i lidhur juridikisht me zotëruesit e aksioneve të Taivan Center, sipas një korespondecë ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Financave për situatën financiare të ARMOS. Pronari i kësaj kompani, Besnik Sulaj, që është njëkohësisht dhe kryetar bordi I TPD Drilling, sipas regjistrimit në QKR, njihet si një nga miqtë e kryeministrit Rama.

TPD në shtator të 2013 ka nënshkruar marrëveshje me ARMO dhe operon në rafinerinë e Fierit ne kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit.

Sipas letërkëmbimit në fjalë TPD nuk e ka në pronësi kombinatin. Kompania zotëron një garanci bankare 22 milionë USD. Vlerën  e likuiditeteve e kishte minus 4.2 milionë USD në fund të 2014 raporton Ministria e Energjetikës. Kërkesat e arkëtueshme TPD i ka 31 milionë USD. Në to përfshihen kërkesa për klientë dhe kreditorë të tjerë me vlerë 30 milionë USD nga klientët, TVSH për rimbursim 1.5 mln USD dhe 769 mijë USD akcizë për rimburësim. TPD ka borxhe për të likuiduar gjithsej, 55. 2 milionë USD. Borxhet ndaj bankave janë 8.7 mln USD, borxhet ndaj furnitorëve dhe detyrimet fiskale, ku furnitorët duhet të shlyhen me 46 milionë USD, nga të cilat 1.58 milionë USD janë detyrime fiskale dhe sigurime të paguara për punonjësit.

ARMO dhe dy kompanitë që kanë marrë me qira një pjesë të aktivitetit të saj janë në gjendje të rëndë financiare me borxhe që arrijnë gati 400 milionë dollarë. ARMO, e cila ka aktualisht 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.

Azerët  e Heany Assets Corporation kanë lënë administrimin e kompanisë dhe qysh prej këtij viti nafta e ARMOS përpunohet nga dy qiramarrësit TPD-Trading Petrol & Drilling dhe Deveron Advisor Corp.

Nafta vendase shënoi një rritje të ndjeshme në treg gjatë gjysmës së parë të vitit, duke zëvendësuar gati 30% të importeve, megjithatë mbetet mister fakti se pse kompanitë e përfshira në zinxhirin e tregtimit të ARMO-s, ndonëse kanë shitur naftë me çmime tepër të larta (kujtojmë se nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë) janë të zhytura në borxhe ndaj shtetit dhe furnitorëve të tjerë.  Mbetet një pikëpyetje e fortë se ku kanë shkuar këto para dhe pse kompania është lejuar të ushtrojë aktivitetin pa paguar të paktën detyrimet ndaj shtetit. /lapsi.al/

SHKARKO APP