A do të jetë rasti ‘Doshi’ shkëndija drejt një ere të re politike?

 

Korrupsioni i ngulitur thellë në indin e shtetit, mungesa e reformave të thella në sistemin e drejtësisë dhe vetëdija ende e topitur e opinionit publik, e bëjnë akoma të vështirë ndryshimin e situatës në vend. E kjo është për të ardhur keq, teksa sheh atë që ndodh përreth nesh.

Nga Skënder Minxhozi

Prej tre javësh Shqipëria është mbërthyer para televizionit. Nuk ka kampionat botëror futbolli dhe as ndonjë fushatë elektorale. Telenovela “Doshi”, me të fshehtat, dyshimet, skemat mafioze dhe kërcënimet e pretenduara që prekin shkallët më të larta të shtetit, ka tërhequr të gjithë vemendjen e mundshme të shqiptarëve të ngeshëm. Të atyre që mediat i shohin për të vrarë kohën, por edhe të atyre që zakonisht i hedhin vetëm një sy televizorit, kur janë edicionet e lajmeve.

 
E pra kjo telenovelë mund të quhet formalisht e mbyllur. Të paktën për organin e akuzës, i cili këto javë ka kryer një mori hetimesh, duke shkaktuar, siç pritej, reagime nga më të ndryshmet, të shoqëruara nga një debat i ndezur politik. Hetimi zyrtar ka pasur një fund aspak të këndshëm për dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshin e Mark Frrokun, të cilët i arrestuan në banesat e tyre të enjten pasdite, pak orë pasi parlamenti e autorizoi këtë gjë me votim të fshehtë. Ata akuzohen se kanë bërë dëshmi të rreme, në procesin hetimor.
 
Në këtë këndvështrim duket se Meta fitoi, kurse Doshi humbi. Sepse në fund të fundit, kjo qe një histori që i shtypi me peshën e saj të ma­dhe, protagonistët e saj kryesorë. Në një këndvështrim thjesht pragmatist të ngjarjes, sot mund të thuhet me siguri se Tom Doshi ra viktimë e akuzës së madhe që ngriti. Ai pretendoi të përfshijë në një aferë të rëndë vrasjeje, kreun e Kuvendit. Një ambicje, në të cilën miku i tij Dritan Prifti, dështoi vite më parë, megjithëse paraqiti publikisht një provë pafundësisht më të fortë: një video-regjistrim në zyrën e tij të punës. Në harkun e tre javëve, kur akuzat e Doshit u hetuan, u komentuan, u analizuan dhe u kthyen në lëndë të parë për armët e politikës, përshtypja që kjo histori la tek shqiptarët ishte ajo e një afere të errët, të paqartë dhe me personazhe të pabesueshme e të dyshimtë. Skema e ngatërruar e akuzës së Doshit, e bazuar mbi dëshmi personash që i kishin ndryshuar versionet e tyre me kalimin e kohës, ishte dhe pika më e dobët e saj.
 
Pretendimet e Doshit për prova të reja kundër Metës, të cilat sipas tij i mban të bllokuara prokuroria, mbeten ndërkaq për t’u parë në javët në vazhdim. Për hetimin që vuri prangat në duart e dy deputetëve, do të ketë një gjykim të hapur dhe aty vetë Doshi do të ketë mundësi të përballet, siç deklaroi para arrestimit, me prokurorinë dhe provat që ajo fsheh, sipas tij.
 
Larg aspektit juridik, arrestimi i Doshit e Frrokut ka nisur të ketë një impakt jo të vogël në të gjithë skenën politike. Kërkesa e prokurorit të përgjithshëm për imunitetin e deputetëve e vuri në një krizë të vogël opozitën, pasi ajo u detyrua të shprehet se e përkrah hetimin, por në fund, kur u bë fjala pëqr ta votuar atë, PD preferoi të largohet nga salla! Ky nonsens i krijuar në seancën e të enjtes, është vetëm njëri nga problemet që çeshtja Doshi ka krijuar në sallonin e politikës shqiptare. Vetë maxhoranca, e cila e vototi unanimisht heqjen e imunitetit të deputetëve të saj, ndodhet tashmë në pozitën e kalkulimit të dëmeve që kjo aferë ka prodhuar brenda rradhëve të saj. E sigurtë është që Ramës dhe Metës nuk ju duhej përplasja publike me Doshin e Frrokun, pak javë para nisjes së fushatës së zgjedhjeve të 21 qershorit.
Në një spektër më të gjerë, ka vlerë të analizohet impakti i kësaj ngjarjeje të rëndë, në proceset politike transformuese që po ndodhin në Shqipëri. Presioni ndërkombëtar në rritje, për të dënuar krimin e korrupsionin në rradhët e elitave drejtuese, kushtëzimi i procesit të afrimit me BE, me hapat konkrete në këtë drejtim, janë faktorë që shtyjnë drejt një ere të re politike në vend. A do të jetë rast “Doshi” shkëndija që do ta verë në lëvizje këtë mekanizëm, i cili ka mbetur i bllokuar gjatë gjithë tranzicionit postkomunist?! Kjo është një pyetje e cila sot e ka të vështirë një përgjigje bindëse. Sepse ndërsa Tom Doshi ja arriti, me deklarimet e tij, që të shkaktojë një tërmet politik në Tiranë, është po aq e vërtetë se shoqëria shqiptare, institucionet dhe sistemi politik, mbeten ende të papërgatitura për një hop cilësor si ai i Kroacisë, Rumanisë, apo vendeve të tjera rreth nesh.
 
Megjithëse Tiranën e vizitoi këto orë prokurori kroat që prangosi kryeministrin e vendit të tij, nuk ka ende asnjë shenjë apo simptomë se Shqipëria ndodhet në pragun e një pastrimi epokal të klasës së saj drejtuese. Korrupsioni i ngulitur thellë në indin e shtetit, mungesa e reformave të thella në sistemin e drejtësisë dhe vetëdija ende e topitur e opinionit publik, e bëjnë akoma të vështirë ndryshimin e situatës në vend. E kjo është për të ardhur keq, teksa sheh atë që ndodh përreth nesh.
JAVA

SHKARKO APP