A është i manipuluar dëshmitari kyç?
Nga Mero Baze
Proçesi gjyqësor për vrasjen e Komisarit Dritan Lamaj mori një kthesë të papritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke e shpallur të akuzuarin kryesor të pafajshëm. Vendimi, i cili la pa frymë opinionin publik, u arsyetua nga Gjykata më së shumti me faktin se dëshmitari kryesor i akuzës, që pretendon se e ka marrë Arben Frokun në makinën që qëlloi mbi Komisarin, rezulton i pabesueshëm. Gjykata sjell si argument për këtë, faktin që dëshmitari shfaqet në kamerat e një objekti aty afër 4 minuta pasi Komisari është vrarë. Pra, që nuk ka mundësi të ketë qenë në vendgjarje kur ka ndodhur krimi dhe deklaratat e ndryshme të tij e të gruas së tij, rreth mënyrës se ku u pyet dhe si i takoi krerët e lartë të policisë.
E di që tani është e tepërt të bëjmë debate publike me Gjykatën pas dhënies së vendimit, por nëse kemi një dëshmitar fals në këtë vrasje, ai duhet të arrestohet dhe të dëshmojë kush e përgatiti si dëshmitar fals.
Në rastin konkret, dëshmitari përshkruhet sipas gjykatës, një tip i pabesueshëm dhe sipas të akuzuarit një pijanec dhe bixhozxhi. Nëse ai është një dëshmitar real, këto veti nuk kanë asnjë rëndësi, pasi ai ka qëlluar aty si dëshmitar dhe jo si bixhozxhi apo pijanec. Por, në rast se ai nuk ka qenë aty dhe është fabrikuar nga policia në atë kohë, për tu dukur sikur po heton, atëherë jemi para një ngjarje më të rëndë sesa vrasja e Komisarit. Krerët e Lartë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kontaktuar dëshmitarin kyç, janë të njëjtët persona që kanë dalë në fotografi me të akuzuarin për vrasje në një drekë me raki, çifteli dhe meze në periferi të Tiranës pak kohë para vrasjes. Nëse këta persona janë dhe fabrikuesit e dëshmitarit të rremë, atëherë jemi para një ngjarje shumë më të rëndë. Policia e Shtetit ka fabrikuar një dëshmitar të rremë, pikërisht për të keqorientuar hetimet dhe për të shpëtuar të akuzuarin kryesor për vrasje.
Që të bindemi se kjo nuk është e vërtetë, pas vendimit të Gjykatës, duhet të nisë urgjent procedimi penal për dëshmitarin kyç dhe ata që e kanë fabrikuar nëse është e vërtetë.
Ne kemi sot dy deputet të Kuvendit që po shkojnë drejt burgut për një dëshmi false, mbi një gjoja vrasje që do të ndodhte. Në rastin konkret, kemi sipas gjykatës një dëshmitar fals, që me dëshminë e tij të fabrikuar ka hedhur në erë procesin për interesa të Policisë së Shtetit, kupola e së cilës na rezulton te ketë qenë dhe rrethi i ngushtë i të akuzuarit për vrasje.
Që ky proces gjyqësor të mos vazhdojë të jetë një turp për drejtësinë shqiptare, ai nuk mund të lërë të lirë edhe të akuzuarin kryesor dhe dëshmitarin kryesor. Dikush nga ata duhet të mbahet në burg, ose si vrasës ose si manipulues provash për vrasjen.
Kështu si përfundoi ky proces, pa asnjë vrasës dhe pa asnjë fajtor për moskapjen e vrasësit, është e papranueshme.
Gjykata e mbështet gjithë arsyetimin mbi një dëshmitar që e quan të pabesueshëm. Ne jemi ende në kushtet e paqartësisë për drejtësinë e vendimit të Gjykatës dhe për fuqinë e provave të Prokurorisë, por një gjë të gjithë jemi në gjendje ta vlerësojmë. Nëse kemi një dëshmitar fals të fabrikuar nga Policia e Shtetit në atë kohë kur u vra Komisari, atëherë duhet urgjent të nisë procesi penal ndaj krerëve të Policisë së Shtetit, që e kanë konsideruar atë dëshmitar kyç dhe ndaj vet dëshmitarit. Kështu mund të shkojmë më lehtë në mos tek vrasësi i vërtetë, tek ata që deshën dhe ia arritën ta fshehin vrasësin.
Gazeta "Tema"