A fshihet një plan biznesi i Koço Kokëdhimës pas propozimit të tij për legalizimin e kanabisit?
Ishte i pari nga radhët e mazhorancës që hodhi idenë e legalizimit të kanabisit dhe po e promovon gati çdo ditë këtë ide. Fjala është për Koço Kokëdhimën, deputetin e Vlorës dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama. Prej disa ditësh në gazetën e tij, “Shekulli”, botohen shkrime në favor të legalizimit të kanabisit, ndërsa sot, vetë deputeti Kokëdhima foli gjerë e gjatë për këtë çështje.
Në versionin online të gazetës “Shekulli”, për konferencën e sotme me mediat, Kokëdhima citohet vetëm për atë pjesë ku flet për legalizimin e marijuanës, ndërsa s’ka asnjë fjalë për debatin dhe drekën e tij me Tom Doshin. Por pse po e promovon kaq shumë Kokëdhima idenë e legalizimit të marijuanës. A ka ai një plan biznesi që do të zbatohet sapo të merret një vendim i tillë?
Ai jep dy arsye kryesore përse duhet legalizuar kanabisi. Arsyeja e parë ka të bëjë me ata pacientë që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve, përmes medikamenteve që burojnë nga kanabisi. E dyta ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë shqiptare, progresi i së cilës do të ndihet me zhvillimin e eksportit, dhe të një industrie farmaceutike që bazohet te kanabisi.
Duke vijuar më tej, Kokëdhima tha se në vitin 2020 nuk do të ketë asnjë shtet në botë, që nuk do ta ketë legal kanabisin. Sipas tij, kjo ekonomi qindra miliardash që zhvillohet sot në botë, është një ftesë, që ne të përfitojmë nga ekonomia botërore e kanabisit.
Koço Kokëdhima theksoi se propozimi i tij është politik, ndërsa mohoi të ketë një plan biznesi pas gjithë këtij promovimi që po i bën idesë së tij. Kryeministri Edi Rama është shprehur kohë më parë se është kundër legalizimit të kanabisit. Por duke ditur influencën e Kokëdhimës te Rama, ndoshta s’do të jetë e largët dita kur vendi ynë do të “Lazaratizohet”. /Lapsi.