A i ka bërë llogaritë gabim Macron?

Presidenti francez tregon gjurmët e para të konsumimit. Reformat e tij urrehen, ministri i Ambientit largohet, roja personale e tij rreh të tjerë: Macroni ndodhet nën presion. Kjo e dëmton projektin e tij të Evropës.

Butësia politike, me të cilën e trajtuan francezët qeverinë e tyre në muajt e verës ka kaluar, së bashku me verën. Me ashpërsi të freskët kombi ndjek politikën nga Elizeja. Ai që e ndien këtë është para së gjithash Emmanuel Macroni. Periudha verore qe për të herë e ëmbël dhe e plogësht dhe herë e hidhur. Presidenti e kaloi njëfarësoj verën e stuhishme në politikën e brendshme. Nisur që nga afera me njërin nga punonjësit e ekipit të sigurimit të tij, Alexandre Benalla. Që ai, një i punësuar i Pallatit Elize ndërmori veprime të dhunshme, pa u përballur me pasoja të forta, kjo i revoltoi francezët. Në fillim Macroni heshti dhe priti që të kalonte e gjitha, pastaj ndërmori sanksione vetëm kozmetike.

Sipas ekspertit të politikës Jerome Sainte-Marie nga Qendra Kërkimore Polling Vox në Paris, kjo tregon edhe një herë më tepër stilin autoritar të Macronit, gjë që bën që ai të bjerë edhe në sondazhe. Muaji i mjaltit ka kaluar, “shumë zgjedhës e vëzhgojnë Presidentin e tyre me skepticizëm në rritje”, thotë Sainte-Maire.

Në bazë të një sondazhi të fundit të institutit demoskopik BVA, 59 përqind e francezëve janë të pakënaqur me Presidentin e tyre.Kritika vjen jo vetëm nga kundërshtari. Edhe treçereku i elektoratit të tij është i pakënaqur: dorë e ashpër në politikën e sindikatave, shkurtime në subvencionin për banesën, shkurtime te punonjësit e hekurudhave; shumë vetëve, të cilët e zgjodhën Macronin 40 vjeçar edhe me shpresa të majta, ai tani u duket tepër liberal, tepër i djathtë.

Ofensiva e magjepsjes nuk ndez në Evropë
Që tani edhe Nicolas Hulot, ministri yll i Macronit për Ambientin dhe Qendrueshmërinë jep dorëheqjen, kjo e dobëson Presidentin, i cili po i bie tani kryq e tërthor Evropës. Emmanuel Macroni ka vizituar tashmë 16 shtete të BE, së fundi Danimarkën dhe Finlandën. Synimi dhe kuptimi i këtij turneu të gjerë në Evropë është për të sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë. Në kohën e duhur para zgjedhjeve për Evropën në maj 2019, ai do të bëjë për vete elektoratin në të gjithë Evropën. Nga e majta, qendra, te e djathta. Ambicia e tij politike: Ndarja e Evropës në një kamp të nacionalistëve dhe të “përparimtarëve”. Macroni, i thotë DW analisti Bruno Cautres nga Qendra Kërkimore Cevipof, synon të përçajë para së gjithash të djathtën evropiane. Që të shfaqet në fund, me partinë e tij Republique En Marche (REM) si “alternativa e vetme për ta zgjedhur”.

E djathta evropiane po organizohet
Ekspertët vërejnë se rezistenca në nivelin evropian po konsolidohet. Krahas me Çekinë dhe Austrinë, kryeministri hungarez Viktor Orban ka kohë që përdor një ton euroskeptik, të ashpër. Që tani edhe Italia, një shtet themelues i BE, kërkon solidaritet me Orbanin, kjo e bën të pranueshëm në sallonet evropiane kryeministrin hungarez. Edhe Suedia liberale pret një zhvendosje të qartë djathtas në zgjedhjet në fillim të shtatorit. Shumë partnerë që mendojnë si ai, Macroni aktualisht nuk ka. Merkelin ai do ta takojë këtë të enjte në Paris. Kancelarja gjermane konsiderohet vërtet partnere e sigurtë. Së bashku ata duan të çojnë përpara ide reformuese, si një mbrojtje të përbashkët. Por në fund, janë të bindur disa ekspertë, suksesi politik i familjeve evropiane në Evropë do të vendoset në çështjen e migrimit.// Nga Catherine Martens- Marrë nga DW

SHKARKO APP