A janë këmbyer politika e brendshme dhe ajo e jashtme Kosovës për interesa pushteti, siç thotë kryeministri shqiptar?

Nga Sonila Meço

Gjykata Kushtetuese në Kosovë, me vendimin e saj për një nga deputetët e parlamentit i dha mundësinë publikut të kuptojë se Qeveria “Hoti” nuk ka qenë legjitime, për shkak se kuorumi miratues ka qenë i jashtëligjshëm (ka marrë 61 vota, aq sa është minimumi, ku njëra tashmë është e pavlefshme).

Pra në Shtëpinë e Bardhë përfaqësimi i Kosovës nuk ka qenë legjitim, që të përligjë furinë e fyerjeve ndaj kreut të shtetit në Kosovë, që sulmon atë marrëveshje (a çfarëdo emri juridikisht korrekt të ketë).

Ndërkohë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Znj. Osmani, rezulton politikania më e votuar në Kosovë në zgjedhjet e fundit, në një proces ku nuk ka akuza e prova për blerje e shitje votash, po ashtu është e gatshme t’i nënshtrohet verdiktit të sovranit në çdo muaj të vitit. Sado të përdorë politikën e jashtme për qëllime të pushtetit, ajo është e gatshme t’i dalë elektoratit përballë edhe e vetme për votëbesim në çdo kohë. Kjo e bën jo vetëm shtetare, por edhe të besueshme si një politikane, që nuk e mban pushtetin me çdo kusht, pas çdo skandali, shkelje kushtetute, apo ilegjitimiteti.

A i janë këmbyer politika e brendshme dhe ajo e jashtme Kosovës për interesa pushteti, siç thotë kryeministri shqiptar? Edhe mundet…për sa kohë Serbia i bllokon njohjet, për sa kohë nuk ka vend në OKB, në NATO, nuk ka ende liberalizim vizash me BE-në, i kërcënohen kufijtë edhe pse shtet prej 12 vitesh, i çohen ende liderët në Hagë kur agresori i një lufte shfaqet më i qetë se viktimat…atëherë ku ndahet kufiri i së brendshmes me të jashtmen?

Nëse ideja e deklaruar në kuvendin shqiptar nga Vjosa Osmani për të zhbërë një tra mes Kosovës e Shqipërisë cilësohet nacional-folklorizëm nga Kryeministri shqiptar, po të shfrytëzosh momentin e dhënies së pasaportës shqiptare një artisteje të famshme italiane për të deklaruar se: “Teksa flija sonte, m’u shfaq në ëndërr Skënderbeu dhe më tha është Ana Hoxha dhe jo Oxa, në kështjellën time. Duhet të shkosh dhe të konfirmosh që ajo bën pjesë në ushtrinë time të madhe të shqiptarëve që nuk heqin dorë kurrë. Ju jeni e dërguara e Skënderbeut në tokë përtej detit.” çfarë është?

Se mundet edhe Osmanit t’i ketë dalë në ëndërr Heroi Kombëtar e t’i ketë thënë: “Ti bën pjesë në ushtrinë time të madhe të shqiptarëve, që nuk heqin dorë kurrë. Je e dërguara ime përtej traut për ta zhbërë atë ndarje të pakuptimtë kur po investohen në një minishengen ballkanik për të hequr çdo kufi me ata që ende nuk kanë kërkuar falje për shpirtrat, që enden ëndrrash të trazuara”…

Dakord jam siç thotë kryeministri se nuk fitohet lufta me Serbinë duke ardhur në Tiranë e duke rrotulluar thikën e nacional-folklorizmit vulgar, po a mund të prioritizojmë një rol mbarëshqiptar në rajon duke krijuar një treg 5 milionësh, një hapësirë ekonomike, kulturore, arsimore e infrastrukturore shqiptare? Se në strategjitë moderne e jo folklorike janë numrat, po numrat dhe ekonomia “armët” e patriotizmit.

As ëndrrat e natës e as minishengenët e ditës.

Dhe diçka të fundit, ndonjë reagim pas deklaratës së Dačić që e cilëson Presidenten e Kosovës 10 herë më të zezë se Vlora Çitaku a pati këndej nga ne?

SHKARKO APP