A ka gjetur një shok te Vladimir Putini Koreja e Veriut?
Nga Natalie Nougayrède
A ka aguar epoka e luftëbërjes kibernetike? Barak Obama ngurroi ta quante sulmin e hacker-ave ndaj Sony-t si një akt lufte nga ana e Koresë së Veriut. Ai parapëlqeu ta përshkruante si “vandalizëm kibernetik” dhe paralajmëroi se do të kishte një përgjigje “proporcionale”.
Ndërkohë që ekspertët meditojnë se çfarë mund të jetë kjo raprezalje – nuk e dimë ende se çfarë e shkaktoi ndërprerjen e internetit në Korenë e Veriut këtë javë – pati një tweet interesant nga Toomas Hendrik Ilves, presidenti i një prej shteteve më të vogla në botë, Estonisë. “Sulme shkatërruese kibernetike, sikurse pamë në rastin e Sony-t, e kërcënojnë të gjithë lirinë tonë nëpër botë në rast se lejohet që kërcënimet të kenë efekt. Një internet i lirë dhe i hapur është jeta e demokracisë së shekullit të 21-të, anembanë botës. Mbrojtja e tij lyps bashkëpunimin e të gjitha shteteve që ndajnë të njëjtin mendim”.
Ilves di diçka për vandalizmin kibernetik sepse Estonia, e cila krenohet se është një prej vendeve më teknologjike të Europës, ka qenë në 2007-n subjekt i një prej sulmeve më spektakolare kibernetike që janë parë ndonjëherë. Për dy muaj me radhë, hacker-at ndërmorën një valë mësymjesh dixhitale që i bllokuan sajtet qeveritare dhe të kompanive private. Estonia ia atribuoi sulmet disa grupeve në Rusi dhe akuzoi Kremlinin për këtë veprim. Zyrtarët rusë e mohuan që të kishin gisht. Estonia shkoi më tej duke ngritur një qendër të posaçme të NATO-s për kërkim dhe mbrojtje kibernetike. Më vonë, një grup ekspertësh nxorën një dokument të quajtur manuali i Talinit mbi të drejtën ndërkombëtare të aplikueshme ndaj luftëbërjes kibernetike. Ky tekst ka për qëllim të studiojë se si disa veprime mund të tejkalojnë disa kufij të sigurisë ndërkombëtare dhe se si mund të përgjigjen shtetet. Një pjesë e madhe e diskutimit sillet rreth faktit nëse një sulm kibernetik mund të futet apo jo në kategorinë e sulmeve të armatosura. Nuk ka përgjigje të prera apo të qarta. Duket se ky debat do të vazhdojë mbi bazat e praktikës rast pas rasti.
Shënjestrimi i Estonisë nuk kishte të bënte me ndonjë film që don të përqeshte Rusinë, por me një vendim të zyrtarëve estonezë për të zhvendosur një monument sovjetik të Luftës së Dytë Botërore në Talin. Një gjë e tillë shkaktoi zemëratën e minoritetit etnik rus në Estoni si dhe një furi midis grupeve nacionaliste të mbështetura nga Rusia si organizata rinore Nashi, e cila më vonë mori përsipër autorësinë e fushatës kibernetike, edhe pse nuk ka patur asnjëherë prova për një gjë të tillë.
Paralelizmi ndërmjet episodit estonez dhe sulmit ndaj Sony-t është mbresëlënës. Ashtu sikurse Koreja e Veriut akuzohet tani se po përpiqet të censurojë një film në SHBA përmes kërcënimeve kibernetike, Rusia u kritikua se u përpoq të shantazhonte një vend fqinj në mënyrë që të ruante një mbetje të historiografisë sovjetike në territorin e saj. Nuk është habi që presidenti i Estonisë shqetësohet shumë për sulmin ndaj Sony-t, sepse një gjë e tillë ka të bëjë direkt me lirinë e shprehjes dhe sovranitetin e shtetit të tij.
Sulmi në Estoni në njëfarë mënyre ishte më i rëndë se sa sulmi ndaj Sony-t, sepse ai paralizoi funksionimin e mirëfilltë të disa institucioneve shtetërore. Në rastin e Sony-t, gjithsesi, ishin në lojë shumë më tepër gjëra sesa thjesht mirëqenia e një kompanie të vetme. Hollivudi, një industri e tërë që shumëkush në botë e lidh me propagandën apo influencën amerikane, u gjend nën rrezik. Vandalët kibernetikë luajnë me nocionin e mohimit bindës. Qëllimi i tyre është t’i shkaktojnë apo ta detyrojnë kundërshtarin e tyre të tërhiqet pa e shfaqur hapur përgjegjësinë e tyre për sulmet. Kjo strategji ndjek kryesisht atë që filozofi-luftëtar kinez Sun Tzu e përshkruante si arti epror i luftës: “ta nënshtrosh armikun pa luftuar”. Tërheqja e filmit nga kinematë qe një fitore e qartë e hacker-ave dhe e kërcënimit të tyre.
Ashtu sikurse Koreja e Veriut mohon çdo përgjegjësi për Sony-n, Rusia e kaloi pjesën më të madhe të vitit duke mohuar që të ketë ndonjë rol direkt në kryengritjen e armatosur në Ukrainën lindore. Mosa mbështeti veprime të mandatuara dhe vjedharake ushtarake, ashtu sikurse Koreja e Veriut u mbështet te një ushtri hacker-ash që është e vështirë për t’u zbuluar. Kjo është epoka e re e luftës hibride dhe sulmeve të mohuara. Kështu që ndoshta nuk qe një surprizë e madhe që, në mes të skandalit të sulmit ndaj Sony-t, Vladimir Putini papritur e ftoi liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, që të vizitojë Rusinë.
Nëse ata takohen, ata do të zhvillojnë padyshim një bisedë interesante, duke krahasuar shënimet se si u shpalos strategjia e tyre dhe se si u përgjigj bota. Ata mund të përmendin edhe Sun Tzu-në.
The Guardian