A ka ngjyra politike ky “gjyq“?

Nga Mero Baze

Ndalimi i dy deputetëve, që pritet të vlerësohet këtë fundjavë nga Gjykata e Lartë, është një akt i fortë i Prokurorisë, i cili ka marrë dozën e duhur të politizimit nga debati publik në vend. Ndalimi është konsideruar si një akt politik nga opozita, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka inkurajuar vazhdimin e procesit dhe distancimin e politikës nga krimi. Por pavarësisht këtyre, ka plot dyshime mbi rolin profesional të Prokurorisë në këtë çështje dhe arsyet e këtij procesi.

Dyshimin e parë me të, e kanë hedhur opozitarët, të cilët e konsiderojnë apriori nën presionin e pushtetit dhe flasin për procedura antiligjore ndalimi. Duke qenë se ndalimin e ka firmosur Kryeprokurori i vendit, të cilin Berisha e ka përzgjedhur, e ka votuar dhe nuk e ka sulmuar ende, jemi më shumë para gjetjes së një arsyeje për të prishur muajin e gjatë të mjaltit me Kryeprokurorin e radhës, sesa para ndonjë shqetësimi serioz për procedurën e masës së arrestit, e cila gjithsesi do të përballet në Gjykatë e Lartë për tu vlerësuar.

Në gjithë këtë çështje deri tani opozita ka bërtitur më shumë “Meta Ik“ dhe e ka akuzuar atë për shtrembërim hetimi, sesa Prokurorinë. Vetëm tani që Prokuroria e finalizoi punën e saj, po dëgjohen zërat e parë kundër saj. Siç ka ndodhur rëndom në historinë e këtij vendi, kur Berisha nuhat se ka probleme me ligjin, sulmon gjithmonë Prokurorinë. Ai nuk ka lënë gjë pa i thënë Dhori Sollakut dhe Ina Ramës, të dy të votuar prej tij, vetëm se ka qenë në telashe me ligjin. Në rastin konkret, Berisha nuk ka bërë betejë me Prokurorinë deri më sot, por me Metën dhe kjo është e vetmja vello politike që ka marrë deri tani procesi. Nëse Berisha po bëhet gati të divorcohet dhe me Llallën, atëherë duhet të kuptojmë që ai e shikon këtë proces jo si një ngjarje të vetmuar, por si fillimin e një fundi për pandshkueshmërinë në vend, e cila duhet të nisë me të. Deri tani as ne dhe as Berisha nuk beson në këtë gjë, ndaj dhe ai është ende në paqe me Prokurorinë.

Dyshimi i dytë është hedhur nga kritikë të qeverisë, të cilët e quajnë ndëshkim politik procesin ndaj Doshit dhe Frrokut. Për të gjtihë ata që kanë një supozim të tillë, duhet tu kujtoj se fare papritur është harruar nga skena e “krimit” viktima e dytë, Mëhill Fufi. Ç’po bëhet me Mëhill Fufin? A ishte dhe ai një nga dy të piketuarit për “tu vrarë”? A duhet të arrestohej dhe ai, nëse bëhet fjalë për viktimizim të viktimave, siç thonë kritikët? Natyrisht që po. Nëse do të jetë e vërtetë teza se Meta dhe Rama u mbyllën gojën atyre që nuk i vranë dot, ata do t’i kishin mbyllur gojën Tom Doshit dhe Mëhill Fufit. Aq më tepër që Fufi është dhe i opozitës dhe që Berisha e Doshi donin ta lidhnin me një incident të rëndë të 23 Qershorit. Por Mëhill Fufi, jo vetëm që është i lirë dhe i papërfshirë në këtë pisllëk, por edhe larg drejtësisë në këto momente. E gjithë kjo ndodh për një arsye fare të thjeshtë. Ai nuk është përfshrië në prodhimin e kësaj ngjarjeje, por thjesht është përzgjedhur për tu bërë i besueshëm skenari. Nëse shumica do të donte t’i mbyllte gojën dy deputetëve “viktima”, ata nuk do ishin Mark Frroku dhe Tom Doshi, por Mëhill Fufi dhe Tom Doshi. Fakti që janë dy të tjerë, do të thotë që ky përfundim është arritur jo për shkak të politizimit të çështjes, por për shkak të hetimit të saj dhe gjetjes së njerëzve që kanë prodhuar katrahurën politike, e cila ka synuar atë që Doshi e tha para procesit, “tronditjen” e themeleve të shtetit. Ilustrim i qartë i kësaj historie është, që Mëhill Fufi sonte nuk po fle në Komisariat, por në shtëpinë e tij në Mamurras.

Dhe arsyeja e tretë, përse Frroku dhe Doshi nuk janë të përdorur politikisht në këtë process, është se pozicioni i tyre aktual politik, ka qenë krejt i parëndësishëm. Ata ishin të parëndësishëm si numra, si personalitete dhe si politikanë. Ata nuk ishin në krye të asnjë nisme politike, nuk ishin duke udhëhequr asnjë proces politik, Komision parlamentar apo nisëm ligjore që mund t’i shkaktonte probleme shumicës. Madje njërin prej tyre, Frrokun, thuajse nuk e lidhte asgjë me PS-në, përveç faktit që partia e tij familjare ka qenë në koalicion me të. Doshi nga ana e vet, tre javë më parë, nuk kishte hall vrasjen, por Spiropalin dhe Shehun, njëra që i kishte bllokuar importet nga Gjermania dhe tjetra që s’i kthente TVSH-të, halle ndoshta normale për një biznesmen. Por halle politike, nuk kishte. Ai ishte një superdeputet me pushtet në Shkodër, që kishte lënë në hije shumicën e deputetëve të PS-së dhe problemi i vetëm i tij, ishte si të mos pengohej në punët e tij. Duke ia dorëzuar Doshin drejtësisë, socialistët nuk shmangin ndonjë rrezik prej tij apo prej aktivitetit të tij dhe as ndërpresin ndonjë karrierë politike që ishte problem për ta. Përkundrazi, ata mund të rrezikojnë vota nga heqja e tij, por e kanë marrë përsipër këtë taks. Në fund të fundit, kjo nuk është një çështje që socialistët ia hapën Tomës, por një çështje që Toma ua hapi socialistëve dhe nëse ka një prapavijë politike kjo gjë, është nga ana e Tom Doshit. Ai po. Ai mund të jetë pjesë e një skenari politik për të dëmtuar shumicën, duke hyrë me vetëbesim në këtë lojë. Ky është i vetmi motiv politik që ka ky proces, i cili më shumë sesa e “shpëtoi” Doshin nga vrasja fizike, e zhyti në një vetëvrasje politike.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP