A ka rrezik për ekstremizëm fetar në Shqipëri
Pas sulmeve të fundit terroriste në Paris, ku u sulmuan zyrat e revistës “Charlie Hebdo”, duke u vrarë 12 persona, në disa vende të Evropës, por edhe në kontinente të tjera u zhvilluan protesta anti-islamike, por edhe kundra Islamofobisë. Shqipëria, qoftë nga pikëpamja politike, por edhe fetare është renditur përkrah vendeve që kanë dënuar me ashpërsinë më të mëdha sulmet terroriste jo vetëm në Paris, por në çdo shtet, por është treguar kujdes të mos cënohet edhe bashkëjetesa fetare në vend. Në Shqipëri, nisur nga këto ngjarje globale, është hapur debati nëse në vend ka Islamofobi dhe rrezik për ekstremizmin fetar.
Anadolu Agency (AA) rreth kësaj tematike ka marrë prononcimin e përfaqësuesve të dy komunitete fetare në Shqipëri. Konkretisht kanë folur, Elvis Naçi, drejtori i Mesazhit Islam në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, dhe Imzot George Frendo, Ipeshkëv Ndihmës pranë Kishës Katolike Shqiptare.
-Elvis Naçi: Në Shqipëri nuk ka një Islamofobi të theksuar –
Drejtori i Mesazhit Islam në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, Elvis Naçi në intervistën e tij për Anadolu Agency pohon se nga pikëpamja e përgjithshme nuk mund thuhet se ka një Islamofobi të theksuar. “Normal që ngjarje si ajo që ndodhi para pak ditësh në Francë apo ndonjë ngjarje tjetër që ka qenë në përmasat e saj krijojnë një pështjellim dhe një moskuptim. Nuk do të thoja deri në përmasat e Islamofobisë, por detyra jonë si Komunitet Musliman dhe si teolog është që edhe këto pështjellime apo keqkuptime të njerëzve t’i shpjegojmë njerëzve islamin real dhe t’iu shpjegojmë njerëzve që çdo krim si në emrin e fesë si në emrin e kombit ai ngelet një krim dhe nuk ka pse të përzihet me çështjet e fesë. Të gjitha fetë abrahamike kanë themel besimin tek zoti, morali, paqja dhe dashuria për jetën. Çdo gjë që del jashtë këtyre suazave nuk ka lidhje me fenë islame”- shprehet Naçi për AA.
Naçi gjatë bisedës me gazetarin e AA thekson se duhet të jemi të vetëdijshëm që akte të tilla si këto që po dëgjojmë, ku përmendet Zoti, kjo mund të krijojë një Islamofobi tek njerëzit dhe mund të shkojë deri ne ekstreme të cilat asnjëri prej nesh nuk do ti dëshironim. Por sipas tij nëse komunitetet fetare ose teologët do të shpjegojnë Islamin ashtu siç duhet dhe do të këshillojnë besimtarët e tyre që të praktikojnë Islamin e paqes dhe të mirësisë padyshim që Islamofobia nuk do të ketë vend dhe populli nuk do të bie në kthetrat e Islamofobisë. Ai pohon se edhe francezët nuk kanë rënë në kthetrat e Islamofobisë, pas ngjarjes së fundit në Paris ku u sulmuan zyrat e revistës “Charlie Hebdo”
-Bashkëjetesa fetare në Shqipëri na bën krenarë
Lidhur me bashkëjetesën fetare, Drejtori i Mesazhit Islam në Komunitetin Musliman të Shqipërisë, Elvis Naçi thekson se jemi krenarë që fetë në Shqipëri apo dy komunitetet kryesore ai musliman dhe ai i krishterë kanë ditur ndër shekuj dhe ndër vite që të krijojnë një bashkëjetesë, një harmoni në bashkëjetesë. “Në raste kur vendi jonë, pra Shqipëria ka qenë në raste delikate siç ishte shpallja e pavarësisë në vitin 1912, teologët e të dyja feve janë ngritur në këmbë dhe kanë bashkëpunuar për shpalljen e pavarësisë, për ngritjen e flamurit. Është një fakt tjetër i cili në Luftën e Dytë Botërore dihet që shqiptarët që ishin shumë besimtarë në atë kohë, kanë qenë përkrahës të mëdhenj për ruajtjen e jetëve të hebrenjve kur në atë kohë ato në Europë po vriteshin nga të gjitha anët, muslimanët dhe kristianët në atë kohë e kanë ruajtur dhe e kanë përkrahur komunitetin hebre”.
Drejtori i Mesazhit Islam në KMSH, Elvis Naçi pohon në intervistën e tij për Anadolu Agency se fatmirësisht deri sot elementë të radikalizmit siç është parë nëpër vendet tjera në Shqipëri këto elementë nuk janë të dukshme dhe nuk janë evidente. “A do të jepja një përgjigje përfundimtare për këtë, nuk do ta merrja përsipër. Sepse një komunitet musliman ka një informacion të reduktuar, ne në çdo kohë bëjmë atë thirrjen tonë islame të pastër dhe të sinqertë që njerëzit të jenë në rrugën e Zotit dhe të gjithë janë të qartë që një njeri që është në rrugën e Zotit tregon rrugën e të mirës dhe jo atë të keqes. Por që të japësh një përgjigje përfundimtare për radikalizmin është pak e vështirë, sepse duhet të kesh informacionin që ka presidenti i vendit, kryeministri, ministri i brendshëm, drejtori i përgjithshëm i policisë, strukturat e tjera të shtetit që janë të avancuara dhe kanë informacionin e plotë në lidhje me këtë. Do të thoja që nga ato që ne shikojmë, shenja të radikalizmit ne nuk i kemi parë dhe nuk i shikojmë deri më sot”- shprehet Naçi
-Imzot George Frendo: Nuk shoh të ketë rrezik për për ekstremizmin fetar në Shqipëri
Imzot George Frendo, Ipeshkëv Ndihmës pranë Kishës Katolike Shqiptare për AA deklaron se nuk konstaton që të ketë rrezik për ekstremizmin fetar në Shqipëri. Ai këtë e argumenton për disa arsye: “Së pari fakti që udhëheqësit e Komunitetit Musliman në Shqipëri janë njerëz shumë të urtë, shumë të balancuar, ku ata vetë kanë dënuar veprat terroriste që janë bërë në Francë. Ata menjëherë e kanë dënuar dhe kanë thënë se këto vepra nuk janë në përputhje me shpirtin e Islamizmit”.
Së dyti Frendo thekson se qeverisë shqiptare deri tani gjithmonë ka qenë shumë e kujdesshme që të ruhet bashkëjetesa fetare në Shqipëri. Sipas tij qeveria në shumë mënyra kanë shprehur vendosmërinë që të kontrollojë elementët ekstremiste, “sepse elemente ekstremiste ekzistojnë, ky është fakt, ku kanë qenë edhe disa që kanë nxitur njerëz për të shkuar të luftojnë për ISIL në Irak dhe në Siri. Por deri tani këto elemente janë të kontrolluar dhe shpresojmë të vazhdojnë të jenë nën kontroll”.
-Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, një vlerë shumë e çmuar
Bashkëjetesa fetare tregon Imzot George Frendo ka qenë gjithmonë një vlerë shumë e çmuar në Shqipëri. Sipas tij për këtë ka folur Papa Gjon Pali i II-të para se ai të vinte në Shqipëri në vitin 1993 dhe ka thënë atëherë që Shqipëria është një model përsa i përket bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme fetare. Frendo citon se të njëjtat fjalë i ka përsëritur edhe Papa Françesku kur erdhi në Shqipëri, ku në shumë raste edhe pse ai ishte këtu për vetëm një ditë ai i ka përsëritur shumë herë këto fjalë. “Një fakt tjetër është që feja, besimi nuk kanë qenë të manipuluar nga politikanët në historinë e Shqipërisë. Sepse besimet janë gjithmonë për vëllazëri, për paqe, megjithatë mund të manipulohen, ku në fakt besimet e ndryshme kanë qenë manipuluar në shumë vende për arsye politike. Por për fat të mirë kjo nuk ka ndodhur këtu në Shqipëri”.
-Mesazhi i dhënë nga klerikët e besimeve fetare në Paris
Ndërsa përsa i përket pranisë të përfaqësuesve të besimeve në Shqipëri në Marshimin Solidarizues në Francë sipas përfaqësuesit të Kishës Katolike, George Frendo, ishte rast për të treguar dhe dhënë mesazhin se është e mundshme që besimet e ndryshme të bashkëjetojnë pa asnjë problem dhe të bashkëjetojnë në paqe. ‘Ky besoj ishte mesazhi i parë’- tregon Frendo për AA.
Së dyti ai përmend faktin që të gjithë besimet fetare në Shqipëri në këtë mënyrë kanë shprehur mos-pranimin e dhunës e terrorizmit, që është gjithmonë diçka e keqe, por veçanërisht kur këto ngjarje të dhunshme terroriste bëhen në emrin e Zotit. “Kjo është një blasfemi e madhe sepse të vrasësh e të thuash se kjo vrasje është në emrin hyjnor kjo është një sharje kundër Zotit”. Ai pohon se do të protestonte kundër terrorizmit, jo vetëm në Francë, por thekson se ka shumë kohë që vepra të tilla më të shëmtuara janë kryer në Nigeri, në Somali, në Irak, në Siri, në Pakistan dhe në shumë vende.