A kishte të drejtë “ateisti” i darkës së Edi Ramës?
Nga Skënder Minxhozi
Çdo fjalë apo aludim i politikanëve të lartë të vendit, qoftë ky serioz, apo edhe me gjysëm humori apo ironie, kthehet automatikisht në një temë diskutimi në rang kombëtar. Më shumë se diskutim, është në fakt një zhurmnajë në kufinjtë e thashethemit. Sepse faktit që kryeministri Rama përmendi mbrëmë refuzimin e një të ftuari në darkën e Iftarit, me arsyen e të qenit ateist, shumëkush u mor me kartën e identitetit të “ateistit”, më parë sesa me motivin e mungesës së tij në darkën kryeministrore.
Për t’u fokusuar tek arsyeja, më shumë sesa tek kolegu gazetar që sot përflitej si personi refuzues, duhet thënë më së pari, se të mos shkosh në darkë të kryeministrit, nuk ka pse të përbëjë asnjë lajm. Aq më pak të nivelit kombëtar. Kjo tregon vetë që mediat po e ulin nivelin e informimit në standartet e rrjeteve sociale ku zakonisht përtypen llafe pazari, e jo se ka ndodhur ndonjë hata e madhe.
Së dyti, e më e rëndësishmja, është krejt e arsyeshme, e pse jo edhe e dobishme, që persona të cilët nuk e gjejnë veten brenda formatit dhe mesazhit të festave fetare, të mos i frekuentojnë ato. Kjo është hiç më pak, sesa zbatimi në praktikë i parimit të madh të lirisë personale. Festat fetare kërkojnë njerëz të sinqertë nëpër sofra, jo hipokritë të sjellshëm që buzëqeshin majtas-djathtas në mënyrë false.
Ka kohë që në Shqipëri konsiderohet si sakrilegj, si kundravajtje morale e shoqërore, të qenit ateist. Ky është skaji tjetër i litarit të ateizmit shtetëror, që na u imponua nga diktatura komuniste, për rreth një çerek shekulli. Të jesh sot ateist, do të thotë të jesh jashtë mode, nostalgjik i diktaturës, madje edhe bosh e i mërzitshëm. Në të kundërt, të jesh besimtar do të thotë të jesh në rregull me “standartin”, të jesh njeri i mirë, i pranueshëm për të tjerët dhe konform kuadratit të vlerave që predikon sot ditën dhe natën, një dispozitiv aspak i vogël institucionesh religjioze dhe mediumesh fetare të të gjitha llojeve.
Kjo e ka vënë padyshim në vështirësi ateistin e darkës së Edi Ramës, por edhe mijëra të tjerë si ai, të cilët prej vitesh kufizohen me oponencën pasive, në një ambjent që i ka dhënë statusin e lebrozit, të gjithë atyre që guxojnë të thonë se nuk e gjejnë përgjigjen duke ngritur kokën lart. Së treti, kjo puna e ceremonive ku përzihet politika me fenë, është gjithmonë një copë e qepur me pe të bardhë. Askush nuk e ve në dyshim elegancën e Edi Ramës në të tilla raste, as oratorinë e tij të njohur, apo edhe sensin e përkujdesjes maniakale ndaj detajeve. Por kur një politikan mban fjalim për Iftar apo Krishtlindje, është thuajse gjithmonë një ushtrim i vështirë dhe i pagjetur ekuilibri. Tamam si ato deklaratat mallëngjyese që klasa politike jep në dyert e kishave e xhamive, kur këto të fundit festojnë kalendaret e tyre religjioze.
Prandaj, personi që ka refuzuar darkën e Ramës, nuk kanë bërë asnjë mëkat, përtej refuzimit të një ftese dashamirëse nga kreu i qeverisë. Shqipëria ka shumë festa. Është mirë që ata që nuk besojnë të mos ftohen më në festa fetare dhe që gjithçka të mbyllet me kaq. Sepse çeshtja e besimit është duhet të mbetet një aferë personale, jo një gumëzhitje gazetash e rrjetesh sociale. Lereni të qetë “ateistin” e darkës së Ramës, kushdo qoftë ai…
Javanews.al