A mund të mbijetojë Shteti Islamik?
Nga Ross Douthat
Rënia e një autokrati çon drejt pushtimit të huaj dhe luftës civile. Një lëvizje revolucionare, me një vizion mesianik grumbullon kapital mbi këtë kaos, për të fituar pushtet. Revolucionarët sundojnë përmes terrorit dhe premtimit të utopisë, si dhe frymëzojnë modele të ngjashme në mbarë botën. Por vendet e tjera imponojnë vendosjen e një karantine, rivalët e brendshëm rifitojnë terren, dhe pavarësisht nga sukseset fillestare, regjimi i ri duket se nuk ka gjasa të mbijetojë – sidomos kur fuqitë e jashtme, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, bashkohen në luftën kundër tij.
Kjo është historia që përkon me Shtetin Islamik, i cili ka sfiduar parashikimet mbi rënien e afërt, duke pushtuar Ramadin në Irak dhe Palmiran në Siri, javën e shkuar. Një “pengesë taktike”, e qujti presidenti Barak Obama këtë zhvillim, dhe ndoshta i tillë është. Mbetet e vështirë të imagjinohet, se i vetëquajturi Kalifat mund të rezistojë gjatë.
Por kjo është ndërkaq, historia e ditëve të hershme të Bashkimit Sovjetik, kur dukej shumë e pabesueshme që një intrigë bolshevikësh të përfundonte me sundimin e Perandorinë Ruse për 70 vitet e ardhshme. Kur regjimi bolshevik ishte rreth moshës që është sot Shteti Islamik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, dhe Britania, mbështetën kundërshtarët e tij bjellogardistë (Rusët e Bardhë) dhe çuar trupa në Rusi; Japonia dhe një Poloni e rilindur, vunë nën presion bolshevikët nga lindja dhe perëndimi;dhe frika e shkaktuar nga Terrori i Kuq, dukej si fuqia kryesore në ruajtjen e atij shteti të dorës së dytë nga shkatërrimi.
Një brez më vonë, ai shtet u bë një superfuqi botërore. Natyrisht, dallimet ndërmjet të dyja situatave, janë të shumta. Bolshevikët kontrollonin qendrat kryesore urbane dhe industriale, ndërsa ISIS-i është në fakt dominant vetëm në brendësi të Irakut dhe Sirisë. Armiqtë e huaj të Bashkimit Sovjetik, u lodhën nga lufta botërore, dhe aftësia e tyre për të projektuar fuqinë ushtarake, ishte shumë më e kufizuar sesa e ka sot Amerika.
Edhe pse gjeopolitikisht e rëndësishme, Rusia në vitin 1919, ishte në periferi të shqetësimeve të menjëhershme të sigurisë për shumë fuqive të mëdha, ndërsa ISIS-i pushton çdo pikë nevralgjike të nxjerrjes apo transportit të naftës dhe vret qytetarët perëndimorë, sa herë që i jepet rasti. Dhe botëkuptimit të Shtetit Islamik, i mungon dukshëm (dhe fatmirësisht) pjesa perëndimore, që dikur brohoriste dhe kishte ndjenjën e momentit historik ndaj marksizëm-leninizmit.
Por shembulli sovjetik, mbetet sërish një kujtesë e dobishme se rënia e ”e pashmangshme” e fanatikëve, nuk është në fakt gjithmonë e tillë. Dhe ofron disa mësime, mbi mënyrën sesi kundër të gjitha gjasave, Shteti Islamik në të vërtetë mund të mbijetojë. Së pari, sepse fuqitë e mëdha lodhen nga lufta dhe hutohen.
Sa e ndryshme është situata jonë sot, nga pasojat e Luftës së Parë Botërore, po aq është e qartë se Shtetet e Bashkuara, do të jenë më të përfshira ushtarakisht kundër ISIS-it, në qoftë se nuk kemi përvojën e fundit zhgënjyese të pushtimit të përgjakshëm të Irakut. Dhe është e lehtë të imagjinohen ngjarjen që ndërhyjnë – një tjetër krizë ekonomike, një konflikt i nxehtë në Ukrainë, politika e lojës me zjarrin me Kinën – të cilat mund të bëjnë që Ramadi, të duket si diçka e largët për interesat amerikane, sikurse Arkangelsku dhe Vladivostoku i dukeshin perëndimorit mesatar në vitin 1919.
Së dyti, për shkak se një regjim lufton për mbijetesën e tij, ka një avantazh mbi një koalicion kundërshtarësh më pak të investuar. Po, Shteti Islamik ka bërë armiq çdo qeveri fqinje. Por kjo do të thotë, që udhëheqësit e tij dhe ushtarët në terren e dinë se ndodhen në një situatë për fitore ose vdekje, e cila krijon stimuj të ngjashëm me ato që ndihmuan sovjetikët, dhe para tyre revolucionarët në Francë, për të shmangur sulmet, ngado që ato vinin.
Së treti, sepse realpolitika mund të ndihmojë edhe më fanatikët, të gjejnë aleatë momentalë. Bolshevikët erdhën në pushtet, pjesërisht për shkak se Gjermania e dërgoi me qëllim Leninin në Shën Petersburg, dhe Berlini kultivoi lidhje të fshehta ushtarake me sovjetikët gjatë gjithë viteve ‘20. Në një mënyrë disi të ngjashme, Shteti Islamik tashmë financohet nga donatorët sunitë nga Arabia Saudite, Kuvajti dhe Katari, dhe për sa kohë që ISIS-i mbetet në luftë me Iranin dhe trupat e përkrahura prej tij, fuqitë sunite nuk do të çrrënjosen pa rezerva.
Natyrisht, në rast se Shteti Islamik mbetet përherë në luftë me ta, bashkëpunimi do të jetë i pamundur. Në një ese bindëse në “The Atlantic” mbi angazhimin teologjik të Shtetit Islamik, Graeme Ëood argumentonte se Kalifati do të “pengohet” nga vizioni i tij apokaliptik, e cila përjashton çdo armëpushim të vërtetë apo pezullimin e xhihadit.
Gjë që mund të jetë e vërtetë;lëvizjet fanatike, shpesh djegin vetveten vetëm për këtë arsye. Por nganjëherë ato gjejnë një mënyrë – ashtu si edhe bolshevikët – për të shkulur ideologjitë e tyre, kur mbijetesa e kërkon këtë gjë, dhe mbështeten tek besnikëritë etnike dhe kombëtare, gjë që Shteti Islamik e ka bërë tashmë.
ISIS-i ka ish-baathistët e Sadam Hyseinit në udhëheqjen e tij ushtarake, ashtu si ushtria e Trockit kishte ish-ushtarakë të carit;ai shfrytëzoi ankesat e sunitëve, ashtu si Stalini u mbështet mbi krenarinë nacionaliste e madje edhe fetare në Luftën e Dytë Botërore.
Nëse kjo mund të prodhojë kompromise të mëtejshme, kjo varet nga lufta për pushtet, që ndoshta tashmë ka filluar, por është ende e padukshme për sytë perëndimore. Dhe ka të ngjarë, se nuk ka asnjë strategji për të ruajtur Kalifatin, veçanërisht në qoftë se presidenti i ardhshëm amerikan, do të angazhohet plotësisht për shkatërrimin e tij. Por ISIS nuk është shembur ende. Dhe sa më gjatë që mbijeton, aq më gjatë mund të ekzistojë.
“New York Times”-Bota.al