A mund të ngjallet ndarja e Kosovës në Tiranë?
Nga:
Për momentin është e vështirë të flitet ose në pak kohët e ardhshme për ndarjen e Kosovës. Ose të gjitha eufemizmat që në thelb kishin ndarjen. Samiti i ditëve të fundit në Berlin i dha një goditje të fortë këtij plani, por ndryshe nga çfarë besohet ende jo idesë. Presidenti kosovar Hashim Thaçi me gjuhën e tij të ngatërruar dhe me prononcimet shumë konfuze më shumë e ngatërroi idenë sesa i dha jetë. Kurse, z. Vuçiç me forcën e tij të gjykimit ndaj korrigjimit, por edhe me atë që besohet të idesë, nuk mundi ta shtynte më shumë. Arsyetimi i këtij të fundit ishte shumë më i pranueshëm para palës serbe lidhur me kufijtë, por jo për partnerët evropianë.
Presidenti serb vazhdon të luajë kartën e viktimës, duke pretenduar se ai është i zgjedhuri i madh me tagrin e vështirë për të zgjidhur një herë e përgjithmonë “nyjën e Kosovës”, në mënyrë që brezat e ardhshëm të serbëve të mund të jetojnë në paqe. Jo rrallë prej tij është artikuluar mendimi pragmatist se është më mirë të fitosh diçka sesa të humbasësh gjithçka. Fjalët e Vuçiç nënkuptojnë se procesi që do t’i japë udhë bisedimeve përfundimtare Kosovë-Serbi do kenë sërish zhvillime.
Nga ana e tij presidenti kosovar në Tiranë (8 Maj 2019) ka treguar lojën, që zakonisht liderat shqiptarë bëjnë ndaj Brukselit, duke përmendur bashkimin por edhe padrejtësitë historike. “Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi, që nga ana e tij në të gjithë procesin është përfolur në Kosovë për mbështetjen e pakët. Në fakt ka edhe një element që e ka prishur planin Vuçiç-Thaçi për kufirin dhe kjo lidhej me përfaqësimin. Serbia ka sistem direkt të zgjedhjes së presidentit ndërsa Kosova është republikë parlamentare, që e bën asimetrik tagrin e dy presidentëve.
Kjo e bëri Vuçiç, që pak muaj më parë gjatë fjalimit të tij në Kosovën e Veriut vërtetë kërkoi pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve, por gjithashtu vlerësoi ish-diktatorin serb Slobodan Millosheviç (!!), duke treguar se ende e ka vështirë të realizojë një fjalim i cili mund të jetë i besueshëm që nga fillimi deri në fund për Perëndimin.
Interesant është se në të gjithë këtë proces roli i kryeministrit Rama dhe mënyra sesi po përdoret njohuria e tij për ndryshimin e kufijve dhe atë që është folur mes Vuçiç dhe Thaçit. Paçka se kryeministri është treguar i matur duket se lidhja është shumë më e thellë dhe në ditët në vazhdim do artikulohet hapur ajo që fshihet nga sytë e të gjithëve dhe që njerëzit ende besojnë se është produkt i treshes Vuçiç-Thaçi-Rama.
Tirana me gjithë investimin e saj për Kosovën nuk e ka forcën të bëj gjëra që lidhen me problematika të Kosovës. Tirana, sot e kësaj dite, nuk i është përmbajtur disa prej propozimeve kryesore të marrëveshjeve ashtu si nuk e ka lehtësuar qasjen ekonomike të Kosovës në Shqipëri. Por, Shqipëria në të ardhmen mund të luajë rol, kuptohet kur të stabilizohet pas kaosit politik, në një formë që të eksportojë problematikën e saj me investimin për marrëveshjen e Kosovës.
Një nga format është negocimi ose ajo që lidhet me marrëveshjen që bëri vite më parë Belgjika dhe Holanda, lidhur me një gadishull të vogël rreth 14 hektarë në lumin Maas në Holandë. Ndryshimi kishte karakter thjesht pragmatik, Belgjika pas drejtimit të lumit Maas gjatë viteve 1960, nuk e menaxhonte dot këtë copëz toke, që ishte bërë një strehë e sigurt për tregtarët e drogës dhe kriminelët. Ndërkohë që Belgjika mori në shkëmbim diçka tjetër. E theksojmë se ishte copëz, kurse të dy vende kanë një marrëdhenie të shkëlqyer.
Në rastin e Kosovës dhe Serbisë flitet për dy zona që janë jetike për të dy vendet. Veriu i Kosovës, pjesa e propozuar, ka fuqi ekonomike prej aseteve për republikën e re, kurse Jugu i Serbisë është i rëndësishëm për Beogradin pasi kalon Korridori 10. Pra, është e lehtë të kuptohet se të dy vendet nuk e kanë inincuar ndarjen, paçka çfarë thonë zyrtarët e tyre. Për më tepër, as Kosova dhe as Serbia nuk drejtohen nga institucione, që mund të bëjnë hapa të mëdha, pasi mungon vullneti i mirë dhe respekti institucional. Tirana thjesht mund të inincojë ndryshime që lehtësojnë vazhdimin e dialogut në këto kushte, ku Serbia bërtet për taksën, ndërsa Kosova për pengimin e saj në të gjitha proceset. Por sa të mundur e ka pala shqiptare në kryeqytet? Në Tiranë mund të flitet për projektet e ardhme mes Kosovës e Serbisë, por vetë Shqipëria është e pafuqishme të flasë për të ardhmen e lidhjeve Kosovë-Serbi, fati i të cilës duket se do të zgjidhet tej Evropës.