A mundet Gjermania ta pajtojë Ballkanin Perëndimor?
Catherine Ashton dhe në pjesën më të madhe u pa si një sukses i diplomacisë së Bashkimit Europian. Megjithatë, një numër befasues vëzhguesish sugjerojnë se realizimi i marrëveshjes i detyrohet në pjesën më të madhe angazhimit gjerman: në 2011, Angela Merkeli i “lexoi aktin rebelues” Presidentit të atëhershëm serb Boris Tadiç, duke paralajmëruar se Serbia do ta rrezikonte perspektivën e saj në Bashkimin Europian, për aq kohë sa marrëdhëniet e saj me Kosovën nuk normalizoheshin. Serbia e kishte zvarritur për vite me radhë çështjen e Kosovës, dhe pavarësisht presionit të Bashkimit Europian, situata dukej e pakalueshme, përderisa asnjë qeveri serbe nuk donte ta shikonte veten si qeveria që kapitulloi lidhur me Kosovën.
Pse ishte kaq e suksesshme ndërhyrja e Merkelit në nxitjen e marrëveshjes që hap rrugën për një pajtim Serbi – Kosovë? Ky artikull sugjeron se efektiviteti i Merkelit në pjesën më të madhe i detyrohet rëndësisë në rritje të Gjermanisë për rajonin, si një partner kyç për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe si një drejtues i integrimit europian. Pajtimi në këtë analizë nënkuptohet në sensin më të gjerë të tij: si një normalizim marrëdhëniesh midis shtetesh dhe shoqërish, në një mënyrë që do t’u mundësonte atyre të kryenin shkëmbime bazike diplomatike, politike dhe sociale. Kjo pikëpamje funksionale e pajtimit nuk fokusohet në dimensionin moral. Një fokus i tillë është zgjedhur kryesisht si rezultat i angazhimit gjerman në Ballkan: ai është më i dukshëm në nivelin shtetëror, ku Gjermania ka luajtur një rol kyç në bashkimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, që eventualisht do të rezultojë në integrim europian.
Gjermania dhe Ballkani
Qysh nga vitet Nëntëdhjetë, Gjermania ka qenë aktori ndërkombëtar më aktiv i angazhuar në ndjekjen e zgjidhjeve politike për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Konfliktet e periudhës 1991 – 1999 në ish-Jugosllavi lanë trashëgimi dhe sfida serioze, thellësisht të ndjera në të gjitha nivelet: ata që qenë përgjegjës duhej të gjykoheshin për krime lufte, ndërsa shoqëritë duhej të përballeshin me riintegrimin e viktimave, refugjatëve, ish të burgosurve dhe veteranëve. Rajonit iu desh që të kalonte një “tranzicion të dyfishtë”, si nga lufta tek paqja, ashtu edhe nga socializmi në demokraci dhe një ekonomi të tregut të lirë. Ish shtetet jugosllave, të nxitur nga korniza e integrimit europian, u desh që të (ri)mësonin se si të bashkëpunonin në nivelin më bazik dhe të arrinin marrëveshje në çështje të tilla si grindjet kufitare dhe marrëveshjet tregtare, si dhe të zhvillonin shtetet pas lufte, nëpërmjet mekanizmave të ndarjes së pushteteve. Gjatë gjithë kësaj historie të vonshme, shpesh u bënë krahasime midis Gjermanisë dhe ish Jugosllavisë, me Gjermaninë të mbajtur si një model pajtimi dhe rindërtimi. Megjithatë, jo vetëm që këto krahasime janë të rrejshëm, por ata edhe errësojnë lidhjet reale të angazhimit gjerman dhe rindërtimin e pajtimin e Ballkanit Perëndimor pas konfliktit.
Gjermania e pasluftës dhe ish Jugosllavia qenë ngushtësisht të lidhura: jo vetëm që gjermanët mirëpritën numra të mëdhenj punëtorësh Gastarbeiter nga ish Jugosllavia, por ish lideri i saj, Josip Broz Tito, kultivoi lidhje të fuqishme me Gjermaninë si pjesë e politikës së jashtme të tij. Kultivimi i marrëdhënieve bilaterale të fuqishme vazhdoi në politikat e jashtme të pothuajse të gjitha shteteve pasuese jugosllave, sidomos të Kroacisë dhe Serbisë nën Kryeministrin Zoran Xhinxhiç (por jo, siç dihet, nën Sllobodan Millosheviçin). Angazhimi gjerman në rajon arriti një moment kritik me njohjen në 1992 të Kroacisë dhe Sllovenisë nga ana e Gjermanisë, një vendim që shkaktoi çarje midis partnerëve ndërkombëtare të saj, por një vendim që u mor në frymën e zgjidhjes së konfliktit. I njëjti arsyetim nënvizonte mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë e Kosovës më pas në vitet nëntëdhjetë, por që u përforcua më tej nga fushata persekutuese e ish Presidentit serb Sllobodan Millosheviç kundër shqiptarëve të Kosovës.
Qysh atëherë, Gjermania ka qenë e përfshirë në të gjitha vendimet dhe proceset e mëdha të konceptuara për të qetësuar zonat e konfliktit ish jugosllav. Shumë iniciativa të tilla u parashikuan si mekanizma pajtimi, edhe pse jo gjithmonë rezultoi të ishte kështu, si për shembull, në rastin e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje, por përgjithësisht u mendua si një dështim politik përderisa përforcoi ndarjet etnike në nivelet e elitave. Gjermania qe anëtare e Grupit të Kontaktit (që përfshinte gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë dhe Rusinë), që monitoroi konfliktet në Jugosllavi, dhe në 1999 mori pjesë në fushatën e NATO-s kundër Serbisë dhe Millosheviçit në Kosovë.
Aktorë të jashtëm dhe pajtimi
Gjermania ka qenë një prej një numri aktorësh ndërkombëtarë që i ka ndihmuar shtetet e mëpasëm jugosllavë që t’u japin fund konflikteve dhe më tej, të rindërtohen dhe pajtohen. Kjo nuk është e pazakontë: pothuajse të gjitha konfliktet bashkëkohore përfshijnë një shkallë të caktuar angazhimi ndërkombëtar ose të jashtëm, qoftë kjo nëpërmjet paqeruajtjes ose, më pas, paqendërtimit. Angazhimi i jashtëm ka qenë shpesh vendimtar në konflikte të ndryshme, veçanërisht ato në Ballkanin Perëndimor, ku elitat e brendshme politike e patën humbur legjitimitetin sapo i futën vendet e tyre në luftë. Aktorët ndërkombëtarë shpesh kanë qenë thelbësorë në ndihmën e tyre për negociimin e traktateve të paqes midis palëve, zakonisht duke i nxjerrë elitat jashtë zonave të konfliktit në “vende të treta”, në mënyrë që ata të mund të ishin më pak të ndikueshëm nga përpjekjet e ndryshme të brendshme për t’i influencuar, apo presionit mediatik.
Në këtë kontekst, Gjermania është aktor i jashtëm jashtëzakonisht i veçantë për Ballkanin Perëndimor: asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk është parë kaq pozitivisht dhe me një koherencë të tillë. Këndvështrimi nga shtetet pasuese jugosllave është se shumica e aktorëve ndërkombëtare vjen me “valixhe”, apo preferojnë që të anësohen: Shtetet e Bashkuara shikohen si “proKosovë”, ndërsa Franca shikohet si “proSerbi” dhe perceptimi për Mbretërinë e Bashkuar është akoma i njollosur me trashëgiminë Tony Blair – Irak. Për t’u habitur, përfshirja e Gjermanisë në goditjet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë në 1999 nuk e redukton popullaritetin e saj si partner, përderisa goditjet ajrore shpesh shikohen si një iniciativë amerikane. Kështu që Gjermania qëndron e pozicionuar në mënyrë unike si një aktor i aftë që të ushtrojë influencë: jo vetëm që shikohet si një partner i paanshëm, por ajo ka manifestuar interesin politik të jashtëm më të fortë në rajon, krahasuar me anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar e ka reduktuar me ngadalë ndihmën e saj për Ballkanin; Shtetet e Bashkuara mbajnë një interes dhe një prani të fuqishme në Kosovë, por e kanë reduktuar interesin e tyre në rajon në tërësi.
Interesi i vazhdueshëm i Gjermanisë në rajon pjesërisht mund t’i atribuohet, e para, një preokupimi politik të brendshëm ndaj emigracionit e refugjatëve dhe, e dyta, konsideratave të politikës së jashtme. Edhe pse nuk ekziston sot asnjë rrezik real për luftë, Gjermania është ende e shqetësuar prej emigracionit potencial në shkallë të gjerë, pjesërisht si rezultat i kushteve ekonomike jo të mira në rajon, Bosnjes e Maqedonië akoma të paqëndrueshme dhe procesit të brishtë të paqes Kosovë – Serbi, i cili shikohet nga diplomatët gjermanë si i suksesshëm, por që ka potencial për shkërmoqje me provokimin më të vogël.
Angazhimi i Gjermanisë në Ballkan shtrihet përtej dy faktorëve të sipërpërmendur. Preokupimi i saj në stabilizimin e rajonit rezulton gjithashtu nga vetë përvoja historike e saj, përderisa “larmitë dhe kompleksitetet e përballjes së Gjermanisë me të kaluarën pasqyrohen në politikën e jashtme të saj”. Një pikëpamje është se Gjermania ka luftuar me reforma dhe ndryshime paslufte të mëdha dhe se tani e ka përvojën dhe mundësinë që të ndihmojë shtete të tjera që përjetojnë sfida të ngjashme. Kjo është komplementare me interesin e saj në projektin më të gjerë e integrimit në Bashkimit Europian. Prej kohësh Gjermania ka qenë një prej pilotëve kyç të integrimit europian, (pavarësisht, siç dihet fort mirë, “duke drejtuar nga pas”) dhe pikëpamja aktuale është derikur Ballkani Perëndimor, sidomos Serbia si vendi i madh në rajon, nuk janë stabilizuar dhe integruar, “nuk ekziston asnjë Europë e tërë dhe e lirë”. Në të vërtetë, pesha e Gjermanisë në Bashkimin Europian njihet nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe kuptohet se perspektivat e integrimit të një vendi në pjesën më të madhe varen nga Gjermania. Aq shumë, sa që të gjitha shtetet kanë kultivuar lidhje të fuqishme me Gjermaninë, përfshi Kosovën. Sipas fjalëve të një ish diplomati amerikan, “ne mund të jemi të huajt e parapëlqyer në qytet, por realiteti është se Bashkimi Europian është e ardhmja dhe Gjermania është lojtari kyç”.
Fundi i pjesës së parë
Në pjesën e dytë (neser) do lexoni: “Integrimi europian si pajtim dhe Gjermania si katalizator për pajtimin e Ballkanit Perëndimor”
SHQIPERUAR NGA ARMIN TIRANA PER www.bota.al