A ndryshoi mendje opozita për çështjen Doshi?

Nga Mero Baze

Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë u kthye sot në një Komision Hetimor, i cili devijoi nga dëgjimi i akuzës për deputetët Doshi e Frroku, në një Komision Hetimor për të gjykuar thellësinë dhe cilësinë e akuzës së ngritur nga Prokuroria.
Devijimi i toleruar nga drejtuesi i Këshillit, duket se vuri në provë qëndrimin real të Partisë Demokratike ndaj çështjes Doshi. Deputeti Arben Ristani, u kthye në një avokat real të dosjes Doshi, shumë herë më i përgatitur dhe efikas sesa dy avokatët që Doshi kishte thirrur në seancë.
Deputetët socialistë, duke respektuar procedurën ndenjën në hije dhe lanë në një farë mënyre zbuluar qëndrimin real të shumicës ndaj çështjes Doshi.I shprehur qartazi në avokatinë e zotit Ristani, avokatia e Partisë Demokratike për çështjen Doshi ishte e thelluar dhe vende vende bindëse, për të shmangur prangosjen e tij. Kjo nuk ka asgjë të keqe, madje ky është qëndrimi i sinqertë dhe i pritshëm për opozitën. Problemi është se përse opozita ka tjetër qëndrim politik për çështjen dhe tjetër qëndrim procedurial.
Në qëndrimin politik të Partisë Demokratike, e shprehur kjo nga zoti Basha dhe Berisha, thuhet qartë që PD-ja nuk do të pengojë kërkesat e Prokurorisë dhe do t’i hapë rrugë gjykimit. Debatet në Këshillin e Mandateve, devijuan në thelb procedurën e këtij këshilli dhe e kthyen atë në një gjykatë politike popullore si dikur këshillat e lagjeve.
Të gjithë duhet të jemi të duruar ta shikojmë ndoshta zotin Doshi të lire, kur të marrë vendimin Gjykata, por kjo nuk vendoset në Këshillin e Mandateve. Këshilli i Mandateve është një hallk proceduriale në procesin e dorëzimit të një deputeti para drejtësisë dhe jo para pushkatimit. Hapja e rrugës për gjykim është në të vërtetë, mënyra më e mirë për të mbrojtur një deputet dhe mbrojtja politike është rruga më e shëmtuar.
Ka apo nuk ka fakte Prokuroria ato do t’i çmoj gjykata dhe do vendos ajo. Këshilli i Mandateve është një institucion që shpreh vullnetin politik, për tu lejuar gjykimi apo për të mos u lejuar gjykimi.
Qëndrimi i zotit Ristani nuk besoj se ishte një ngjallje e instiktit të avokatit për një të dënuar, por ishte qëndrim i sinqertë politik për të mbrojtur zotin Doshi. Unë jam parimisht dakord me të, që opozita të jetë në krah të zotit Doshi. Problemi është se opozita ka tjetër qëndrim publik politik dhe tjetër qëndrim procedurial.
Kjo situatë bëhet dhe më qesharake, po të kemi parasysh se në Kuvend vendosin numrat dhe jo avokatia dhe se dorëzimi i deputetëve para drejtësisë është çështje vullneti politik dhe jo aq procedurial. Për këtë aryse qëndrimi i Ristanit, vlen për të kuptuar se çfarë mendon vërtet realisht opozita për çështjen Doshi dhe jo çfarë do ta gjej zotin Doshi nga ky proces. Zotin Doshi nga ky proces mund të mos e gjej dhe asgjë. Mundet që Gjykata të vendos të hetohet i lirë dhe në fund në gjyqin e themelit t’i fut një gjobë për përhapje paniku. Mundet dhe ta dënojë me burg. Kjo nuk është në dorë të qëndrimit të opozitës.

Opozitës i vlen ky proces për tu identifkuar me Doshin, ose për tu distancuar prej tij. Në rastin konkret unë nuk gjej avokatë më të mirë se Ristani për zotin Doshi. Po t’i shtosh kësaj dhe faktin, që dhe unë e kam pasur disa herë Ristanin avokat në disa gjyqe që i kam humbur, nuk kam shumë shpresa se zoti Doshi i ka punët mirë. Por shoh që opozita i paska punët keq, derisa i duhet të ndryshojë mendje dhe qëndrimin politik ndaj kësaj çështje.

Gazeta "Tema"

 
 

SHKARKO APP