A po mbjell terrorin në shtëpi Europa?
A po mbjell terrorin në shtëpi Europa?
Nga Marjana Doda
Kur lufta filloi, nuk u bë kurrfarë deklarate për shpalljen e saj, dhe kur mbaroi kurrë farë parade për fitoren nuk pati. Kështu do të citonte Gabriel Partos, në librin “Bota që erdhi prej të ftohtit”, një analizë për Luftën e II-të Botërore. Nuk dua të heq një paralele të Luftës së djeshmes me atë të situatës së sotme, pasi kjo meriton një analizë më vete, por citimi i Partos është kambanë e fortë për kaosin në të cilën gjendet bota sot dhe për shumë pikëpyetjet e së nesërmes. Dhe përse? Sërish bota në luftë? “Pranvera Arabe” dhe konflikti në Siri gati sa nuk ndezi luftë botërore. Asad nuk e dorëzon pushtetin, ndërsa disa për ta nënshtruar, disa për të mos e dorëzuar, e të tjerë për ti vënë më shumë flakën rajonit kanë bërë që vendet më të fuqishme të botës të mendojnë se çdo të bëjnë me këtë vend ku u shfaq më e keqja dhe më monstruozja, krime që nuk kanë ndodhur në prehistori, me therje e vrasje u shfaqet ISIS. Kohët e fundit thuajse e gjithë bota thuajse po zien nga kriza e emigrantëve. Lufta që ISIS po u bën pakicave të kalifatit të vetëshpallur, duke përdorur aktet më të padëgjuara, të torturave, dhunës, terrorit ka bërë që mijëra emigrantë, të dynden nëpër dyert e Evropës. Nëpër brigje e dete me dhjetëra të mbytur. Sheh foto me lot fëmijësh që bëjnë xhiron e botës, nëna të trishtuara që mbledhin rreth vetës fëmijët e tyre të rraskapitur e të gjymtuar, sheh çdo gjë, deri në ç’njerëzore. Por përse? Përse nga këto vende që vijnë të ekzistojë skamja dhe lufta? A mundet jeta në to? Sikur të kthehemi në më pak se një shekull në retrospektive shohim se shumë nga këto vende kanë qenë në protektorat apo influenca të vendeve të perëndimore, që gjithsesi deri diku sollën efekte të ndërsjella ekonomike, përzierje kulturore, etj, por që për vetë shkallën e civilizimit të kohës dhe të drejtave dhe lirive që ekzistonin në atë periudhë, nuk flitet për fenomene që do krijonin probleme me rrezik në rajone dhe më gjerë. Vendet kishin pasuri dhe resurse të mira për të jetuar. Pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane dhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore, deri në krijimin e Lidhjes së Kombeve (1920), vendet e Botës Arabe ishin koloni me status mandator apo protektorate, të Mbretërisë Bashkuar të Britanisë së Madhe, Francës, Spanjës e Italisë, vende të tilla si Egjipti, Iraku, Arabia Saudite, Bahraini, Jordania, Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni, Algjeria, Siria, Tunizia, Sudani, Maroku, etj, të cilët dolën nga këto influenca dhe fituan pavarësinë në vite të mëvonshme, si Libani (1920), Egjipti (1922), Iraku (1932), Arabia Saudite (1932) dhe pjesa më e madhe e tyre në vitet ’60-’70 te shekullit të kaluar. Të gjitha vendet arabe mbartin fenomene të ndryshme të së kaluarës si lidhur me kufijtë etnikë, ndasitë fetare të hershme e të sotme. Të cilat kanë krijuar vazhdimisht probleme në rajonet e tyre deri në luftëra. Pa paragjykuar aspak në aspektin fetar, shumica e popullsisë nga këto vende i përkasin besimit islam, mbi parimet e të cilit kanë ndërtuar më së shumti dhe shtetin e tyre, por që vetë drejtuesit kanë devijuar në mësimet e Islamit. Në fenë islame vetë Profeti Muhamed e konsiderojë vetën “rob i Allahut” (Zotit), pra si gjithë të tjerët. Gjithashtu, një ndër pesë shtyllat e Islamit është dhe dhënia e “zekatit” (ndihmës), ku një pjesë e konsiderueshme e pasurisë duhet tu jepet njerëzve të tjerë, kryesisht atyre në nevojë. Por çfarë ndodhi në këto vende? Në të shumtën e tyre nuk prodhuan shtet demokratik dhe të mira materiale në dobi të njerëzve, por prodhuan diktatura dhe mbretëri. Vetëm historia e pak dekadave të fundit tregon se harruan që ishin njerëz të Allahut, si gjithë të tjerët, dhe të qënurit Mbret a i parë e bënin të ndiheshin sikur të ishin Perëndia (Faraonët), se zekati i tyre ishin pasuria dhe qefte e pafund e pamoral (kujtojmë Gedafin, Mubarakun, Sadamin, princa sauditë, sheikë, etj), dhe jo ndihma për vëllezër myslimanë që vuajnë për bukën e gojës. Jo vetëm kaq, por u prodhuan makina shtetërore që të shtypnin me gjak e hekur popullin e tyre, ashtu siç po ndodh në Siri dhe jo vetëm. Dhe gjithë kjo ka bërë që mijëra njerëz nga këto vende të emigronin në vendet perëndimore për një jetë më të mirë. Gjithçka që u prodhua nga këto vende u eksportua në vende të tjera, gjë e cila bëri që të dalë në pah rreziku më i madh që pas Luftës Dytë Botërore, terrorizmi i konsideruar tashmë si “Lufta e Tretë Botërore” po të ketë parasysh dhe kërcënimi me armë bërthamore nga Irani. Në çdo cep të botës filluan shpërthime e kamikazë nëpër avionë e aeroporte, nëpër rrugë e qendra tregtare, në teatro e parqe fëmijësh. Dhe bota po tronditej. Për të mos e parë të keqen nga jashtë, para disa viteve u shfaq “Pranvera Arabe”, ku me të drejtë popujt e këtyre vendeve do të ngriheshin kundra regjimeve të tyre dhe do të ndërtonin shtetin që meritonin, por sërish nuk duket dritë në horizont. Të ndalim pak këtu, pikërisht tek Pranvera Arabe e cila po kthehet në një Dimër të acartë për Europën, ku çdo ditë pret me qindra refugjatë nga këto vende që mbartin mbi vete tmerre lufte. Disa analiste e krahasojnë “Pranverën Arabe”me tranzicionin e vendeve komuniste, ku Ballkani u “kryqëzua “nga luftimet e njëpasnjëshme dhe ne Evropë “lulëzuan” grupet kriminale. Kështu justifikojnë gjakderdhjen në këtë proces të gjatë revolucionar të këtyre shteteve. Gjithsesi, për mua mbetet e pajustifikueshme, ajo ç’farë shikojmë çdo ditë, terror, frikë, dhimbje. Qindra njerëz të vdekur brigjeve të detit ku me të drejtë Presidenti Turk Recep Tayyip Erdoğan , tha se Mesdheu është kthyer në një varrezë të madhe…! E gjendur përballë kësaj tabloje të trishtë, po shoh gjithçka, por jam skeptike se nuk po shikoj asnjë plan strategjik ndërkombëtarë për rivitalizimin e këtyre vendeve , për rimëkëmbjen e ekonomisë së tyre në këtë proces të gjatë të integrimit. E vetmja zgjidhje e Perëndimit është që Evropa të hapë dyert, por deri kur? Dy më të fuqishmit e botës, Obama dhe Putin, megjithëse problemet që kanë mes dy vendeve të tyre, diskutojnë ende çfarë do bëjnë me Asadin që në këto momente beson vetëm Moskën. Por kjo e fundit në arenën ndërkombëtare, shihet me dyshim se çfarë “fshihet”pas interesit të saj në Siri. Në pikëpamjen time, dhe në këtë situatë kaotike, e cila kërkon një zgjidhje emergjente, përfshirja e Rusisë në marrëveshje me Sirinë, nuk do ta zbehte aspak imazhin e perëndimit si protagonistë në ruajtjen e demokracisë dhe të drejtave e lirive themelore. As nuk duhet të shikohet si kërcenim, pasi të dyja janë superfuqi , e të gjendur në mes kësaj dashuri-urrejtje, mbetën komplementarë të njëra-tjetrës në garantimin e paqes në botë. Ashtu siç kanë qenë dhe në momente të tjera më kritike të historisë botërore. Në analizën konkrete mjafton të përmendim se falë marrëveshjes Rus-Amerikane, u evitua një sulm në Siri për shkak të përdorimit të armëve kimike nga kjo e fundit, duke shmangur kështu si të thuash, luftën e tretë Botërore. Por dhe në marrëveshjen e fundit me Iranin, për minimizimin e armëve bërthamore, Rusia pati ndikim me rëndësi ku u përshëndet nga vete Presidenti Obama. Ndërkohë, që liderit botëror, janë skeptikë ndaj njeri-tjetrit, lufta ende vazhdon, ndërsa Merkeli vijon të mbajë hapur dyert e Gjermanisë bujare për emigrantët e drobitur nga lufta dhe uria. Nuk na mbetet gjë tjetër, veç të lutemi që e mira të bëhet një ditë e më parë, megjithëse nuk mund t’i shmangemi pyetjes: Çdo ndodhë nesër? Kthejmë kokën pas dhe vetëm në pesë dekada sheh se sa rrezik është terrorizmi, por në pesë dekadat e ardhshme a do jemi të qetë? Më tremb një thënie e Ministrit Libanez Elias Bousaab në takimin me Kryeministrin Britanik Cameron ku i deklaroi se në çdo 100 emigrantë që po hyjnë në Evropë 2 janë të ISIS, pa llogaritur terroristë të organizatave të tjera terroriste, pra në një farë mënyrë mund të thuhet se “Kali i Trojës’’ tashmë ka hyrë në Europë. Dhe të krijohet një makth. Fëmijë të trembur e gjymtuar nga lufta, nëna me makthe pafund për fëmijët e tyre, burra të trishtuar për familjet e tyre dhe të afërm të vrarë që as vetë se dinë përse, dhe pas tyre ushtarët e zinj të ISIS me thika në duar, ndërsa Evropa me të drejtë hap dyert e shtëpisë së saj. Por pavarësisht gjithë kësaj unë sërish jam ne dileme dhe do të pyes, çfarë do të ndodhë nesër? Për këtë marr shkas thjesht nga ajo çfarë ndodhi me emigrantët në Francë, që për hir të krenarisë së tyre i vunë flakën kryeqytetit që iu jep bukë dhe i strehon, marr shkas thjesht nga ajo që çfarë ndodhi me karikaturat e Profetit Muhamed në një gazete Daneze, ku vala e zemërimit gati sa nuk i vuri flakën Evropës (ndërsa nuk do ndodhte kështu po të bëhej karikaturë e Krishtit në vende arabe). Çfarë do të ndodhë nesër në Berlin, aty ku për mëse 50 vjet pati duel ideologjisë politike, a mund të ndodhë duel multi kulturash, larg qoftë fetare? Nuk e di nëse ndonjë ditë një gjerman a kush do qoftë do të lëndojë me ose pa dashje një mysliman, unë nuk di se çfarë mund të ndodhë pasi në fund të fundit secili ka krenarinë e tij, por është keq kur ndodh në shtëpinë e tij. U shfaq terroristi nazist Andreas Breivik që iu mori jetën 77 bashëkombsave të tij nga urrejtja se hebrenjtë dhe të krishterët po zëvendësohen nga myslimanët, por nëse nesër vriten myslimanë nga njerëz të tillë të pakontrolluar, çfarë mund të ndodhë? Fluksi më i madh i emigrantëve që nga Lufta e II-të Botërore, siç u shpreh Kancelaria Gjermane Merkel, na bën të mendojmë se mos vallë kjo valë po prek zemrën e Evropës që duke i mirëpritur në shtëpi, njëkohsisht mund të cenojë besimin, kulturën dhe identitetin e saj. Vallë a është kjo strategjia e ISIS? A mos është ky fillimi i pushtimit të Evropës? Ata nuk kërkojnë integrimin në Evropë, pavarësisht se më të shumti e tyre thonë se ne nuk jemi për xhihad me thika e armë por për xhihadin e fjalës, atë të propagandës fetare të pranimit në islam, ku çdo mysliman e ka obligim dhe se iu ekziston ideja se feja e tyre duhet të zotërojë gjithë botën. Në këtë trazim botëror më bënte të mendoj se, përtej fobisë së armëve bërthamore dhe problemeve të ndryshme nacionale, mos ndoshta horizonti i Luftës së Tretë Botërore do të ketë sfond fetar me protagonist terrorizmin? Në respekt të Islamit dhe njerëzve të mirë e të denjë të tij, druhem të mos flasë se mes tyre ka njerëz të këqij dhe terroristë, që jo vetëm po prishin imazhin e mirë të fesë tyre por po bëhen rrezik për të tjerët në shtëpitë e tyre. Këtë analizë më duhet ta mbyll me një anekdotë shqiptare. Një ditë dimri një fshatar doli për të prerë dru në mal, diku pa një gjarpër që kishte ngrirë në dëborë. I erdhi keq, e mori e në gji dhe e dërgoi në shtëpi, e afroi pranë zjarrit që të vinte në jetë, pasi u ngroh gjarpri lëvizi, erdhi në jetë, u ndje mirë, por në respekt të instinktit të tij, nuk mundi të bëjë ndryshe, kafshoi të zotin e shtëpisë. Para se të shkruaja këtë analizë jam menduar në mos po gaboj në perceptim, gjithsesi, çdo gjë mbetet për tu gjykuar e vlerësuar. A mos vallë Evropa po mbjell terrorin në shtëpi? |