A rrëzoi Tramp edhe mediat tradicionale?

Një ditë më pas, të shtunën në mesditë, Majkëll Mur, regjisori i famshëm i dokumentarëve politikë, vendosi të testojë mënyrën e funksionimit të këtij sistemi. Me celularin e tij, ai u afrua në protestën kundër Tramp përballë “Tramp Tauer” në Avenunë e 5…

Nga Blendi Fevziu

Donald Tramp është zgjedhur Presidenti i 45 i SHBA, duke hapur një debat jo vetëm për atë se si dhe përse votuan amerikanët, por edhe për atë se si do të jetë bota pas kësaj zgjedhjeje.

Nuk dua të ndalem në debatin se çfarë mund të sjellë Tramp në politikë, çfarë përfaqëson ai dhe si do jetë presidenca e tij në raport me premtimet e bëra.

As me debatin se si arriti një njeri i vetëm që me shumicën e krerëve të partisë kundër, me mediat, me elitën amerikane e madje edhe me përfaqësuesit e bizneseve të mëdha në anën e kundërshtares së tij, të sigurojë votën e amerikanëve. Padyshim që këtu është një sistem i tërë që është rrëzuar dhe Tramp ka një meritë jo të vogël për këtë.

Dua të ndalem vetëm në një aspekt që lidhet me mediat dhe raportin që ato po krijojnë sot me rrjetet sociale.

Tramp ishte i pari kandidat në historinë e zgjedhjeve amerikane që kishte kundër më shumë se 90 % të mediave.

Tramp ishte i pari kandidat në historinë e Amerikës që detyroi pjesën më të madhe të gazetave dhe revistave amerikane që t’ju bëjnë thirrje hapur lexuesve të tyre të votojnë kundër tij.

Tramp ishte i pari kandidat në historinë e Amerikës që pati thuajse kundër gjithë figurat e mëdha mediatike dhe jo vetëm. Elita e ekraneve dhe gazetave u deklarua kundër tij, duke krijuar përshtypjen se me të s’kishte mbetur më askush.

Dhe Tramp fitoi.

Në një analizë që BBC bënte në fundjavë, nënvizohej fakti që sistemi analitik i Facebook, deklaronte se më shumë se sa shkrimet e mediave kryesore kundër Tramp ishin lexuar postimet dhe statuset e zakonshme pro tij. Se lajmet disa herë false dhe të ekzaltuara pro kandidatit kishin qenë më të preferuara se sa analizat e komentatorëve më të mirë të Amerikës.

Pra, statuset e thjeshta dhe postimet pa ndonjë emër të madh kishin dominuar mbi mediat tradicionale dhe shumë serioze amerikane.

Zukenberg u shfaq edhe vetë në një takim të premten e shkuar për të sqaruar se ky është një sistem që nuk mund të kontrollohet, është një platformë lirie, që ka nevojë për përmirësime, por që funksionon si e tillë. Ai ju përgjigj në këtë mënyrë akuzave se indirekt kishte ndihmuar Trampin dhe qëndrimi i tij është i vërtetë.

Një ditë më pas, të shtunën në mesditë, Majkëll Mur, regjisori i famshëm i dokumentarëve politikë, vendosi të testojë mënyrën e funksionimit të këtij sistemi. Me celularin e tij, ai u afrua në protestën kundër Tramp përballë “Tramp Tauer” në Avenunë e 5.

Mur transmetoi për 1 orë e 26 minuta live në Facebook, në aplikimin Facebook Live, gjithçka që ndodhte aty. Ai u bë vetë protagonist, duke tentuar të hynte dhe të takonte pa sukses Presidentin e zgjedhur. Më pas, foli me qytetarë që kishin votuar pro apo kundër Trampit.

Sipas CNN, transmetimi i tij ishte ndjekur në Facebook nga 1.7 milionë njerëz, që është një rekord. Pa llogaritur që ai u ripostua nga shumë media të mëdha.

A janë këto dy shembuj të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se ka ndryshuar raporti mediatik në botë dhe se mediat tradicionale janë sot nën një trysni tjetër, nën atë të rrjeteve sociale?

Besoj se po. Megjithëse rasti “Tramp”, është vetëm fillimi për të parë se ku do shkojë ky revolucion dhe sa gjëra do të ndryshojë ai.

Blendi Fevziu

/Opinion.al

SHKARKO APP