A spiunojnë ofruesit gjermanë të internetit për shërbimet e fshehta?

Pas zbulimit më të fundit të Yahoo-së, pyetja që shtrohet sërish është: kush janë të gjithë ata që lexojnë komunikimin tonë digjital?

Fshehtas, gjigandi i internetit Yahoo besohet se vitin e kaluar ka spiunuar e-mailet e qindra milionë përdoruesve. Të paktën kështu pohojnë ish-bashkëpunëtorë të koncernit. Sipas këtyre informacioneve, në vitin 2015 Yahoo mori një urdhër sekret nga shërbimi i fshehtë i SHBA për t’i kontrolluar në kohë reale të gjitha emailet që hyjnë në llogaritë e klientëve të tij. Sipas ish-bashkëpunëtorëve, urdhri erdhi ose nga shërbimi i fshehtë amerikan NSA ose nga policia federale e SHBA, FBI.

Rasti i parë i këtij lloji që bëhet i njohur

Për ta respektuar këtë kërkesë, Yahoo programoi një program kompjuterik të veçantë, i cili që prej prillit i kontrollon të gjitha emailet që hyjnë për një varg shenjash të caktuara, bën të ditur gazeta “Washington Post”. Ky do të ishte konfirmimi i parë nga kjo degë për kontrollimin e përgjithshëm dhe mbikqyrjen e informacioneve në kohë reale – i kryer nga një ofrues shërbimesh interneti vetë, jo nga një autoritet i SHBA. I pyetur, Yahoo bëri të ditur vetëm se u përmbahet ligjeve të SHBA.

Kërkesa të institucioneve të ndryshme të SHBA

Në raportin për transparencën në vitin 2015, Yahoo nuk flet për bashkëpunimin me shërbimin e fshehtë të SHBA. Në këtë raport, koncerni përmend kërkesa të institucioneve të ndryshme në SHBA, që kanë urdhëruar mbikqyrjen e emaileve. Sipas kësaj, të prekura kanë qenë 39.000 llogari emaili.

“Që koncernet e SHBA përcjellin të dhëna, këtë ne e dimë që prej zbulimeve të Snowdenit. Rasti Yahoo tingëllon ngjashëm”, thotë aktivisti politik në rrjet dhe gazetari Markus Beckedahl për DW. “Google dhe të gjithë ofruesit e tjerë kundërshtojnë se ka procedura të tilla si atëherë, por nëse kjo është e vërtetë, është e diskutueshme.”

Google, Microsoft dhe Apple distancohen

“Ne nuk kemi marrë kurrë kërkesa të tilla – dhe po të kishte ndodhur kjo, ne nuk do të qemë përgjigjur në asnjë mënyrë”, thotë një zëdhënës i Google. Edhe Apple i tha Washington Post-it se nuk ka marrë kurrë kërkesa për të zhvilluar një program spiunazhi vetjak. Microsoft bëri të ditur se koncerni nuk ka marrë kurrë kërkesa për të kontrolluar fshehtas komunikimin me email.

Mbrojtje nga spiunimi i emaileve

Po si mund të mbrohen përdoruesit nga kjo lloj mbikqyrjeje? Gazetari Beckedahl thotë se në Gjermani nuk njihet një kontroll i tillë në kohë reale. “Ka me të vërtetë instanca mbikqyrjeje, të cilat ofruesit e internetit i përgatisin për Shërbimin Informativ Gjerman (BND), e ashtuquajtura SINA-Box.” SINA – Box është një hardware dhe software kompjuteri, e cila është zhvilluar nga Zyra Federale për Sigurinë dhe Teknikën e Informacionit për përpunimin e materialeve me të dhëna delikate në rrjete të pasigurta. Ky sistem synon të sigurojë komunikimin midis sipërmarrjeve dhe autoriteteve. “Se çfarë ruhet atje dhe jo, këtë përdoruesit nuk mund ta ndikojnë”, thotë Beckedahl. Ligji i ri i Shërbimit Informativ Gjerman lejon që në të ardhmen të përgjohen edhe lidhjet e internetit, dhe të dhënat të ruhen për gjashtë muaj, në vend të tri muajve. Një mbrojtje e sigurtë nga kontrolluesit e fshehtë mbetet gjithsesi kodimi i emaileve. Kodimi ndihmon që përmbajtjet e emaileve të mos kuptohen nga autoritetet.

SHKARKO APP