A u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi?!

Nga Marjana Doda

Përveçse ca lajmeve mediatike, askush nuk kuptoi dhe nuk mësoi se si u zhvilluan dhe si u fituan zgjedhjet në një vend që çuditërisht dhe pse i vogël shërben si një “mollë sherri” mes Lindjes (nënkupto Serbi-Rusi) dhe Perëndimit (NATO- BE), ndërsa shtetet që kanë pakicat në ‘të, as që ndihen sikur të mos ekzistonin.

Një shtet, me një sipërfaqe prej 1812 km2 dhe një popullsie prej rreth 640 000 banorë, që kufizohet nga një det (Adriatik) dhe 5 shtete (Kroacia, Bosnja -Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Shqipëria), ka rreth një çerek shekulli që nuk kuptohet nëse është një vend monopartiak, monokratik apo demokratik.

Rasti i Malit të Zi mund të jetë rast i rrallë i vendeve me demokraci që zgjedhjet për 25 vjet i fiton vetëm një parti politike dhe gjithçka lidhet me një njeri, Milo Gjukanoviç. Një ish- basketbollist nga qyteti i Nikshiçit, një student turizmi, i cili e filloi karrierën në Partinë Komuniste të ish-Jugosllavë në moshën 26- vjeçare, në kohën e shembjes së Murit Berlinit, ku ishte një mbështetës i kasapit të Ballkanit, i Sllobodan Millosheviç, por që më pas çuditërisht në saj të mjeshtërisë së tij, karizmës, egos dhe pragmatizmit të tij, ka arritur që për mëse 25 vjet të drejtojë vendin e tij. Drejton Partinë Demokratike Socialiste që nga viti 1990, vit në të cilin korri fitoren e parë me 83 deputetë, nga 125 që kishte gjithsej Parlamenti i Podgoricës, duke u zgjedhur Kryeministër në një moshë fare të re.

Ndoshta në sajë të hobit të rinisë si basketbollist, ai diti të “triblojë” bukur për veten dhe Partinë e tij për një kohë relativisht të gjatë. Në vitin 1997 shkëputet nga Serbia e Millosheviçit duke hapur dyert më 1999 për kosovarët e shpërngulur nga lufta, e duke përcjellë kështu mesazhe afrimi me Perëndimin, ku më pas siguron pavarësinë e Malit të Zi, më 21Maj 2006. Ai vazhdon rrugën drejt këtij orientimi duke aspiruar për anëtarësim në BE, ndërsa në dhjetor 2015 merr ftesën zyrtare të aderimit në NATO.

Por jo vetëm kaq. Gjukanoviç ndoqi dhe politikën e dyerve të hapura duke krijuar hapësira për një ekspansion të investimeve ruse, zhvillim të turizmit rus, të mediave ruse etj. Por kur Mali i Zi mori kandidaturën për në BE dhe ftesën për në NATO, Moska shprehu shqetësim për këtë orientim të hapur perëndimor të tij, pa përfillur gjithçka ishte investuar nga Rusia, pa kujtuar rrënjët historike. Në zgjedhjet e 16 Tetorit, drejtuesi I një vendi të vogël luajti sërish me kartën e gjeopolitikës së madhe. Përveçse përdorimit të makinës shtetërore për mëse 25 vjet, ai doli hapur kundra opozitës duke e akuzuar atë si serbe dhe pro ruse që janë kundra aderimit në NATO.

Ai do deklaronte: “…Ne nuk po votojmë thjesht për zgjedhjen e një qeverie, ne po zgjedhim një mënyrë të jetuari. A duam valle një Mal të Zi europian, të stabilizuar dhe të begate që është mik dhe partnerë me vendet e zhvilluara europiane e botërore apo një vend peng i zmbrapsjes, intolerancës dhe mungesës së shpresës? Duam të jemi pjesë e një shoqërie europiane apo një kaloni ruse në Ballkan…”. Zgjedhjet e 16 tetorit sërish provuan fitoren e Milo Gjukanoviç, por gjithashtu një bilanc tejet zhgënjyes të subjekteve politike që morën pjesë në të, ku përveçse opozitës malazeze, më zhgënjyese mund të thuhet se janë dhe për faktorin shqiptar. Në Parlamentin prej 81 vendesh, Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviç mori 36 mandate, proserbët e Frontit Demokratik 18 mandate, Demokratët 9 mandate, Partia Social- Demokrate 4 mandate, Partia e Boshnjakëve 2 mandate, Partia Kroate 1mandat dhe Partia e shqiptarëve 1 mandat.

Gjukanoviç për opozitën gjeti fare mirë dhe “armikun” duke arrestuar 20 serbë me në krye ish- komandantin e xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç, aktualisht kryetari i Frontit Demokratik Serb, i cili sipas policisë malazeze u konsiderua si një organizatë terroriste që kishte planifikuar të sulmonte institucionet shtetërore dhe vetë Gjukanoviç, ndërkohë që, kryeministri serb, Vuçiç e mohoi një gjë të tillë.

Dhe pse flitet për shumë parregullsi në zgjedhje, Drejtor CEMI-it, Zlatko Vujoviç tha se: “…Është tepër herët të flitet për rregullsitë ose jo të procesit zgjedhur. Për këtë do flasim kur të kemi të gjitha informacionet…”. Fronti Demokratik Kljuc (Çelësi), Demokratët dhe Partia Social-Demokrate kanë marrë vendim për mosnjohjen e zgjedhjeve duke i konsideruar si më të parregulltat në 10 vitet e fundit, ndërsa delegacioni i vëzhguesve të OSBE-së nuk i vë nota negative procesit ku përmes një deklarate të përbashkët DASH- NATO- BE shprehen se,”qytetarët kanë votuar të qetë dhe në rregull, brenda kornizës ligjore të reformuar”.

Me të humburit e këtyre zgjedhjeve duket se dolën shqiptarët e Malit të Zi, që për nga numri i popullsisë, në rast se do ishin të unifikuar, do të mund të merrnin 5 mandate, ndërkohë që morën vetëm 1mandat. Në Mal të Zi ka 8 parti shqiptare për 20 .000 votues që dolën në zgjedhje për 3 koalicione me tre lista zgjedhjesh. Ndër faktorët që ndikuan në rezultatin zhgënjyes të shqiptarëve janë, diskriminimi, asimilimi, pasiguria, gjendja jo e mirë social -ekonomike që votën e shitën për një shpërblim të rëndomtë material, se nuk janë të unifikuar dhe janë të manipuluar. Ata janë në favor të konsolidimit të shtetit dhe kanë orientim perëndimor të deklaruar aq shumë dhe nga Gjukaniviç.

Veç kësaj shqiptarët e Malit të Zi ndihen të braktisur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Prishtina e prirur më shumë për problemet e saj të brendshme dhe njohjes ndërkombëtare, por kohët e fundit po pretendon dhe probleme demarkacioni, ku pretendon se ka humbur rreth 8899.2 ha tokë në kufirin me Malin e Zi. Ndërsa Tirana zyrtare vetëkënaqet thjesht nga deklaratat e integrimit dhe notat pozitive që kërkon të marrë nga Brukseli,pa treguar interes të veçantë për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, kryesisht dhe atyre në Mal të Zi që ndihen të diskriminuar e të përçarë.

Në aspektin politik tashmë për shqiptarët në Mal të Zi duket sikur nuk ka më rëndësi koalicioni i Gjukanoviç. Ata dolën të humbur në këto zgjedhje dhe tek humbësit, humb dhe shpresa për të ardhmen, ndaj për ta të krijohet ideja sikur nuk u angazhuan dhe nuk kuptuan nëse vërtetë u zhvilluan zgjedhje. Ndërsa nga ana tjetër duken si të harruar pasi Tirana dhe Prishtina nuk u prononcuan në mbrojtjen e të drejtave të tyre, të cilët pretendojnë për më shumë përkrahje politike dhe ura  zhvillimi të ndryshme ekonomike në kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

 

SHKARKO APP