ABC-ja e shtetit ligjor
Nga Vladimir Lulaja
Parlamenti i Shqipërisë, i emërtuar si ‘Kuvendi Popullor’, de jure është unik, ndaj si i tillë nuk mund të ndahet në ‘mish-mash’, në pozitë dhe opozitë politike, siç ‘dërdëllisin’ dhe pozicionohen çdo ditë‘aktorët’ blu dhe rozë, të vendosur brenda destruktivitetit të pandryshuar partiak dhe gjithmonë në karshillëk me brendinë ligjore të Shtetit. Gabohet rëndë, ose konceptualisht është një ‘politikëbërës qorr’ çdo lider partiak kur i “ndan” deputetët e popullit në ‘minorancë dhe maxhorancë’ partiake; sepse të gjithë deputetët janë thjesht vetëm përfaqësues elektoralë të Kombit Shqiptar, anëtarë të Shtetit Ligjor dhe mbrojtës të vendosur të interesit strategjik, ose të përgjithshëm të shoqërisë civile; e cila i ka votëbesuar dhe mandatuar për të qenë deputetë të ‘paepur’ të popullit dhe jo ‘bizhdila dhe ushtarë të verbër partiakë’, siç sillen pa pikë turpi. Klasa e sotme politike shqiptare nuk kupton ‘abc’ e shtetit ligjor, nuk di raportet funksionale dhe marrëdhëniet e kushtëzuara që duhet të ketë në shërbim të ideologjisë kombëtare dhe strategjisë imediate dhe perspektive të Shtetit Ligjor të Shqipërisë.
Pushteti politik berishian, pa asnjë oponencë formale brenda vedit; ndonëse bazë verdiktit elektoral të popullit shqiptar ka kaluar në minorancë, ndaj i takon të interpretojë rolin e rëndësishëm të ‘qeverisë hije’, duke parashtruar në Kuvendin Popullor ‘prova dhe fakte të pakontestueshme’ lidhur me ‘keq-qeverisjen’, ose apatinë sipas tyre të Qeverisë Rama, nuk po ushtron rolin e opozitës konstruktive; nuk po respekton vullnetin e Popullit, por ‘del dhe hyn’, braktis dhe rikthehet në Parlament pa dhënë asnjëherë llogari për ‘dezertimin’ dhe destruktivitetin e deputetëve partiakë.
“Trimat” berishianë dhe ediramë janë gati të bëhen ‘fli’ për udhëheqësit që i kanë futur brenda listës së deputetëve partiakë; por s’bëjnë asgjë për të treguar se janë në lartësinë e ndërgjegjes kombëtare dhe çastit të favorshëm historik. Në vend të ‘shtrëngojnë radhët’ si deputetë të popullit, në vend të mbrojnë interesin e përgjithshëm dhe të përbashkët kombëtar, ‘rreptazi dhe prerazi’ ndahen në reparte parlamentare partiakë, ku njëra palë i bie vetëm ‘gozhdës’, kurse tjetra vetëm ‘patkoit’ politik… Ish-ministri partiak i drejtësisë, z. Eduard Halimi, në emër dhe për llogari të berishizmit permaent, ndonëse pranon se sistemi gjyqësor ka problematika të mprehta, që lypsen riparuar me kujdes, mbron stafin ekzistues të gjyqtarëve të emëruar sipas interesave klienteliste të PD. Pra, sipas Tij, kot e paska rrëzuar pushtetin e përkohshëm politik berishian vota vendimtare e popullit. Njëmilionë zgjedhës i thanë berishizmit: ‘dil dhe reformohu duke qenë minorancë…’. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka ‘background’ ose ndikime politike berishiane në administrimin e drejtësisë. Nuk mund të ketë standarte europiane në sistemin e drejtësisë deri sa, sipas raportit të GRECO (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit), “Gjyqësori shqiptar është duke vuajtur nga niveli i ulët i besimit të publikut”. Besimi rivendoset duke bërë reforma mbase edhe me karakter radikal, në pikëpamje të ndryshimit të konceptit se si duhet të organizohet dhe funksionojë administrimi i drejtësisë.
Shpesh flitet për KLD, d.m.th Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke e konsideruar këtë institucion të pushtetit të pavarur shtetëror gjyqësor si gjoja ‘qeveri e sistemit gjyqësor’; vendimet e të cilit pastaj mund të ankimohen në Gjykatën e Lartë. Pra KLD na qenka një institucion ekzekutiv gjyqësor që kontrollohet nga kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë.
Lind pyetja ftilluese: “Si mundet të jetë procedurialisht më lart një kolegj administrativ i Gjykatës së Lartë nga KLD, ku bëjnë pjesë Presidenti i Republikës, Ministri i Drejtësisë dhe vetë kryetari i Gjykatës së Lartë?”. Kryetarin e Shtetit e zgjedh Parlamenti i Shqipërisë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë i përzgjedh, propozon dhe emëron Presidenti; kryetarin e Gjykatës së Lartë e miraton Kuvendi Popullor dhe e emëron Presidenti. Atëherë?, si mund të jetë një kolegj administrativ i nivelit të tretë të gjykimit sipër vendim-marrjes që bën KLD? Ky institucion specifik i rangut kombëtar, që përfshin brenda vedit përfaqësues të tre pushteteve të pavarur shtetërorë, nuk ka përse të jetë i diskutueshëm lidhur me vendimet ekzekutive që merr kundrejt anëtarëve të vetë këtij këshilli. Mendoj se Shteti Ligjor s’duhet të ketë ‘divergjenca dhe përplasje të brendshme institucionale’ për të diskutuar mbi heqjen, ose mos-heqjen e një anëtari të KLD.
KLD nuk është tribunal gjyqësor dhe as të jep imunitet dhe ‘mburojë’ përballë akuzave të pavërteta, të montuara, të aluduara, ose të ‘parafabrikuara’ nga klane dhe interesa të posaçme politike. Padrejtësia luftohet dhe mundet nga pastërtia dhe morali i lartë i integritetit qytetar. Mbase ka ardhur koha që Prokurori i Përgjithshëm të jetë anëtar, kurse kryetari i Gjykatës Kushtetuese të përfshihet brenda panelit të KLD, duke mbajtur pozicionin ‘vakant’ të nënkryetarit të këtij institucioni të pavarur ligjor. Kësisoj KLD do merrte përmasat e një institucioni të pavarur shtetëror kombëtar, që do të kishte tagër vendimarrëse të padiskutueshme, ose të pagoditëshme pranë Gjykatës së Lartë, siç procedohet gjer më sot. Vendimet e KLD të kundërshtohen, ose të jenë objekt gjykimi, vetëm pranë Gjykatës së Strazburgut në Francë..
Të gjithë ‘heshturazi’ jemi dëshmitarë të faktit tragji-komik se deputetët ‘e verbër’ politikë grinden vetëm për interesat pragmatiste të partive destruktive; sepse e ndjejnë veten “shtet” të pakufizuar brenda shtetit të kufizuar e munguar ligjor. ‘Kupolat’ partiake blu dhe rozë pozitën e deleguar të pushtete të përkohshëm politikë prej kohësh e përdorin si ‘armë’ legale për të asgjësuar, ose dobësuar themelet e brishta të shtetit kombëtar. Dihet fakti i “çmendur” se qeverisja jollogaridhënëse berishiane, mbështetur nga deputetët e saj ‘kukulla’, firmosi marrëveshjen për t’i ‘dhuruar’ 350 km katror hapësirë detare qeverisë së Republikës së Greqisë; ku gjenden burime hidrokarbure me vlerë qindramiliardë euro. Gjykata Kushtetuese pati kurajon patriotike dhe ligjore për të anuluar këtë marrëveshje antikushtetuse dhe kombëtare të pushtetit të përkohshëm politik berishian. Pas marrjes së postit vakant të kryeministrit, Juve, z. Edi Rama, kryetar i partisë rozë, megjithëse jeni deklaruar qartazi publikisht dhe keni kryer veprimtari politike të vendosur kundër kësaj marrëveshje antikombëtare; madje disa herë në Parlament jeni ‘gricur’ me indicet personale të ish kryeministrit ende të pakufizuar ‘pro grek’, z. Sali Berisha, akoma nuk e keni përmbushur misionin e kryeliderit kombëtar, për të zbatuar në praktikë kërkesat e raportit të GRECO për çështje të tilla si: “Parandalimi i korrupsionit në lidhje me anëtarët e parlamentit, gjykatësit e prokurorët.”.
Ka ardhur koha që ‘skifterët e lodhur blu’ të shplodhen të ulur mbi themelin e interesave kombëtare dhe të mos e kthejnë Kuvendin Popullor në ‘arenë permanente të luftës politike’ për të mbrojtur ‘laraskat’ llafazane, që vazhdimisht bëjnë ‘glasa’ dhe pastrojnë ‘pleshtat’ e tyre mbi ‘qymezin’ e shtetit të pambrojtur ligjor, përballë egocentrizmit të pakufizuar destruktiv të ‘neodiktatorëve’ ose të ‘liderëve –shtetformues partiakë’… Ka ardhur momenti oportun që Shteti Ligjor t’i japë komanda dhe detyra të qarta për zbatim Institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës; i cili nuk duhet të justifikohet dhe as të mbrohet pas ‘koperturës’ virtuale të pavarësisë institucionale. Ky institucion, aktualisht ‘flegmatik’, zyrtarisht dhe legalisht duhet vendosur nën vartësinë e pushtetit të pavarur ekzekutiv qëndror, që procedurialisht përfaqson në çdo akuzë penale. Nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kurajon për të shpallur ‘nën hetim’ ish qeveritarët destruktivë Berisha dhe Basha, për shkak se ata kanë inspiruar dhe firmosur me Greqinë një marrëveshje detare, (që thelbësisht bie ndesh me interesat tona kombëtare, ndaj Gjykata jonë Kushtetuese e ka shpallur absolutisht të pavlefshme dhe antikushtetuese;) atëhere patjetër, madje urgjentisht, duhet iniciuar shkarkimi i tij nga kjo detyrë strategjike.
Historikisht, as ish mbreti frikacak dhe ikacak Ahmet Zogu, që u ‘dhuroi’qarqeve të Serbisë Shën Naunin, nuk ka firmosur ndonjë marrëveshje antikombëtare për dorëzimin, apo “faljen” e 350 km2 hapësirë detare shtetit Helen. Prokurori i Përgjithshëm duhet inkurajuar dhe mbështetur nga institucionet strategjike te Shtetit Shqiptar për të ushtruar ndjekje penale kundër politikanëve destruktive dhe keqbërës ndaj interesave tona kombëtare; si dhe për të zbatuar në praktikë kërkesat e raportit të GRECO për çështje të tilla si: “Parandalimi i korrupsionit në lidhje me anëtarët e parlamentit, gjykatësit e prokurorët.”. Nëse kryetari i nderuar i Shtetit Shqiptar ndjen se nuk disponon tërë mjetet e mjaftueshme ligjore dhe proceduriale për t’u ngritur dhe vendosur mbi sherret bajate të pushteteve të përkohshëm partiakë; duhet t’i drejtohet ndërgjegjes elektorale të shoqërisë sonë civile; sepse, duhet kuptuar pa vonesë, zgjidhja qëndron te forcimi i rolit të Presidentit të Shqipërisë nëpërmjet zgjedhjes së Tij drejtpërsëdrejti nga Populli.
Jemi mjaft të shqetësuar për shkak se ende nuk ka marrë përgjigje konkrete pyetja ftilluese: “Kush do t’i mbrojë në mënyrë të vendosur interesat strategjike të Shtetit tonë Juridik? Pse ende nuk ka vullnet politik dhe shtetëror për të dënuar shumë ashpër veprimet dhe mosveprimet destruktive të ish qeveritarëve berishianë…?.”. Deputetët nuk janë ‘çeta politike’, ose ‘prona personale’ e kryetarit rastësor, që përkohësisht drejton partinë. Ka ardhur çasti oportun që Parlamenti t’i kthehet Popullit dhe të shndrrohet në pushtet shtetëror kryesues, që kontrollon dhe udhëheq pushtetin ekzekutiv qendror dhe atë gjyqësor, duke dhënë llogari e mbajtur përgjegjësi përpara Shtetit Ligjor. Populli Shqiptar, të paktën edhe për dy vjet rresht, shpreson dhe beson te udhëheqësi pragmatist kryesor i kombit, ose kryeministri i respektuar dhe kurajoz, z. Edi Rama; i cili nuk duhet të bëjë rolin e heroit partiak, por, duke ecur nëpër rrugën e mundimshme të progresit dhe menduar për piedestalin e përjetshëm të memories historike…; të sillet me devotshmëri, plot dinjitet dhe modesti ligjore si “trimi i mirë me shokë shumë”; si ‘kryeshërbëtor’ i Popullit dhe shtetit tonë juridik, ose sipas motos politike kombëtare: “Përtej të majtës dhe të djathtës”…