Adriatik Llalla para gjyqit penal
Një person i dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje- fitues i një tenderi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një instruktor hipizmi i përdorur si ndërmjetës për blerje tokash janë personazhet që lidhin bashkë një zinxhir transaksionesh financiare, që i mundësuan ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të dhjetëfishojë pasurinë e tij.
Ky rreth i vogël ortakësh kontroversë hyri në biznes me ish-kreun e Prokurorisë duke i shitur toka të lakmueshme në periferi të Tiranës me çmime disa herë nën vlerën e tregut ose duke ia blerë ato me çmime reale; skemë kjo që i mundësoi Llallës të transformojë investimin e tij prej vetëm 16.3 milionë lekësh në një kapital të vyer me vlerë afro 1 milion euro.
Transaksionet multimilionëshe, që si burim kryesor kanë shitjen e një toke në kushtet e dyshimta të konfliktit të interesit janë bërë objekt i një procedimi penal të regjistruar kundër Llallës: i pari i këtij lloji në Shqipëri ku një Prokuror i Përgjithshëm dyshohet për pastrim parash.
Procedimi i regjistruar më 15 mars nga Prokuroria e Durrësit po e heton gjithashtu Llallën për veprat penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”, “mosdeklarimit të shumës së të hollave në kufi” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
I ngjitur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme prej vitit 2012, Adriatik Llalla e mbylli karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si i vetmi zyrtar shqiptar i shpallur publikisht dhe familjarisht “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit me argumentin e përfshirjes “në mënyrë domethënëse në korrupsion”.
Deklarata publike e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson erdhi pak ditë pasi ish-kryeprokurori hoqi dorë nga e drejta për të qëndruar në sistemin e drejtësisë; dorëheqje e cila solli edhe ndërprerjen [përkohësisht] të procesit të vetingut për të.
I gjendur në qendër të akuzave për pastrim parash dhe shpërdorim detyre, Llalla i tha BIRN se “ndjehej i qetë, i pastër me veten dhe se nuk e shqetësonte asgjë”.
Ai i hodhi poshtë akuzat për pasurinë e tij dhe pohoi se blerjet e tokave ishin bërë në përputhje me ligjin dhe në ndjekje të dëshirës së tij për të krijuar një lloj trashëgimie familjare mbi gjurmët e pasionit të të atit si agronom.
“Pasuritë e mia janë tërësisht të ligjshme, të deklaruara në institucionet përkatëse, për të cilat janë paguar edhe taksat përkatëse..,” tha Llalla në një intervistë për BIRN.
“Nuk shoh asnjë problematikë në këtë drejtim. Nuk ka asgjë për të cilën unë të jem i shqetësuar apo dhe i frikësuar,” shtoi ai, duke iu referuar hetimit të tij.
Tregti e dyfishtë
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizimit të deklaratave të pasurisë dhe gjashtë kontratave noteriale të blerjes së pronave tregojnë se Adriatik Llalla u bë pronar i më shumë se 25 mijë metrave katrorë tokë gjatë viteve 2007-2017, duke paguar për to një çmim total prej 16.3 milionë lekësh.
Tokat, të cilat shtrihen përballë qendrës tregtare TEG në Mjull Bathore dhe pranë një resorti të njohur në fshatin Qeha Shytaj në Tiranë i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit nga Llalla vetëm pak kohë pas blerjes së secilës prej tyre, duke e rritur automatikisht vlerën e tyre në 119.7 milionë lekë në total.
Burimi i deklaruar i pasurisë për blerjen e tyre është një borxh prej 1.5 milionë lekësh nga kunati në vitin 2007 dhe shitja e një sipërfaqeje prej 3 mijë metrash katrorë në Mjull Bathore për 249 mijë euro.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kjo parcelë toke i është blerë një personi me precedentë penalë dhe i është shitur një biznesmeni të njohur në Tiranë, të cilin e lidh me kryeprokurorin Llalla një histori e mëparshme prokurimi publik.
Biznesi i Adriatik Llallës me tokat nis më 9 janar 2007, në kohën kur ai mbante postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës dhe përfshin blerjen e një sipërfaqeje toke prej 3 mijë metrash katrorë ullishte në Mjull Bathore. Çmimi i deklaruar i blerjes është 1.5 milionë lekë të reja dhe burimi i tyre, sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2008 është një borxh i marrë te kunati.
Sipas kontratës noteriale të cilën BIRN e disponon, Llalla ia bleu këtë tokë Eduart [Edison] Dushkut-një personazhi të njohur në zonën e Saukut dhe me një skedë të larmishme kriminale, mes të cilave edhe një dënim për vrasje. Dushku, i cili zotëronte edhe një linjë urbanësh në Sauk u arrestua për herën e disatë nga policia në 1 mars 2018, pasi u kap me një arsenal armësh dhe në thyerje të masës së “arrestit shtëpiak” për një krim të mëparshëm.
Katër vjet pasi ia bleu tokën Dushkut për 1.5 milionë lekë, Llalla e rivlerëson atë në 21 milionë lekë ose 14 herë më të lartë se çmimi i blerjes. Çmimi në treg i pronës rezultoi të ishte megjithatë edhe më i lartë se ai i referencës, çka i siguroi atij një portofol të pasur parash për transaksionet e mëvonshme në pasuri të paluajtshme.
Më 4 qershor 2016, Llalla hyn në marrëdhënie biznesi me kompaninë e ndërtimit LIM-EM sh.p.k, së cilës i shet tokën në Mjull Bathore për një vlerë totale prej 249 mijë eurosh.
LIM-EM është një kompani ndërtimi e themeluar nga biznesmeni Shkëlqim Beshiri, i njohur edhe për tregtinë e kafesë “Segafredo” dhe që zotërohet në 50 % të aksioneve prej tij dhe 50 % nga i vëllai Ardian Beshiri.
Biznesi fitimprurës me vëllezërit Beshiri nuk ishte megjithatë i pari për kreun e akuzës.
Në vitin 2013, kompania LIM-EM u shpall fituese për ndërtimin e një restoranti me konstruksion metalik mbi tarracën e Prokurorisë së Përgjithshme, ç’ka ngre dyshime serioze për konflikt interesi në këtë transaksion.
Të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit tregojnë se kompania e vëllezërve Beshiri ka marrë dy pagesa nga Prokuroria e Përgjithshme për rikonstruksionin e ndërtesës, të cilat kapin në total vlerën e 4.9 milionë lekëve. Restoranti është dhënë me qira prej vitit 2013, por Prokuroria e Përgjithshme nuk i dha përgjigje pyetjeve të BIRN se prej kujt menaxhohej ky lokal përgjatë 5 viteve.
Ish-kryeprokurori Llalla e cilëson blerjen e tokës për 1.5 milionë lekë dhe shitjen e saj për 249 mijë euro totalisht të ligjshme dhe e shpjegon rritjen e vlerës së saj me hovin e zhvillimit që mori pas vitit 2007 zona rreth qendrës tregtare TEG.
“Toka u ble në vitin 2007. Ishte një zonë e pazhvilluar. Fillimet e ndërtimit të komplekseve rezidenciale e rritën kërkesën dhe interesin për të,” tha Llalla për BIRN.
I pyetur nëse kishte dijeni për precedentët penalë të personit që ia kishte blerë tokën, Llalla u përgjigj se kishte marrë informacion për të dhe nuk rezultonte që ai të kishte probleme me drejtësinë. Sipas tij, precedentët penalë të Dushkut datojnë prej vitit 2011.
“Unë krijova një ide se kush ishte subjekti të cilit do i blija pronën. Më rezultonte një njeri punëtor, pa precedentë dhe pa probleme me drejtësinë,” tha ish-kryeprokurori.
Në intervistën me BIRN, Llalla e përshkroi marrëdhënien e tij me biznesmenin Beshiri me atë të dy personave të interesuar për të arritur një marrëveshje për 3 mijë metrat katrorë në Mjull Bathore.
“Ai ishte një biznesmen që kishte interes aty. Mbaj mend që zoti Beshiri ishte i interesuar bashkë me një ndërtues tjetër për të ndërtuar komplekse rezidenciale dhe bashkëortaku i tij ka marrë me kredi një sipërfaqe shumë të madhe toke. Bëhet fjalë për pronarin e Lion Parkut,” tha Llalla.
Në një kontakt të dytë, kur u pyet mbi rrethanat se si i kishte shitur tokën një personi që kishte fituar më parë një tender në Prokurorinë e Përgjithshme, reagimi i Llallës nuk ishte njësoj i shkujdesur.
“Nuk jam unë në konflikt interesi, nuk është prokurori ai që merret me atë punë [tenderat]. Ka sekretar të përgjithshëm, ka drejtues administrativ. Nuk merret Prokurori me atë pjesë,” tha Llalla i irrituar përmes telefonit.
“Komentojeni si të doni, nuk kam asnjë koment,” shtoi ai.
BIRN e pati të pamundur të kontaktonte me Ardian dhe Shkëlqim Beshirin.
Një kampion hipizmi për sekser
Në vitin e fundit të mandatit si kryeprokuror, Llalla iu rikthye sërish tregtisë me tokat, të testuar më parë prej tij si fitimprurëse. Ai i tha BIRN se kjo lëvizje lidhej me projektimin e së ardhmes jashtë sistemit të drejtësisë dhe me ndjekjen e një lloj tradite familjare.
“Isha në fund të mandatit dhe duhet të mendonim dhe për të ardhmen. Në fakt është dhe një lloj tradite, im atë ka qenë agronom dhe ka pasur një pasion të veçantë për këtë,” tha Llalla.
“Dhe unë kisha dëshirë të bëja diçka që të shkonte me atë, të ndiqja një lloje trashëgimie le të themi, një lloj vreshtarie” shtoi ai.
Projektet e tij nisën të marrin jetë verën e vitit 2016, kur Llalla thotë se u njoh me instruktorin e hipizmit, Gazmen Brahimi gjatë vizitave të tij në resortin “Panto”, i cili ndodhet gjithashtu në fshatin Qeha Shytaj. Llalla dhe Brahimi i thanë BIRN në intervista të veçanta se biseduan mbi interesin e blerjes së tokave në atë zonë dhe pasi krijuan simpati për njëri-tjetrin vendosën që hynin në marrëveshje.
“Duke qenë se unë jam instruktor, gjithmonë dal shëtitje me klientët që më vijnë. Mbaj mend që ishte verë dhe ishim duke shëtitur me kuajt dhe ai ishte me fëmijët. Më pyeti nëse banorët e zonës shisnin truall dhe se ishte i interesuar për një çmim të mirë. I thashë që kisha unë tokë për të shitur…,” tha Brahimi për BIRN.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Adriatik Llalla bleu katër parcela tokë me sipërfaqe totale prej 22 mijë metrash katrorë nga Gazmen Brahimi nga dhjetori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017. Të katër kontratat i kushtuan 14.8 milionë lekë në total ish-kryeprokurorit, me një çmim që varion nga 600 në 1 000 lekë për metër katror.
Menjëherë pas blerjes, Llalla i përfshiu tokat në procesin e rivlerësimit dhe sipas çmimeve të referencës, vlera e tyre totale u rrit me 6-fish duke kapur shifrën e 93.7 milionë lekëve.
Brahimi mohoi të kishte luajtur rolin e sekserit për t’i siguruar prona Llallës. Ai i tha BIRN se i kishte shitur atij një sipërfaqe prej 4500 metrash që e kishte blerë në fillim të vitit 2016 për të ndërtuar një shtëpi për vete dhe rreth 15 mijë metra të tjera që pretendoi t’i kishte blerë për të mbjellë jonxhë për stallën e tij të kuajve.
Kontratat noteriale tregojnë një histori të ndryshme nga ajo që pretendon instruktori 44-vjeçar i hipizmit, i cili thotë se ka qenë për 6 vite edhe kampion i garave me kuaj në Shqipëri.
Më 31 tetor 2016, Brahimi blen nga një banor i zonës i quajtur Ibrahim Shima sipërfaqen prej 4.500 m2 me një çmim prej 4.5 milionë lekësh dhe ia shet këtë pronë Llallës një muaj më pas me të njëjtin çmim.
Më 21 dhjetor 2016, Brahimi i blen dy parcela toka me sipërfaqe 12 300 m2 dhe 3000 m2 Petrit Sulës dhe ia shet sërish Llallës përmes dy kontratave noteriale të nënshkruara më 15 mars 2017.
Dokumentet tregojnë se sipërfaqja prej 12 300 metrash katrorë iu shit Brahimit për 2.4 milionë lekë ndonëse vetë Sula e kishte rivlerësuar këtë pronë dyfish, me 5.5 milionë lekë. Ndërkohë, Brahimi ia shiti të njëjtën sipërfaqe Llallës për 7.3 milionë lekë dhe vetëm pak kohë më pas, ky i fundit e rivlerësoi atë në shumën e 30.7 milionë lekëve.
Të njëjtën trajektore të çuditshme ndoqi edhe sipërfaqja prej 3000 metrash katrorë, e cila ndonëse ishte rivlerësuar nga Petrit Sula për 1.3 milionë lekë, iu shit Brahimit për 600 mijë lekë dhe u transferua te Llalla me çmimin e blerjes prej 1.8 milionë lekë. Dy muaj pas blerjes, Llalla e ka përfshirë edhe këtë pronë në procesin e rivlerësimit duke i dhënë një vlerë prej 7.5 milionë lekësh apo 4 herë më të lartë se paratë e paguara prej tij.
I pyetur për diferencat në çmime, Gazmen Brahimi i tha BIRN se pas shitjes së parë të tokës kishte synuar edhe ai fitimin e tij.
“Herën e parë ia shita tokën me atë çmim që kisha blerë vetë, më pas doja të kisha dhe unë fitimin tim. Ai nuk ishte më kryeprokuror, por një blerës si gjithë të tjerët,” tha Brahimi.
Ndryshe nga Brahimi, ish-kryeprokurori Llalla pranoi për BIRN se kishte rënë dakord që ai t’i gjente prona ose t’i blinte ato te banorët e tjerë në këmbim të një përqindjeje prej 3- 4 mijë lekësh për metër katror-vlerë kjo që sipas Llallës “është normale dhe në parimet e biznesit”.
“Unë nuk mund të dilja dot në çdo derë të fshatit për të kërkuar prona. Ai më tha që kishte prona të tij, ishte në interesin e tij të pyeste. Kjo ishte gjithë ajo që në bëmë. Ai përfitonte përqindje të caktuara nga ajo shitje,”tha Llalla.
Shitësit në vështirësi ekonomike
Fillimi i vitit 2017 e gjeti kryeprokurorin Llalla në mesin e një furtune publike, pas shenjestrimit të tij si kundërshtar i reformës në drejtësi nga ambasadori amerikan Donald Lu dhe refuzimit të vizës amerikane. Në të njëjtën kohë, ai realizoi edhe etapën e fundit të blerjes së tokave në fshatin Qeha Shytaj.
Në kulmin e debateve, më 24 shkurt 2017, Gazmen Brahimi bleu sipërfaqen e fundit të tokës për llogarinë e kryeprokurorit me sipërfaqe 2 250 metra katrorë tek një tjetër banor i zonës, i quajtur Ilir Shima. Çmimi i blerjes, sipas kontratës noteriale kap vlerën e 1.125 milionë lekëve.
Transferimi i kësaj toke me të njëjtin çmim më 15 maj 2017 përmbylli marrëveshjen mes Gazmen Brahimit dhe Adriatik Llallës- të cilët arritën së bashku në një periudhë 5 mujore të blinin 22 mijë metra katrorë tokë me vlerë reference prej 93.7 milionë lekësh me një çmim total të deklaruar prej vetëm 14.8 milionë lekësh.
Shitësi i parcelës së fundit të tokës për Llallën, Ilir Shima i tha BIRN se kishte shitur me çmim të lirë për shkak se ishte i zhytur në borxhe.
“Në fshat të gjithë e dinë se unë kisha bërë një operacion shumë të shtrenjtë te një spital privat. I kisha lekët borxhe ndaj e shita aq lirë,” tha Shima, ndërsa shtoi se as i interesonte që tokën e kishte blerë Llalla.
Një argument të ngjashëm me Shimën ofroi për BIRN edhe pronari i një kompanie ndërtimi në Durrës, i cili i shiti Llallës në vitin 2012 një apartament 67 m2 në breg të detit me një çmim prej 2.2 milionë lekësh.
Apartamenti i blerë nga kompania “Decon” iu nënshtrua procesit të rivlerësimit nga Llalla një muaj pas blerjes dhe kapi një vlerë dyfish më të lartë, rreth 5 milionë lekë. Pronari i kompanisë “Decon”, Jusuf Puka i tha BIRN se çmimi i shitjes ishte i lirë për dy arsye: për shkak të një kontrate porosie të lidhur që në vitin 2009 dhe vështirësive të tij financiare.
“Kontrata e porosisë është bërë në vitet 2009-2010 dhe në atë kohë unë kisha vështirësi financiare. Më duheshin para ndaj edhe apartamentet i kam shitur me çmim të ulët,” tha Puka në një bisedë telefonike.
Vetë Llalla mohoi të kishte lidhur një kontratë porosie të mëparshme me Pukën por shtoi se kishte pasur një marrëveshje gojore me të, pasi kishte parë që po ndërtohej pallati në Durrës.
“Në atë kohë ishte me interes sepse ishte në një pjesë të mirë të Durrësit, në afërsi të hotel Adriatikut dhe u ble. Unë nuk e kam shitur, por kam bërë vetëm rivlerësimin e saj konform ligjit,” shtoi Llalla.
Ish-prokurori i Përgjithshëm i konsideron tokat e tij të reja si një mundësi për të bërë një vresht rrushi dhe zonën ku ato ndodhen shumë periferike, ende të pazhvilluar dhe me rrugë të pashtruara. Por ai këmbënguli se ato janë blerë me burime të ligjshme, janë deklaruar si dhe i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit dhe taksimit në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërsa mohoi të ishte në dijeni të një hetimi të nisur kundër tij, Llalla e cilësoi atë një mundësi të mirë për sqarimin e çdo rrethane, por shtoi se “nuk mund të ngrihet asnjë akuzë, pasi nuk ka kryer asnjë element shkeljeje”.
Llalla i tha BIRN se ka hequr dorë përgjithmonë nga sistemi i drejtësisë dhe se po mendon që të bëjë diçka tjetër me të ardhmen e tij.
“Nuk e shoh më vetem brenda sistemit të drejtësisë, nuk ndjehem mirë në të. As avokatin nuk mund ta bëj, nuk është në natyrën time si profesion,” tha Llalla.
Pasuria e tij më e re në rrethinat e gjelbëruara të Tiranës nuk mbetet jashtë planeve të tij për të ardhmen: “Mbase si fermer mund të jem i zoti,” përfundoi ai./ BIRN