Agim Doçi: Unë spiuni i Sigurimit të Shtetit…

 

Nga Agim Doçi

(Dekrimanalizim, apo shakaja e fundit?)

Meqenëse ka ardhur koha për transparencë dhe rrëfim të sinqertë të së kaluarës, apo dhe aktuales, është në nderin tim ta “thyej akullin”, duke u rrëfyer… Kam rekorde kriminale të pamohueshme! Por nuk jam deputet padrejtësisht…

Ndonëse kam mbi 22 vite, që jetoj si të gjithë bashkëkombasit e mi, me gënjeshtrat elektorale dhe pse jo me premtime të pambajtura asnjëherë nga politi-kuajtë tanë. Për ma tepër që si person publik, me një karizëm dhe respekt nga të gjithë ata që adhurojnë kangën shqiptare, më ka vrarë ndërgjegjia sistematikisht, duke pyetur vehten: – pse nuk ke kurajo të rrëfehesh?

Ja pra, po rrëfehem!

Nuk e di përse Komisioni i “Pastërtisë” së Figurave qysh në kapërcyell të viteve ’90-të, listat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ua kaloi në zanafillë të Lëvizjes së Dhjetorit PD-së dhe pse jo edhe partive të tjera! Emrin tim, mesa duket e “harruan”. Nuk pata asjë ditë rrogë nga z. Meksi nr.1. Punova 2 vite këpucar dhe 3 vite peshkatar. Kur PD-së i erdhi “veza tek b…a”, më ndihmoi Heroi i Demokracisë Azem Hajdari, duke me punësuar si poet në Redaksinë e Krijimtarisë me 30 tetor 1996(!) në vend të mikeshës sime, Xh. Jorganxhi që ishte strehuar në Trieste. Ikën poetët e mirëfilltë ndaj festivalet e kangës shkuan “për lesh”!

Tashti koha “ka ndryshuar”. Asht gjet’ rrena ma e bukur. “Dekriminalizimi” i parlamentit. Vihem nën trysni kur miq e dashamirë nuk e ndërrojnë kanalin televiziv sa herë më ftojnë në studiot e tyre, ku jam edhe unë (dhe që nuk “ju la radhë të tjerëve me folë”). Ngase u pëlqej kur më shohin në stacionet televizive, të gjithë teleshikuesit më kërkojnë me kambëngulje arsyen se, “pse nuk kandidon? Madje as për në Këshillin Bashkiak (merreni me mend për deputet)!

Nejse shumë e zgjata. Po ia nisi rrëfimit.

Arsyeja asht që po rrëfehem pa asnjë presion nga “të majtët”, madje as nga “të djathtët” dhe ata të “qendrës”. Thjesht t’i shpëtoj karrierave politike (asnjëherë nuk ka qenë anëtar partie).

U rekrutova në moshën 4-vjeçare në Shkodër. Asokohe isha në vitin e dytë të Kopshtit pa drekë “E. Hoxha” ngjitun me Teatrin “Migjeni”. Na jepte edukatorja vetëm një gotë tambli (qumështi) dhije. Qumështit i vinte era cjap (përç). Nuk mundesha ta përballoja erën e burrit të dhisë. Tinzësisht hapja dritaren dhe e derdhja gotën e qumështit nga dritarja. Në një prej ditësh më kapi në flagrancë një bashkë-kopshtar, por që ishte në vitin e fundit të Kopshtit. Ky person më tha: – të kapa ma së fundi.

–              Kush jeni ju, e pyeta.

–              Ne jemi Sigurimi i Shtetit dhe ti do punosh për Ne… foli ai.

–              Cila asht detyra ime – e pyeta?!

–              Ti do spiunosh bashkëmoshatarët që pshurrin dhe dhihen në t’lina (brekë)…

–              A do të kem pseudonim, – e pyeta

–              Patjetër zgjidh më tha – më paraqiti listën ku më pëlqeu pseudonimi Qeni, si kafshë besnike)

Asokohe baba im ishte Kryetar i Pushtetit në Shkodër dhe të gjithë shokët më thërrisnin, “qen bir qeni”…

Kaluan vite dhe kur erdhi në pushtet shoku Ramiz – sepse shoku Enver që kishte veç ditëlindje kishte shkuar në jetën e përtejme – u hoq Neni 55. Pra mund të “llapje” e të mos dënoheshe si “dikur” me së paku 9 vite burg, për interesa të larta të Atdheut (dhe të ulëta të miat) pranova pseudonimin e dytë “Llapa”.

Me fitoren e 22 marsit 1992, për interesa të larta të miat dhe të ulëta të Atdheut, pranova pseudonimin e tretë “llapaqeni”. Uroj të jetë i treti i vërteti.

Shpesh në korridoret e partive dëgjoj “kolegë” të mi që në konfidencë dhe mirëbesim bashkëbisedojnë:

–              “Gjethi”, a e pe “Qelbësin?”

–              Po pin kafe me “Peshkatarin” dhe “Të Penduarin”…

–              Bëji të fala “Gjeologut”…

Atëherë pyes përse nuk hapen dosjet?! Sepse “koteci” dhe “kapterri” nuk kanë kurajo. Megjithatë ju kerkoj ndjesë të gjithë atyre që kam spiunuar në të “kaluarën” dhe që do të spiunoj në të ardhmen. Mezi pres të integrohemi në Europë se më pëlqen shumë pseudonimi “Figlio di Putana”, që veç kështu përkthehet emri im i lashtë – Doçi.

Respekt shokë spiuna!

 

SHKARKO APP