Agim Nesho: Fenomeni Trump dhe lidershipi i Berishës
Nga Agim Nesho-
Një nga ikonat e shtypit amerikan dhe opinionist i “Boston Globe” dhe “Boston Herald”, Peter Lukas, u shpreh se lufta kundër Berishës është e njëjtë si lufta ndaj Donald Trump. Sa më shumë ata goditen, aq më shumë ata rriten si liderë me përkrahje të fuqishme popullore.
Ajo që i bën këto personalitete më popullorë është fakti se opinioni publik si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri vënë re se organet e drejtësisë janë të politizuara dhe goditja e tyre është në funksion të avantazheve politike që mund të përfitojnë grupe politike të interesuara.
Presidenti Trump është një fenomen politik në SHBA dhe nuk ka të bëjë me lidershipin e tij. Në një vend ku polarizimi i shoqërisë ka vajtur në ekstremet e saj, fenomeni Trump është një alternativë që thyen institucionet dhe politikën tradicionale, kërkon një SHBA që të dedikohet për “Amerikën e para”, skeptik ndaj NATO-s dhe aleancave të mëdha si NATO, beson në aleancat pragmatiste me autokratët, është kundër globalizimit dhe beson se çdo gjë mund të negociohet nga e para në bazë të interesave të kohës.
Duke mbrojtur këtë alternativë ai bëhet popullor në masat, por është i papranueshëm për establishmentin amerikan. Lufta politike ndaj fenomenit Trump vjen si rezultat i frikës që pozita e SHBA-së, si lider i rendit liberal botëror, do të dobësohet dhe zbehet duke rrezikuar edhe aleancat demokratike tradicionale.
Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike, që ka udhëhequr procesin e transformimit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci. Ai është një lider institucional dhe përkrahës i integrimit të Shqipërisë në boshtin Euro-Atlantik. Gjatë periudhës së ushtrimit të pushtetit të tij, Shqipëria është anëtarësuar në NATO dhe ka realizuar liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Ai nuk kërkon të ndryshojë sistemin demokratik por lufton për të penguar instalimin e një sistemi autokratik, putinesk në Shqipëri. Ai lufton për të çmontuar juntën dhe rikthyer pluralizmin në Shqipëri.
Ndërsa për rikthimin e Presidentit Trump janë kontestues edhe shumë shtete europiane, dënimi i Berishës është një kërkesë e autokratëve të Ballkanit, që kanë frikë nga popullariteti i tij për të çuar Ballkanin Perëndimor drejt projekteve ruso-serbe, si ndryshimi i kufijve apo Ballkani i Hapur.
Ndërsa Presidenti Trump përballet me akuza të diskutueshme që kërkojnë interpretim ligjor, Berisha hetohet për një çështje të stisur që për logjikën më minimale nuk qëndron dhe është qesharake. Faji i vetëm i Sali Berishës apo liderit tjetër të opozitës, Ilir Meta, është lufta e tyre kundër vjedhjes galopante të regjimit në fuqi, keqpërdorimi i fondeve publike dhe shkarja e Shqipërisë nga rruga e saj perëndimore.
Rikthimi i mundshëm i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington sigurisht do të jetë një “revolucion”, sidomos ndaj institucioneve të drejtësisë të cilat ishin të politizuara apo sponsorizuara nga fondacione majtiste si Fondacioni Soros.
Ky qëndrim do të reflektohet edhe në ata zyrtarë dhe burokratë të cilët në funksion të interesave të tyre personale dhe përfitim të karrierës kanë kontribuar në përkrahje të regjimeve autokratike duke mbytur demokracitë e brishta Ballkanike. I vetmi që është përgatitur për të mbijetuar këtë situatë është autokrati Rama, i cili nga një anë hiqet sikur është djali i urtë dhe klientelist i Perëndimit, ndërsa nga ana tjetër ka forcuar lidhjet e tij me autokratët e tjerë si Erdogan, Vuçiç, M. Bin Salman të Arabisë Saudite apo autokratët e tjerë të Emirateve, për t’u bërë pjesë e klubit të autokratëve. Ai nuk ka frikë t’i kthehet Ballkanit të Hapur, ashtu siç veproi disa ditë më parë. Planet e tij për të favorizuar familjen e Trump edhe me investime turizmi në Sarandë tregon karakterin e tij të lëkundur dhe besimin vetëm në pushtetin e tij. Ai ishte i pari që e shau botërisht Trump ‘Turpi i civilizimit’, i pari që ju ngjit demokratëve si ‘yes man’ për afganët dhe tani i gatshëm të bëjë çdo gjë për të mbijetuar.
Ata që do të shkatërrojë në fillim Rama sigurisht do të jenë organet e drejtësisë së re, të cilët pasi i përdori për të goditur kundërshtarët e tij nuk i duhen më. Ai as e mendon dhe as e beson se Qeveria e tij e korruptuar mund të përfundojë në burg së bashku me të. Ai e donte drejtësinë vetëm në funksion të forcimit të pushtetit të tij.
Përdorimi i SPAK-ut për të goditur kundërshtarët e pushtetit të tij, liderët e opozitës së vërtetë dhe të pa kapur, e kanë kthyer SPAK në një organ të politizuar,i cili po kontribuon në shuarjen e pluralizmit dhe instalimin e një junte. Ata nuk po e kuptojnë se po kontribuojnë në vetë-shkatërrimin e institucionit të tyre nga vetë autokrati qëi ka përdorur.
Shqipëria sot është kthyer në një autokraci të plotë, me shtet të kapur, pa institucione dhe balancë pushtetesh. Shqipëria nuk e ka luksin në zgjedhjen e alternativave qeverisëse si SHBA sepse zgjedhjet manipulohen, shtypi është i kapur dhe shoqëria civile nuk ekziston. Indiferenca e perëndimit dhe lobimi i shfrenuar i Ramës po e çon Shqipërinë drejt autokracisë lindore.
Prandaj mbrojtja e Sali Berishës nuk është një çështje alternative që njerëzit e lirë duhet të zgjedhin. Ajo sot është e lidhur me perspektivën e demokracisë në Shqipëri. Prandaj arresti i tij, siç thotë Peter Lukas, do ta bëjë atë më të fortë dhe më popullor.