Agjencia Telegrafike Shqiptare: 27 vjet nga gazeta e parë e pavarur “Koha Jonë”

27 vjet më parë u botua numri i parë i gazetës “Koha Jonë”, e para gazetë private në Shqipëri pas rënies se regjimit komunist.

“Koha Jonë” është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, e cila është themeluar me datë 11 maj 1991 në qytetin e Lezhës.

Themelues i saj është Nikollë Lesi. Por, gazeta ka patur si bashkëdrejtues të parë gazetarët Nikollë Lesi dhe Zef Shtjefni. Gazeta filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës, duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar nga lexuesit, ndërsa në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe (tashmë e përditshme) e Shqipërisë duke arritur kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 88 mijë kopje të shitura në ditë.

Po si vazhdoi historia e gazetës së parë të lirë në Shqipëri?

Pas largimit të Zef Shtjefnit në nëntor 1991 në redaksinë e parë mbeten gazetarët Marash Mirashi, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli dhe Vera Ivanaj. Në dhjetor 1991 ofrohet dhe një student me emrin Aleksandër Frangaj, i cili me sharmin e tij gazetaresk dhe kurajon e veçantë ra në sy të botuesit Lesi, i cili e ofroi menjëherë, duke u bërë bashkëpunëtori më i mirë i gazetës.

Në 22 korrik 1992 Nikollë Lesi i fali Aleksandër Frangajt 40 për qind të aksioneve të gazetës, ku avokat i këtij veprimi juridik ishte Spartak Ngjela. Gazeta u bë me stafin më kurajoz e profesionist në vend. Periudha më e vështirë, por më e sukseshme e kësaj gazete të madhe mbeten vitet 1992-1997, ku jo vetëm ishte një gazetë profesioniste e kurajoze, por u shndërrua edhe në një universitet të medias shqiptare. Gjatë kësaj periudhe media “Koha Jonë” nxori në treg si filiale gazetat “Sport Ekspres” dhe “AKS”.

Ndaj gazetës “Koha Jonë” pati arrestime të kryeredaktorit Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Lekaj (31 janar 1994), ndjekje penale kundrejt drejtorit, vendosje tritoli nga segmentet e shtetit dhe krimit në shtëpinë e Nikollë Lesit natën e 1 nëntorit 1995, rrahje e burgosje të gazetarëve nga pushteti i kohës.

Kulmi arriti natën e 2 marsit 1997, kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Gazeta nuk doli në treg për 40 ditë. Në 31 janar 1997 Aleksandër Frangaj vendos të largohet nga pronësia e gazetës dhe ia shet aksionet e tij të dhuruara, po Nikollë Lesit.

Nga viti 1997 deri më datë 7 mars 2007 Nikollë Lesi vazhdon të jetë botues i “Koha Jonë”, pavarësisht qënies së tij deputet i parlamentit të Shqipërisë prej qershorit 1997.

Më 7 mars 2007 Nikollë Lesi largohet nga media për t’iu përkushtuar politikës si deputet dhe i kalon 100 për qind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangajt. Por surprizat dhe çuditë nuk vonojnë dhe me datë 17 tetor 2013 Aleksandër Frangaj njofton se heq dorë përfundimisht nga pronësia mbi gazetën “Koha Jonë”. Nikollë Lesi e rimerr pronësinë e gazetës, të cilën e themeloi në Lezhë në vitin 1991, duke u kthyer në media, falë edhe eksperiencës që krijoi në politikë duke qenë 12 vjet deputet në parlament.

“Koha Jonë” është histori e madhe dhe e veçantë e medias shqiptare të pas vitit 1990.

Në multimedian “KOHA JONË” kanë punuar emrat më të mëdhenj të medias shqiptare si: Nikollë Lesi, Martin Leka, Aleksandër Frangaj, Ben Blushi, Frrok Çupi, Teodor Keko, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Sokol Balla, Filip Çakuli, Arian Çani, Mimoza Dervishi, Adi Krasta, Mimoza Picari, Kiço Blushi, Rezart Xhaxhiu, Anila Basha, Enton Abilekaj, Henri Çili, Rudina Xhunga, Arta Marku, Jonila Godole, Lorenc Vangjeli, Skënder Minxhozi, Edi Rama, Bledar Zaganjori, Mentor Kikia, Keida Kostreci, Alfred Peza, Anila Jole, Aleksandër Çipa, Juli Krisafi, Eriona Shehu, Fatos Baxhaku, Arban Hasani, Ilir Babaramo, Esmeralda Gjoka, Vladimir Prela, Gent Shkullaku, Fatmir Mëneri, Edi Lesi, Ylli Pata, Alban Dudushi, Sokol Bregu, Roland Qafoku, Gerti Çarçani, Arben Rrozhani, Mikel Janku, Zef Shtjefni, Marash Mirashi, Gavrosh Levonja, Gëzim Nushi, Tritan Kokona, Emin Barçi, Auron Sulo, Zamir Alushi, Arben Vata, Erli Murati, Ilir Gjoni, Xhovani Shyti, Enkel Demi, Tonin Çobani, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Ylli Dylgjeri, Dritan Kaba, Agim Xhafka, Milto Baka, Vehab Kaba, Adriatik Dosti, Eglantina Nasi, Albina Gjergji, Edmond Arizaj, Manjola Zeka, Roland Zili, Urim Bajrami, Agim Neza e deri Qamil Xhani (kryeredaktor 2015-2018) si dhe plot të tjerë. /z.tosku//r.e/

SHKARKO APP