Ah Rugova

 

Nga Edison Ypi

Shenjtorët, Profetët, Gjenialët, kanë qenë janë e do të jenë njerëz mes njerëzve si gjith’ njerëzit. Ah Rugova është dëshmia.
Me vetëm fjalë nuk mund të thuhen veçse fare pak prej atyre që mendja lodhet, gjoksi zjen, zemra rreh. Ah Rugova është prova.
Dhemshuria, Mëshira, Dashuria, nuk janë fjalë si gjith’ fjalët që i merr era, por janë vet' era. Kush tjetër mundet me qen era veçse Ah Rugova.
Njeriu mund të nderohet, krenohet, lartësohet, ndritet pa fund, jo vetëm për çfarë bën, por edhe për çfarë nuk bën, siç janë shpifjet që nuk shqipton, klithmat që nuk lëshon, sharjet që idhnojnë, dhe plot të tjera të zeza të tilla. Nuk ka idiot të mos e dijë se i tillë ishte Ah Rugova.
Shqiptaria sherret i ka sheshit, tmerret i ha me bukë, zgjyrën nuk e fsheh, turpin ja di gjith’ bota, ndërsa vlerat i ka të fshehura, të ndryra tek vetëm disa individë fort' të rrallë të cilët çfaqen rrallë në qiellin e errët të historisë së Shqiptarisë duke u djegur dhe ndriçuar. Ah Rugova ishte një kometë.
Vetëm në një fshat të Kosovës, ka aq urtësi, kanun, respekt, rregull, qetësi, paqe, harmoni, dëshirë për punë, patriotizëm, se sa në krejt Shqipërinë. Më mirë se të gjithë këtë e ka dit' Ah Rugova.
Në televizionet kosovare nuk çfaqen kurrë hajna. Hajni kosovar preferon t’ja sharrojnë fytin para se t’ja marrin erëzin.
Në Kosovë Femra nderohet aq sa po të jesh i shoqëruar me një Femër nuk mund të ndodhi kurrë të afrohet dikush të shqetësojë. E nëse kjo gjithsesi ndodh, këtë atje gjaku e ndan.
Shtëpitë e katundeve në Kosovë janë të gjitha të mëdhaja, kështjella me mure të të larta.
Në Shqipëri mund të gjesh me mijëra, por në Kosovë nuk mund të gjesh dot asnjë bujk që të ankohet "jam me zemër". Bujku kosovar punon, s'ka kohë me u sëmur.
Katundet e Shqipërisë kanë nga disa kafene. Në Kosovë nuk ka katund me kafene.
Kosova është më pak "e kënduar" se Shqipëria. Por në Prishtinë ka ishuj qytetarie, adhurues diturie me sjelljeje aristokratike të cilët snobit llomotitës të Tiranës as qurret nuk ja hudhin.
Fush’ Kosova, Sharri, Drenica, Istogu, Prizreni, Rugova, Ah Rugova, janë të gjitha vende ëndërra tru-dhe-trup-shplodhëse më të bukur se në përralla që po t'i shohësh mornica t’kalojn’ nëpër kocka.
Në katundet e Kosovës mund të takosh eruditë të veçuar, latinistë, kritikë Arti, që ta thonë përmendësh Platonin, Virgjilin, Danten, Lasgushin, Fishtën, Kadarenë.
Kurrkush në botë nuk i ka ditë këto më mirë se Ah Rugova
Ah Rugova, nuk shqiptoi kurrë një fjalë të keqe për kërrkënd në botë.
Ah Rugova kurrë nuk mori pjesë në ndonjë miting.
Ah Rugova i fitoi dy herë zgjedhjet pa bërë asnjë premtim elektoral.
Askush në Historinë e Shqipërisë nuk ka ditur ta shndrrojë forcën e ndjeshmërisë njerëzore në forcë politike si Ah Rugova.
Për Ah Rugovën, sfiduesin e heshtur të burracakëve, llafazanëve, banditave, kriminelave, vrasësve, hajdutave, më njerëzorin, më fisnikun, më aristokratin, më madhështorin, që i kryu të gjitha punët duke pi raki me tonelata dhe duke tymos cigare me kilometra, më ikin lot.

SHKARKO APP