Aksion politik për të mbrojtur Teatrin Kombëtar
Nga Luan Rama* –
Të rrosh a të a të mos rrosh, kjo është çështja? Kjo është edhe dilema e teatrit, problemi i të cilit është shumë kompleks. Edhe çështja e tokës, u tha këtu, është edhe çështje e godinës u tha nga disa te tjerë, dhe është edhe çështja e kullave që flitet se duan të ndërtojnë.
Por mbi të gjitha, unë mendoj se është një çështje më themelore dhe më esenciale. Është çështja që Tiranës dhe Shqipërisë, në mënyrë të qëllimtë po iu shkatërrohet kujtesa, po iu vritet kujtesa. Kujtesa historike, kujtesa kulturore, kujtesa qytetare. Dhe ku tjetër më shumë se sa te referencat e qytetarisë shfaqet kjo gjë. Shikoni se çfarë ndodh në Tiranë; përjashto kompleksin muzeal të xhamia dhe sahati, nga para shekullit XIX Tirana nuk ka asnjë referencë tjetër. Dhe nga shekulli i XX-të, dhe këtu kam parasysh periudhën para vitit 1945, përveç kompleksit të ministrive ku është dhe Teatri dhe sheshit “Nënë Tereza”, Tiranës nuk i ka mbetur më asgjë tjetër. Edhe sheshi “Skënderbej, që ishte një referencë qytetarie dhe pjesë e biografisë historike të viteve ’30 të shekullit të kaluar, u prish. Brenda kësaj filozofie dhe brenda kësaj qasjeje, që është kanibaleske në fakt, është edhe rreziku që i kanoset Teatrit Kombëtar.
Ju kërkoni që ta duan dhe ta mbrojnë teatrin ata që nuk e duan. Sot këtu ka shumë deputetë falë ftesës dhe bujarisë tuaj. Asnjëherë nuk kam parë kaq shumë deputetë në një shfaqje teatri. Dhe këtu fillon problemi. Sepse klasa politike në vend, ku bëj dhe unë pjesë, pasi edhe unë jam përgjegjës, teatrin e vet e mbushi me kriminelë, teatrin e vet e ktheu në një tribunë krimi. Dhe ju kërkoni që ata të duan teatrin! Dhe ndaj nuk ka sot shumë aktorë këtu. Është e dhimbshme që ata që duhej të ishin këtu në skenë, nuk janë as në prapaskenë sot, sepse një pjesë janë trembur, një pjesë janë joshur, një pjesë kanë rënë pre e kësaj qasjeje kriminale që shëmbëlltyrën e vet, fytyrën e vet më domethënëse e kanë tek qeveria e Shqipërisë, e cila në fakt nuk është vetëm ajo përgjegjëse.
Nuk është vetëm ajo, sepse në 16 vjet, teatri duhej të ishte ndërtuar, nëse qeveritë dhe politika do të donte teatrin, do të donte kulturën dhe do të donte që qyteti dhe vendi ynë të kishte referenca të tilla kulturore. Por, këta, edhe unë bashkë me ta, nuk mbërrijmë dot as tek qasja, sado politike ,që ka qenë e atyre që kanë bërë politikë para 1990-s, e konkretizuar me një rrjet teatrosh dhe institucionesh të tjera kulturore anembanë vendit. Meqenëse jam sot këtu në këtë skenë, më lejoni të them që edhe si qytetar, edhe si njeri i angazhuar politikisht, por edhe në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim se jemi këtu sot si pjesë e një angazhimi, e një kauze qytetare për të mbrojtur, jo pronën tuaj, të nderuar aktorë, po për të mbrojtur pronën tonë, pronën qytetare.
Dhe nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, përveçse teatrin Kombëtar ta ndërtojë shteti. Nuk ka asnjë vend, të paktën sa kam lexuar unë, në botën e qytetëruar që veprat fondamentale, që janë kujtesa, trashëgimia kulturore dhe identiteti kulturor i një kombi t’i ndërtojnë privatët. Ose dhe kur i kanë ndërtuar privatët ja ka dhuruar shtetit, jo shteti si mekanizëm por shtetit si shoqëri, vendit, kombit, popullit të tyre. Unë nuk jam dakord edhe me atë që një zonjë tha këtu që lëvizjen për mbrojtjen e teatrit të mos e bëjmë pjesë të politikës ose të mos e fusim politikën në teatër! Po kur politika i fut duart tek teatri pse heshtni? Jo mor jo, është çështje politike se çdo veprim, çdo hap, çdo sjellje e qeverisë është çështje politike. Dhe teatri është dhe aksion politik. Aksion politik për të mbrojtur një vlerë të qenësishme që ka në themelet e kësaj godine dhe në themelet e këtij trualli sakrificën sublime të një populli të tërë që dhe kur nuk kishte bukë shkonte në teatër. Teatri është i yni. Prandaj, ne duhet të ngremë zërin, ta shndërrojmë këtë lëvizje në një aksion qytetar për t`i thënë ndal shkatërrimit të një gjurme të rëndësishme të biografisë qytetare dhe kulturore të Tiranës.
*Pjesë nga fjala e Zëvendëskryetarit të LSI-së, në takimin e zhvilluar me artistët