ALARMI I KUQ NË QEVERI

Nga Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Mos hapja e negociatave për anëtarësimin me BE-në, ekonomia që nuk po arrin premtimet dhe pritshmëritë, 400 mijë shqiptarë të larguar nga viti 2013 deri më sot, CIA që na cilëson si vendin kryesor për pastrimin e parave dhe të krimit të organizuar dhe në vend të parë në botë për konsumimin e kokainës në raport me popullsinë. Rendi dhe siguria janë në udhëkryq dhe nuk bëhet fjalë për statistika, por për faktin se krimi është gjallëruar, duke vendosur diktat. Këto fakte mjaftojnë të përbëjnë një kambanë të fortë për qeverinë e Edi Ramës, në fund të vitit të parë të mandatit të dytë, ndërsa për masën e shqiptarëve është një super arsye për të qenë pesimistë, pa shpresë, pas pritshmërisë më të madhe këto 28 vjet.

Por duket se stina e nxehtë nuk ishte edhe aq e nxehtë për Edi Ramën. Ndërsa opinioni mbarë priti dhe pret ndryshimet në qeveri, duket se Rama e ka zbehur këtë lëvizje. Pesë vjet nga marrja e detyrës së qeverisë së tij, nuk besojmë se ka ndryshuar historia që Rama e ka treguar disa herë në town hall-e, në ekrane e deri te ERTV-ja, me plakun Panajot Gjiknurin, se kur nipi e pyeti se si i dukej Shqipëria, tha: Më të varfër e kam parë, por më të çoroditur se sot, nuk e kam parë kurrë! Shqipëria vazhdon të jetë e tillë dhe shumica e quan atdheun e vet, si vend të përkohshëm.

Pavarësisht kësaj situate, edhe pse e ka lajmëruar se shtatori do të ishte muaji i ndryshimeve të mëdha në qeveri, Rama duket se ndodhet në të njëjtin ngërç si i paraardhësve të tij, kur kanë qenë në konsumin e mandatit të dytë. Tashmë ndodhemi në një situatë ku sa të mëdha ishin pritshmëritë se do kishte ndryshime radikale, po aq është e mundur të mos ketë asnjë ndryshim. Në Asamblenë e PS-së më 28 prill të këtij viti, kryeministri Rama tha:

“Çfarë ndryshimesh – nëse do të jetë e nevojshme, në qeveri në shtator – duhet të ndryshojmë? Cilët ministra, ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifra dhe statistika, po të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin”.

Pasi kaluan 3 muaj dhe më 31 korrik në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit, Edi Rama tha:

“Ne kemi futur një sistem të ri të performancës së ministrave dhe zv/ministrave. Kjo po shtrihet edhe në agjencitë e tjera të administratës. Për gjithsecilin ka objektiva dhe parametra”.

Ndërsa më 24 gusht, në një takim informal pune në Vlorë, me ministrat e kabinetit, pasi kërkoi prej vartësve të flisnin për punën, vetë foli, por vetëm për ndryshime në kabinet, jo. Këto ditë pritet mbajtja e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe vetëm aty do sqarohet kjo dilemë, por duket se nga zelli i madh për ndryshime, po kalohet në zbehje në skaj të kësaj ideje. Gjithsesi, nuk është çudi që po vetë Rama që e zbehu idenë, sërish ta aktivizojë atë. Në këtë situatë dy gjëra kemi të sigurta. E para, të gjithë ministrat janë në panik dhe e dyta, Edi Rama është në dilemë të madhe të bëjë ose jo ndryshime, me idenë se ku ndodhen më të mirët që të zëvendësojë ata që nuk kanë rendiment. Megjithatë, më e sigurta fare është që anija e Edi Ramës po noton vërtetë në ujëra të turbullta, por kjo turbullirë Ramës i duket e qëndrueshme dhe kjo është pika kyçe e kësaj stepje.

Është harruar turku dhe letra që Rama ua dërgonte ministrave më 2015-ën – turku po na gërryen pushtetin – duket se është futur në muze. Duhet të kafshojë buzën, kur kujton synimin se në 10 vjet, do ta bënte Shqipërinë anëtare të BE-së. Lëre ajo deklarata e një prej të zellshmëve të tij se, kjo do ishte qeveria më e mirë që nga Ismail Qemali! Realisht, Edi Rama është në vështirësi serioze, për faj të tij dhe të ministrave. Nuk mund të justifikohet pse ekonomia është në pikiatë dhe të akuzojë ministrin. Nuk mund të justifikohet se arsimi ka dështuar dhe kjo qeveri do mbahet mend se për herë të parë në histori, nuk kishte dëftesa në fund të vitit shkollor. As në 1997 nuk ndodhi një gjë e tillë. Nuk mund të justifikohet pse ikin shqiptarët, ndërsa qeveria të bën të mbash barkun me dorë nga e qeshura, teksa shpall rritjen e numrit të të punësuarve. Dështimi me palmat e autostradës Tiranë-Durrës dhe ishulli i pa ndërtuar në lumin Osum në Berat, janë asgjë përballë dështimeve të mëdha. Por ato janë simbolika e thjeshtë se, kjo qeveri me timon, me kazan dhe tepsi bashkë, është akoma më e keqe edhe se sa në momentin më të keq të mandatit të parë. Ajo thjesht vuan sindromën e mandati të dytë dhe vetëm një mrekulli nga qielli mund ta kthejë atë në rrugë të mbarë, për 3 vite të tjera!

Arsyet e mos arsyes për ndryshimin ose jo të qeverisë, i di vetëm vetë. Por të arsyetosh se, me çfarë do t’i zëvendësosh ata që përfaqësojnë pikat e dobëta, është dilentatizëm politik. Vetëm ndryshimet në qeveri do ta shkundnin shumicën, që dremit mbi dafina. Nëse Rama ka frikë se ndryshimet do të sjellin pakënaqësi, janë frikë e largimit nga pushteti, një cilësi që ai nuk e ka patur. Por, këtë herë, duket se e ka në prag. Sindroma e mandatit të dytë është e pashmangshme në Shqipëri.

ARROGANCA

Në Asamblenë e PS-së më 28 prill, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha:

“Kërcënimi që ne të etiketohemi si arrogantë; pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë që ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante, sepse është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme dhe cila pjesë e qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për mos tu përsëritur gabimi që duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin, të gjendemi përballë një reagimi që në fund të lë në ballë etiketën e arrogantit”. 

Zoti Rama, po ta shkruaj unë!

Mbështetur madje në fjalët e tua: Arrogantë janë ata/ato ministra dhe drejtorë që kanë turkun në vete. Arrogancën e ke masive në qeveri, nga lart-poshtë dhe poshtë-lart. Arrogancë tipike nga ajo që përpara se të merrje drejtimin e e qeverisë e demaskoje si sëmundje të pashërueshme. Dhe tani e ke po aty. E ke ulur, por kjo ulje është e papërfillshme. Ke arrogancë në zyra, në administratë, në tatime, në dogana, në spitale, në shkolla, kudo. E premtove, por nuk e shërove dot këtë sëmundje që lind që me merrjen të një çikëz pushteti të shqiptarit. Gabimi juaj i rëndë është se premtove që do ta shkulje nga rrënjët. Jo. Nuk e shkule. Aty e ke, jeton bashkë me ju.

Ke drejtorë që janë arrogant dhe fryhen si gjela se, sipas tyre, e kanë mirë me ty dhe ministri i linjës as që i duhet.

Ke ministra arrogantë, që kanë dhe besojnë se Shqipëria do ishte keq e më keq, nëse ata nuk do të ishin ministra.

Ke sekretarë, shefa, titullarë dhe përfaqësues të qeverisë, që janë më arrogantë edhe se ju vetë. Madje, më arrogant edhe se sa në momentin tuaj më arrogant!

Ke drejtues lokalë që i marrin të keqen edhe ministrave për nga arroganca! Ata janë bejlerë, agallarë, pashallarë, gjithfarësoj osmanllinjsh, por vetëm kryebashkiakë dhe drejtorë të një shteti serioz, nuk mund të jenë. Por ju, zoti Rama, jo vetëm që i keni aty, por faji juaj është se po mendoni si t’i rikandidoni përsëri. Në fakt, nuk është faj, por është krim.

Kancelari gjerman Bismark thoshte: Mund të qeveris një vend me ligje të dobëta, mjafton të ketë nëpunës të fortë. Qeveria juaj ka vështirësi pikërisht sepse nuk gjete, nuk bërë dhe nuk do lësh nëpunës të fortë. Nuk e arrite këtë, zoti Rama! Ishte basti yt më i fortë dhe unë nuk pres që ta arrish në 3 vitet e ardhshme. Është shumë e vështirë të drejtosh anijen shqiptare të qeverisë. Ajo nuk është bashkia e Tiranës. As ajo e vjetra e as kjo e reja.

EKONOMIA

Me rritjen ekonomike pak më shumë se 2 për qind, Shqipëria është asgjë në këtë drejtim. Tani duket sikur vjenë nga para dy dekadash premtimi se, ekonomia do të kishte një lulëzim dhe se varfëria do të merrte fund një herë e përgjithmonë. Por pamjet në banesën e një familjeje të varfër në Shijak, ashtu siç e tha edhe vetë kryeministri, ishin më keq se sa ai e kishte menduar. Kjo ishte ironi dyfishe, se aty mund të ishte Lulëzim Basha dhe jo Edi Rama; ironia e dytë është se, Rama e tregon vetë sa të varfër janë shqiptarët. Unë e kam shkruar edhe herë të tjera: Të gjitha mund t’i falen kësaj qeverie, por ekonominë kurrën e kurrës! Çmimet e artikujve rriten dhe domatja 250 lekëshe e gushtit, duket sikur thërret, ulërin dhe thotë: Kjo nuk ka ndodhur në 100 vitet e fundit.

Investitorët e huaja shihen me dylbi dhe trendi i ri qeverisjes së Ramës është që biznesmenët shqiptarë po blejnë gjithçka në emër të mbështetjes qeveritare dhe duket sikur po dëbojnë biznesmenët dhe investitorët e huaj. Kjo është shenja më e keqe dhe më e rëndë që kemi parë në këto 28 vjet. Disa herë ka premtuar Rama se, shumë shpejt do shikojmë investitorë të huaj dhe në fakt kemi parë biznesmenë shqiptarë të mëdhenj, të njohur për borxhe të mëdha. Epo, me këta nuk shëndoshet ekonomia shqiptare! Me këta biznesmenë ekonomia vetëm rrëzohet. Vërtet gjatë këtij viti, 300 milionë euro të fituara nga biznesmenë të huaj në Shqipëri, ikën jashtë, por një investitor i huaj në vendit tonë, është sa qindra investitorë vendas rishtarë, fodullë, pa eksperiencë dhe pa rendiment. Natyrisht që Shqipëria ka biznesmenë të suksesshëm, por duket se ata të suksesshmit dhe seriozët merren me punët e tyre dhe nuk u del koha të drejtojnë dhe darkojmë me politikanë, ministra dhe kryeministrin, për të marrë ndonjë llokmë të madhe.

SIGURIA

Është komplekse, kjo fushë. As zbulueshmëria 100 për qind e as shifra 54 e vrasjeve në një vit, nuk duhet të quhen më arritje të policisë. Përveç raporteve ndërkombëtare për drogë, pará të pista dhe banda kriminale, 70 të vdekur në aksidente 3 muajt e fundit dhe situata në Shkodër, është alarmante. Për ministrinë e Brendshme, kryeministri Rama ka më shumë arsye ta mbështesë, se sa ta kritikojë. Fjalët dhe thashethemet se mund të heqë ministrin Xhafaj, bëjnë më se të lumtur vetëm problematikët e vetingut në polici. Kjo sjell lëshim të punës, pasiguri, mungesë angazhimi. Është pikërisht ajo që i duhet krimit. Nuk mund të funksionojë në normalitet një polici, kur si nga opozita dhe nga vetë shumica ka tendencë për ta larguar ministrin. Opozitën e kuptojmë, por fakti është se sulmet ministrit i vijnë nga shumica. Megjithatë, më e rëndësishme se kjo, është mbështetja që Rama duhet t’i japë Policisë, me mjete dhe moral. Larg show-t medatik, sepse suksesi i policisë nuk vjen me një dron që filmon shpejtësinë e makinave në rrugë.

………

Në librin e tij “Kurban”, Edi Rama shkruan: “Im atë më thoshte se, asgjë s’vlen më shumë, se sa të lësh pas një kujtim të mirë. Ai ia arriti.

Si do thuhet për Edi Ramën kryeministër, kur të mos jetë më në këtë detyrë? Në këto 5 vjet, nuk besojmë se kujtimet janë shumë të mira. Më mirë dhe bukur se kushdo e ka lënë po vetë Rama me shkrim: Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni o përgatituni për të lënë anijen!

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

SHKARKO APP