Aleksandër Çipa: Lamtumirë Moikom Zeqo, një ndër më të diturit shqiptarë të sotëm !
Nga Aleksandër Çipa*
Moikom Zeqo, pasi e raskapiti prej disa kohësh vdekjen dhe sëmundjen që e parapriu atë, i mbylli sytë, në orët e natë-mëngjesit të datës 15 qershor 2020. U lartësua në dijeninë publike dhe në njohjen e shumëfishtë, në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, si personaliteti me kontribute dhe dije për shumë lëmi. Fusha të tilla si letërsia, arkeologjia, historia, albanologjia, muzeologjia, artet figurative, memorialistika, etj., etj, kanë qenë pjesë e opusit të madh të krijimtarisë dhe zënies së tij për më shumë se pesë dekada kohë intensive.
Moikom Zeqo në 71 vitet e jetës së vet fizike, dëshmoi se kufijtë e punës individuale ishin të zhbërë sa herë ritakohej me njerëzit dhe me letrën. Mbi 100 tituj librash mbartin autorësinë e tij. Një demiurg i vërtetë i punës shkrimore dhe i kontributit studimor, që për nga volumi dhe thellësia paraqitëse, tejkalon ndoshta edhe disa institucione së bashku. Moikomit do t’i shkonte përcaktimi i Apolinerit për Faik Konicën si një “enciklopedi shëtitëse”. Ai nuk ishte shëtitës, por një studiues i cili e kishte kapacitetin dhe vlerën e dijes, vrullin dhe prurjen shkruese në masën më të pazakontë dhe të pakrahasueshme me sivëllezër të vet, studiues e shkrimtarë. Moikom Zeqo solli në bibliotekën tonë kombëtare aq shumë tituj librash dhe materiesh të larmive kulturologjike sa vështirë t’i gjejmë një shemërak në hapësirën aktuale të skenës sonë.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, të cilit I dhuroi një kontribut dhe investim themelor në fushën e arkeologjisë dhe muzeologjisë. Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë kreu edhe arsimin fillor. Në vitin 1967 nisi studimet në Fakultetin Histori Filologji, të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në 1971 në degën Gjuhë-Letërsi shqipe. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Marrëdhënia e Moikom Zeqos me mediat më të rëndësishme të shkruara të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe sidomos të shtypit letrar e kulturologjik botëror, përbën një kontribut dhe aspekt të parrokshëm dhe fatkeqësisht ndoshta edhe të pa bibliografueshëm.
Në vitet 1979-1987 ishte punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit, iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
Moikom Zeqo është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është autori i 62 librave me poezi. Dhjetra libra të tjerë autorialë janë me studime arkeologjike, për historinë e artit, me prozë, eseistikë dhe publicistikë. Eshtë realizues i një numëri të konsiderueshëm skenaresh për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor si dhe i dokumentarëve të ndryshëm të natyrës eksploruese dhe investiguese në pasurinë arkeologjike detare dhe tokësore. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij.
Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Ai eshtë autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Eshtë një ndër personalitetet e rëndësishme të vendit që në debatet e zhurmshme publike dhe pëer çësthjet më kruciale të kohës është përfshirë duke përcaktuar drejtpeshimin dhe orientimin e matur e të mençur kombëtar.
Si një mjeshtër i shkrimtarisë në dhjetra zhanre, Moikomi shkroi për botën arkeologjike, për historinë shqiptare të pandricuar plotësisht dhe krijoi besimin se në genin shqiptar do të rishfaqen diturakë e studiues të paisur me krenarinë e njohjes dhe erudicionit, të cilët rrokën dhe do të rrokin magjepsjen sipas konceptit të pafundshmërisë. Moikomi ishte një ndër ata shkrimtarë eruditë që mundësonte mishërimin e së thënës së Borhesit që “kur fliste përmirësonte heshtjen”.
Moikom Zeqo do të mbetet në kujtesën publike dhe atë të komunitetit të gjerë të kulturologëve e shkrimtarëve shqiptarë, por sidomos gazetarëve, si njëra ndër figurat diturore më unike të shekullit XX-XX!, Moikom Zeqo triumfonte nga krenaria për volumin e leximeve të veta dhe nga modestia se sa shumë shkroi. Ai kishte gjuhën që meritonte, të të diturit dhe të të palodhurit. Me Moikomin përgjatë periudhës së vuajtjeve dhe lëndimeve fizike, ngjau si në të thënën e Jorge Luis Borghes:” Të jesh i pavdekshëm është e zakonshme; përveç njeriut të gjitha krijesat janë të pavdekshme, sepse ato nuk e njohin vdekjen; hyjnore, e tmerrshme, e pakuptueshme, është ta dish se je i pavdekshëm”. Moikomi e dinte se i kishte shkruar të rëndësishmet dhe kërkonte një kohë shtesë të shumëfishonte shumëçka. E lodhi punën, por nuk u lodh prej saj. E la atë në mes, (sikundër ndodh rëndom), por duke qenë dhe mbetur përherë ndër të vetmit, me kaq shumë punë të kryera.
*Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë