Aleksandër Çipa: Si sot, 25 vite më parë, ” unë vdekjes i qeshë fare pranë”
Nga Aleksandër Çipa:
Si sot, 25 vite më parë, ” unë vdekjes i qeshë fare pranë”
Rrëfim si Personazhi real
Ishte pikërisht 13 shtator 1998.
Tek ky vend që sot e fotografova me telefonin tim, atë ditë nuk kisha asnjë mundësi të fiksoja diçka nga ajo dramë në prag tragjedie.
Sot rastësisht u ndodha këtu, (vend të cilin e fiksova edhe kur shkova edhe kur u ktheva), për arsye pune.
Është një ditë e bukur Gjirokastre dhe shtatori.
Vendi quhet Kordhocë, një emër i përmendur disa herë nga kronikat shqiptare të tranzicionit dhe që nuk ndodhet më larg se dy kilometra nga hyrja jugore e qytetit.
Ajo ditë, ishte pjesë e skenës së kohës me rrokullima politike e shoqërore të Shqipërisë. Nuk ishte kulmi i tranzcionit postkomunist, por ishte një ndër kulmet e marrëzisë dhe kohës rrokullisëse me shumëçka të rrokopujshme.
Kishim qenë në një kongres ballkanik gazetarësh në Selanik. Tri ditë më parë, kishte ndodhur në Tiranë vrasja e Azem Hajdarit. Trazirat që ndodhën janë të njohura. Dëshmitë ende mbeten të paplota për dijeninë publike.
Atëhere punoja për BBC në shqip dhe isha reporteri i ” Koha jonë” me emrin publicistik Aleksandër Bregu. Ndërkohë, kryesoja si kryeredaktor gazetën më të zëshme rajonale në vend ” Java”, ku shpesh shkruaja edhe me emrin Ardian Dhrami. Redaksia e ” Javës”, aty ku është tashmë e rënuar godina e Qendrës së ( munguar) të shtypit, para 8-9 muajsh ishte sulmuar, shkatërruar e djegur nga fanatikë politikë dhe banditë primitivë.
Në këtë godinë ishin disa gazeta të qytetit, dy prej të cilave të minoritetit grek. Por “Java” ishte më e rëndësishmja dhe më me ndikim. Investimi më i madh imi dhe i bashkëpronarit, drejtorit të gazetës Habib Jashari, ishte shkatërruar e shkrumbosur në mënyrë të pariparueshme në ndodhi të 1997. Pamvarësisht kësaj, nuk morëm vëmendjen e mediave kombëtare, sepse paqëndrueshmëria e shtetit dhe rrokopuja e nëntëdhjetëeshtatshme, nuk kishte shikim për periferitë apo skajet e atdheut si Shkodra dhe Gjirokastra ku kishte një histori të re dhe të freskët kurajoje dhe guximesh të admirueshme gazetarësh lokalë.
I vetmi shkrim i plotë për këtë “heroizëm gazetarësh lokalë” në jug të vendit, ishte botuar në “Washington post”
Me grupin e gazetarëve nga qyteti im, Thanas Dino, Raimond Kola, Engjëll Seriani u ndamë nga kolegët e Tiranës. Ata do të riktheheshin në atdhe nga Dhrama, afër Selanikut, përmes Kapshticës, ndërsa ne, nga Kakavia.
Ishte një ditë me shi të rrëmbyeshëm.
Gjatë kthimit nga Dhrama, deri në Kalpaq, disa kilometra larg Janinës, shihnim rrëshqitje të shpeshta dherash e gurësh dhe aksidente automjetesh për shkak të baltës.
Automjeti im tip “Benz”, ia arriti të kalonte Kakavien. Kishte ankth gjithkund, matanë syve dhe makinës…
Në Tiranë kishin ndodhur gjëma dhe bëma me urrejtje, klithma dhe nëma…
Rruga nga dogana në Gjirokastër ishte e shkretuar.
Të paktët persona që pyesnim, na thoshin po bllokohet rruga në Lazarat.
U nisa, duke pasur edhe ankthin për familjen, sidomos dy djemtë; i madhi 5 vjeç dhe i vogli një.
Grupet e armatosura kishin vendosur regjimin e anarkisë dhe terrorizimit më rëndom, nëpër skajet e rrugëve. Madje ato, në ato ditë, ishin si e thënë me vargun e poetit Ali Podrimja:” Në udhët e nëmura të Jugut”.
Shteti ishte i rënë, prej ’97 dhe vijonte edhe në ato ditë të ’98-s.
Pasi kaloj me shpejtësi rrugën e drejtë përgjatë dhe përballë fshatrave të Dropullit, kaloj Lazaratin dhe kur gjendem në dalje të lagjes Kordhocë, përballë karburantit të vëllezërve Boci, shoh një grumbull të madh dhe të armatosur njerëzish në mosha të ndryshme.
Kishin vendosur postbllok dhe ishin agresivë.. Makinat e pakta që kalonin i shihnin, kontrollonin dhe ndalonin, sipas tekave.
Në makinën time ishin vetëm dy kolegët, Thanas Dino dhe Raimond Kola.
Disa nga djelmoshat e egërsuar tek turma e armatosur, sapo më njohën, nisën britmat urdhëruese për ndalim të makinës dhe daljen prej saj. Makinën instiktivisht nuk e fika.
Pesë-gjashtë prej çunave, fytyrëegërsuar, pothuajse e mbuluan me trup autoveturën time. Më urdhëruan të dal jashtë, duke më rrëmbyer për krahësh, dhunshëm.
Njeri prej tyre më drejtohet:
– Unë të kërkoj në qiell, ti më del në Tokë!
Isha thjesht një reporter i ri në moshë, por i maturuar për shkak se kisha më tepër se 9 vite punë nëpër gazeta, radio dhe shtypin më të rëndësishëm të asaj kohe.
Urdhri i personit që “më kërkonte në qiell” u mor vesh qyshse kur më goditi me kokë në ballë…
Mjaftoi kaq që mbi trupin tim të imët të hidheshin breshëri me goditje, ndër të cilat më gjakosëset disa bajoneta që më çanë në dy vende krahun dhe parakrahun e majtë dhe hematoma të tjera nëpër trup. Në gjithë këtë mësymje mbi shtatin tim, (edhe sot më kumbon në memorie dhe ndërgjegje, por sidomos nuk më shqitet nga kujtesa, thirrja sadiste e një burri të thinjur, ndoshta 57 vjeç, shtatëlartë, i cili klithte:
Vriteni qenin!!!
Episodet e dhunës, goditjeve me të gjitha format, kondakë, gurë, shkopinj, e sende të tjera metalike mbi mua, për shkak të kontraktimit dhe nxehtësisë trupore nuk i ndieja. Natyrisht në të gjithë këtë vërsulje isha në këmbë dhe vetëm i përgjakur.
Pikërisht në atë çast, kur nuk po mbaronte skena e cila nuk mbaj mend sa zgjati, kur sulmi linçues e gjakues mbi mua po bëhej i pandalshëm dhe i pamëshirshëm dhe drejt një fundi që s’dihej, një djalë ndoshta 30 vjeç, emigrant i kthyer nga jashtë dhe që po investonte në pikën e karburantit që ndodhet në këtë vend, me mbiemër Boci, me trupin e tij sportiv u bë mburoja ime shpëtuese. Në çast më urdhëroi:
– Futu në makinë dhe mbathja!
U ula në sediljen e makinës. Zoti ma kish lënë derën e shoferit hapur. Krejt rrobat e trupit ishin bërë të mbuluara nga gjaku. Instikti dhe tipi im sanguin më dha energji dhe nxora një shtëllungë tymi pas makinës, nga shkelja e pedales së gazit. Për fatin tonë, (pra edhe të kolegëve në makinë), 10 metra para nga vendi ku ishte ndalur makina, është një kthesë e butë e dyfishtë. Fat që hyra në të, pasi ndërkohë mbi ne u derdhën breshëri plumbash, tre prej të cilëve lanë gjurmë gjatë në llamarinat e makinës si dhe klithma dhe inat pse ” shpëtoi gjahu”…
Kisha humbur shumë gjak, ndërsa makina brenda, ishte bërë pellg prej tij. Kaloj me shpejtësi ish Fabrikën e Këpucëve dhe marr kalldrëmin e lagjes ” 11 Janari”. Kur dal në pikën kulmore të kalldrëmit për të zbritur segmentin përballë spitalit “Omer Nishani”, trupi im kishte humbur gjak. Aty afër ishte apartamenti me qira i mikut tim të ngushtë, kolegut Hysni Çani. E para qytetare që na pa, zonja e Novruz Bimes, me klithmë, futet brenda dhe del me disa fasho dhe një shishe raki në dorë… Pas mjekimit të parë, nisem urgjent në spital. Plagët e kishin zbrazur shumicën e gjakut tim. Në spital hyj në të fikët. Kalojnë disa orë dhe kur kishte përfunduar mjekimi dhe fashimi, si i “plagosur i luftës” nisem drejt pallatit tim tek Kodra e Shtufit, mbi Godinat e Universitetit ” Eqrem Çabej”. Zonja e gazetarit P. Barka, zonja Elvira, spartane dhe e kujdeshme si mesuese edukimi fizik, më ndal të ngjitem në katin sipër ku ndpdhej apartamenti im i ri. Qëndro këtu se do tmerrosh familjen, më thotë. Kaloj disa çaste aty dhe pak më vonë thirri Klarën të zbriste, e cila u tmerrua nga fashimet e mia.
Lajmin në kushte të pamundësisë verifikuese i pari e jep kolegu i DW, miku im gazetar e shkrimtar Odise Kote. Njëherësh edhe miku i shtrenjtë Ëngjëll Seriani i cili raportonte për Rojter.
Qyteti të nesërmen ishte tronditur. Tronditjet e tij kishin një vit që nuk soseshin… Por tronditjet e veçanërisht ato mbi njeriun, ai qytet i ndien më tepër se shumëçka.
Kanë qenë me qindra dhe mijëra interesimet për shëndetin dhe ngjarjen timeatë ditë dhe pasueset.
Këtë ngjarje të rëndë, e kisha stivosur në thellësi të kujtesës sime…
Ma nxori dje në krye të vëmendjes Ëngjëlli, ndërsa po bashkëkryenim një aktivitet për kolegen Violeta Duri e cila ka botuar një libër të lezetshëm me rite, këngë dhe tekst me vlera të etnokulturës nga Zagoria e dashur.
Pas kthimit mbrëmë natën, në apartamentin tim modest në Tiranë, ndërsa u ula të shlodhesha, befas më tingëlloi fakti që rizbuloi Lushi:
-Sot është 25 vjetori i asaj ngjarjeje që pësoi Sandri dhe përjetuam dhimbshëm ne!
Ndërsa po shkruaja këto radhë, im bir Akri, sapo kishte marrë avionin nga New York-u për në Tiranë. Në kokën time, me mendjen e prindit nisi gërgëlitjen supersticioni:
-Po sot në 25 vjetorin e një mundësie për vdekje, po niset ky!!!..Nuk ia thashë as vetes!!! Në të gdhirë të ditës, më njoftoi mbërritjen…, dhe unë hoqa dorë nga supersticioni dhe vijova të evokoja përmes kujtimit shkrimor atë ditë ” kur unë vdekjes i isha fare pranë”…
Tashmë, prej 25 vitesh pas atij episodi, unë sikundër e thoshte perandori Marcus Aurelius:” Eci në udhët e natyrës derisa të vijë dita që të bie e të prehem;…”
Gjirokastër 14 Shtator 2023
P.S: Foto nga vendi i ndodhisë së para 25 viteve, Kordhocë- Gjirokastër.