Aleksi ynë!

Nga Mero Baze

Albin Kurti nuk e ka fshehur ndonjëherë veten. Ai ka hyrë në politikë nga vetëorganizimet politike në rrugë që nga koha e protestave studentore në Kosovë në vitin 1997, kur me flokët lëshuar si Bob Marley përleshet me policët serb . Ai ka vazhduar më pas si veprimtar i krahut nacionalist, si i burgosur politik i Serbisë, si refuzues i statusit ndërkombëtar të Kosovës, si dyshues i legjitimitetit shtetëror të saj dhe tashmë si politikan i opozitës.

Nëse politika shqiptare ka ndonjë revolucionar të mirëfillt në politikë, që ka ndërtuar gjithçka me duart e veta, është ai. Ka një zgjuarsi natyrale, një formim dhe edukim të pëlqyeshëm dhe një nuhatje për të gjetur vendin që i takon në çdo kohë në skenën politike të Kosovës. Është tipik një revolucionar i majtë, një i ri i gjeneratës refuzuese për establishmentet shtetërore të mbështetura nga Perëndimi. Lëvizja e tij, në thelb është SYRIZA e Kosovës. Ai i ngjan Aleksis Cipras, jo vetëm se nuk mban kollare, por se ka arritur të bëhet shpresë e një gjenerate të re, të cilët nuk gjejnë më  dyer për të trokitur, në një shoqëri dinastish dhe lidhjesh klanore.

Më shumë se sa një nacionalist i tipit perëndimor, ai është një izolacionistë, një lider që e refuzon bashkëpunimin me Perëndimin, si një mundësi më pak për të qenë sovran. Nacionalizmi i tij, nëse do ta quajmë të tillë, i ngjan në thelb izolacionizmit të SYRIZA-s, që përpiqet të shpëtojë Greqinë nga borxhet duke mos i folur më me gojë borxhmarrësit. Njëjt, Albini po përpiqet ta “shpëtojë Kosovën” nga detyrimi që ka ndaj Perëndimit, duke i ia prerë drutë shkurt Perëndimorëve në Kosovë.

Ka shumë të drejtë dhe shumë mbështetje kur flet për korrupsionin dhe pafuqinë politike të shtetarëve të Kosovës për të qenë dinjitoz, kur janë dhe të korruptuar. Njëjt si Aleksis Cipras në Greqi, ai është figura  e duhur pa kravatë, për të folur për ata që u gdhin barkëtharë dhe u errën milionerë nga pushteti.

Sa i përket ideologjisë, ai është një majtistë radikal i sinqertë, që nuk ngjan me enverizmin e Shqipërisë, por që përdor të njëjtat parime idealiste që ata përdorën për të marrë pushtetin, duke evokuar kështu butaforinë e tyre.

Ka shumë kritika ndaj tij sa i përket protestës së djeshme dhe dhunës që shpërtheu në rrugë. Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë gjë, që s’ka ndodhur askund. Të majtët grek derisa morën pushtetin digjnin rregullisht Athinën çdo vit, aq sa u ra pazari dyqaneve në sheshin qendror dhe sidomos në rrugën pranë Universitetit. Të gjithë e dinin se kur hidheshin molotov, kur bëhej sikur vihej kuja për një djalë të ri 19 vjeçar që i mbeti në dorë policisë, apo kur shëtitej me “Llukanikun” qenin që flinte para “Hotel Grand Bretagnia”, nga pas ishin majtistët e SYRIZA-s dhe fraksioneve të tjera komuniste që e kishin dhunën sport të tyre. Aleksis Cipras, u ngrit mbi gërmadhat e tyre.

Njësoj si majtistët tradicionalë anti-fashistë, Albini shprehet kundër ndalimit për të marrë pjesë në luftëra ndërkombëtare, duke qenë partizan i solidaritetit nën shembullin e Brigadave të Kuqe, që shkuan të bëjnë Spanjën republikane. Edhe pse këtu ka shumë debat nëse kjo është një maskë për mbështetësit e tij të fshehur myslymanë, ai e justifikon me internacionalizëm, siç justifikon Cipras kundërshtimin e masave të Brukselit kundër Rusisë së tij aleate.

Dhe në rrugën drejt pushtetit kanë shenja të ngjashme. Cipras u lëkund, por refuzoi më në fund t’i bashkohej Koalicionit të Madh në zgjedhjet e kaluara, duke qëndruar në opozitë dhe duke pritur rradhën. Njëjt, Albini tentoi t’i bashkohej një blloku qeveritar, por duke ndenjur jashtë tij, derisa më në fund mbeti në opozitë të pastër.

Unë nuk jam një adhurues i SYRIZA-s dhe natyrisht nuk do të isha një votues i Albinit nëse do të isha në Kosovë. E çmoj shumë fuqinë e tij për ndryshim dhe jam kundër çdo denigrimi dispropocional, që tenton të barazojë xhamat e thyer me zemrat e thyera nga qeverisja e keqe.

Nuk mund të mos e çmoj rolin që kanë lëvizje të tilla, për të çmontuar regjime të korruptuara apo tronditje të kastave të vjetra simetrike që sundojnë gjatë në emër të demokracisë.

Dhe mendoj se kur dikush si Bushati, Blushi, apo Lubonja, çmojnë Aleksis Cipras, duhet të çmojë dhe Albin Kurtin. Të dy janë revolucionarë, mjeshtër të çmontimit të pushteteve të korruptuara, por iluzionistë që kam frikë se nuk do t’ia dalin dot të ndërtojnë “një botë të re”. Krahasimet e adhuruesve të Aleksit, mes Edi Ramës dhe Aleksis Cipras nuk vlejnë, pasi Edi Rama as do, as di dhe as është “Aleksi ynë”!

“Aleksi”, fitmitar i Athinës nuk është një manekinë që mund të shetit në cdo kryeqytet të Ballkanit, për tu përdorur kundër liderve që duam apo nuk duam ne. Aleksi dhe Syrizia e tij, janë modele që kanë të ngjashmit e tyre. Edi Rama, Lulëzim Basha, Hashim Thaçi apo Isa Mustafa mund të jenë viktima të këtij modeli apo varrmihës të tij, por jo të ngjashmit.

Kush e adhuron Aleksin, për të qenë i sinqertë duhet të adhurojë dhe Albinin. Ai është Aleksi shqiptar. Në të kundërt duartokitjet për Aleksin, ngjajnë si hipokrizi. Në Tiranë ngjajnë si hall, ngaqë nuk kemi një Aleks të na mund Edi Ramën, dhe në Prishtinë, si një keqardhje që po na rrezikon miqtë tanë.

Marrë nga gazeta "Tema"

SHKARKO APP