Alfred Peza, kryeministrit Rama: Duhet të dalësh 24 orë në 24 në televizor!
Ish-gazetari i njohur dhe funksionari edhe më shumë i njohur mediatik i Partisë Socialiste, Alfred Peza, nëpërmjet një shkrimi të famshëm, i bëri një thirrje shumë të hapur dhe shumë përgjëruese, liderit suprem Edi Rama.
– Edi Rama duhet të dali (autori ka dashur të thotë dalë) çdo ditë në televizor! Edi Rama duhet të jetë non-stop nëpër rrjetet sociale. Edi Rama duhet të jetë 24 orë në 24 orë, përpara kamerave…vetëm kështu Edi Rama do i japi (autori ka dashur të thotë japë) shqiptarëve një pasqyrë të qartë, për të parë, si atë, ashtu edhe kundërshtarët e tij, – deklaron bujshëm dhe me forcë Alfred Peza, në shkrimin e tij.
– Të pafuqishëm për ta rrëzuar me revolucionin e elitës së tyre të korruptuar. Të pamundur për ta djegur me flakët e mandateve të tyre të pamerituara, të tërbuar që nuk e rrëzuan me ç’dekretimin e zgjedhjeve që nuk i duan, të paaftë për ta mundur me bojkotin e 30 qershorit…duan ta mundin tek komunikimi me qytetarët. Në media. Në rrjetet sociale, – vijon me pathos ish-gazetari, logjikën e tij.
Gjëja më e tmerrshme që duan t’i bëjnë Edi Ramës, është sipas Pezës: Që të mos takojë banorët e dëmtuar nga tërmeti. Të mos shkojë më në shtëpitë e viktimave të tragjedisë së 26 nëntorit. Të mos bëjë më mbledhjet e qeverisë live që në 7:00 të mëngjesit. Të mos i çojë vogëlushët që u hodhën nga dritaret natën e tmerrit, në shkollë. Kërkojnë që Edi Rama të mos bëjë as batuta e të mos veshi (autori ka dashur të thotë veshë) as tuta.
– Edi Rama, – thotë ish-gazetari shumë i njohur Peza, – si mjeshtër i komunikimit, loz me kundërshtarin (autori ka dashur të thotë luan), si macja me miun. U del përpara gjithë ditën. E në ëndrra gjithë natën…
Të gjitha këto që përmendëm më lart, janë arsyet përse Alfred Peza, e urdhëron liderin, që të dalë (dali siç thotë ai) në televizion, 24 orë non stop.
Ky shkrim, që po kërkohet gjithandej, me pishë e me qiri, për t’u lexuar dhe rilexuar nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, është ribotuar edhe nga media prestigjioze “Koha Jonë”. Kjo është edhe arsyeja që edhe ne, të nderuar lexonjës, po e botojmë të plotë më poshtë.
Shkrim i plotë i Alfred Pezës, botuar në portalin “Alpe News”:
Pse Edi Rama duhet të dali më shumë në televizor.
Edi Rama di shumë mirë një gjë për të gjithë kundërshtarët dhe armiqtë e tij, të cilën e kanë po kaq të qartë, edhe mendjet e ftohta e racionale të këtij vendi. Ai do të iki nga pushteti, jo atëherë kur këtë të vazhdojnë e tia kërkojnë dëshpërimisht të gjithë ata bashkë, apo veç e veç. Por vetëm atëherë, kur këtë ta vendosin me votë, të gjithë qytetarët shqiptarët.
Të pafuqishëm për ta rrëzuar me “revolucionin” e elitës së tyre të korruptuar. Të pamundur për ta djegur në flakën e mandateve të tyre të pamerituara. Të tërbuar që nuk e rrëzuan me çdekretimin e zgjedhjeve që nuk i duan. Të paaftë për ta mundur me bojkotimin e 30 Qershorit që do ishte humbja e tyre finale. Tani janë bërë dëshpërimisht të gjithë bashkë, për ta mundur, në të vetmen pikë që nuk munden.
Duan ta mundin tek komunikimi me qytetarët. Në media. Në rrjetet sociale. Në diskursin publik. Dhe zgjidhja që kanë gjetur këtë radhë për tia arritur qëllimit, është gjeniale. Kanë disa kohë që tani në kor po këndojnë këngën absurde: Edi Rama të mos dali më në televizor!
Nuk e mundën dot as kur u futën dhe u bënë të gjithë bashkë në çadrën e “Republikës së Re”. Nuk e mundën dot as kur u bënë bashkë pasi u futën edhe brenda qeverisë së tij. Nuk e mundën dot as kur dolën për tu bërë të gjithë bashkë, jashtë sistemit. Nuk e mundën dot as me “Babale”. As me thirrje për armatosjen e shqiptarëve. As me votë.
Tani duan ta mundin duke e detyruar që të mos i takojë banorët e dëmtuar nga tërmeti. Të mos shkojë më në shtëpitë e viktimave të tragjedisë së 26 nëntorit. Të mos e bëjë më mbledhjen e qeverisë, live që në 7 të mëngjesit. Të mos i çojë vogëlushët që u hodhën nga dritaret natën e tmerrit në shkollë, për tua shënjuar momentin e rikthimit, në jetën e tyre të re e normale. Madje, kërkojnë që Edi Rama të mos bëjë më as batuta, e të mos veshi as tuta.
Edi Rama i mundi në mandatin e parë të gjithë bashkë dhe e fitoi të dytin, për ta qeverisur Shqipërinë vetëm. Me reformën në drejtësi, ia hoqi nga dora pushtetin e tretë, edhe pse ata kishin me vete, të katërtin. Duka e kaluar Drejtësinë e Re, nën kujdesin e drejtpërdrejtë, të SHBA dhe BE. Të gjithë opozitarët e dinë se Edi Rama është njeriu për tu mundur. Ndaj po i bëjnë të 99-tat, vetëm e vetëm se nuk e mundin dot, në atë të vetmen rrugë nga ku u duhet që të kalojnë për ta fituar pushtetin, në një sistem demokratik: Me votë.
Përtej kësaj shfaqje të kundërshtarëve të dëshpëruar e të tërbuar të Edi Ramës dhe përtej perimetrit të zonave të prekura nga tërmeti, jeta social ekonomike e vendit po vijon të rrjedhi normalisht. Arsimi, shëndetësia, biznesi, institucionet, shërbimet, arti, kultura, peshkimi, bujqësia dhe turizmi janë duke vijuar ritualin e përjetshëm. Me sukseset, dështimet, pasiguritë, fitoret dhe triumfet e tyre vogla a të mesme. Qeveria vijon punën normalisht. Parlamenti po e po. E po ashtu bashkitë dhe administrata qëndrore e lokale.
Por askush nuk ka ndërmend që të meret me to. Askush nuk ka një projekt alternativ për asgjë. Një program ndryshe për të diskutuar e debatuar. Një platformë për një qeverisje ndryshe. Për një menaxhim ndryshe të situatës në qarqet e Durrësit, Lezhës e Tiranës, përveç ca propozimeve të stilit kinez të Bashës në formën e “7 të mirave e 3 të këqijave”.
Askush nuk meret me jetën e shqiptarit përtej rrethit të vockël vicioz që nis nga selitë e partive, për të vijuar sallat luksoze të konferancave në hotelet me 5 yje të qendrës së Tiranës, e që vijon me Sheshin Skenderbej, për të përfunduar në darkë nëpër studiot e debateve politike televizive.
Për ta jeta e këtij vendi fillon e mbaron tek Edi Rama. Me Edi Ramën. Për Edi Ramën. E ai si një mjeshër i komunikimit, e di shumë mirë këtë. Ndaj loz me ta, si macja me miun e zënë në çarkun e një kurthi, që e kishin ngritur vetë. U del përpara gjithë ditën. E në ëndrra gjithë natën. Duke i bërë gjithnjë e më bashkë në tërbimin e tyre kolektiv, që nuk ka asgjë të përbashkët me hallet, shqetësimet, gëzimet dhe përditshmërinë e qytetarit të zakonshëm shqiptar.
Për aq kohë sa nuk duan që të rikthehen në jetën institucionale të vendit, Edi Rama duhet të dali çdo ditë në televizor. Për aq kohë sa nuk duan të rikthehen në tryezën e madhe të dialogut pa kushte, Edi Rama duhet të jetë non stop nëpër rrjetet sociale. Për aq kohë sa nuk duan që të rikthehen brenda sistemit të jetës politike dhe demokratike të Shqipërisë, Edi Rama duhet të jetë 24 orë në 24 përpara kamerave.
Sepse vetëm kështu, Edi Rama do i japi shqiptarëve një pasqyrë të qartë, për të parë si atë ashtu edhe kundërshtarët e tij. E më pas, të kenë mundësinë që të vendosin sërisht më 2021, se kush do ti qeverisë deri më 2025!