Alternativat kapitulluese
Nga Mero Baze
Për këdo që ka një ide politike nga opozita, tani shpëtimi shihet nëse duhet të bëjnë pazar me PS-në apo me LSI-në. Të zemëruarit me LSI-në, që nuk ia falin faktin që po u depërton në strukturat e tyre në PD, thonë që PD-ja duhet të bëjë marrëveshje me PS-në për një qeveri të madhe, me bazë të gjerë. Të tjerë që e shikojnë se nuk ia dalin dot me këtë formulë, po përpiqen të fokusohen tek shpresa se LSI e PS mund të nervozohen me njëra-tjetrën nga zhvillimet e fundit në zgjedhje dhe PD-ja mund të bëjë aleancë me LSI-në.
Kjo shkretëtirë idesh, sesi duhet të bëjnë politik për të ardhur në pushtet, ka prodhuar pra, të vetmin oaz shprese që është aleanca me dikë nga dy partitë në qeveri.
Po qe se këto teza do t’i tundin si alternativë njerëz kafenesh nuk do t’ia vlente të diskutoje, por shihet se ato i shikojnë si zgjidhje serioze dhe politikanë me rëndësi formale në opozitë.
Ky debat nuk i prodhon asnjë problem shumicës, përveçse i rrit rëndësinë, por ai është një debat kapitullues brenda opozitës. Të bësh debat se me kë ia vlen për të ardhur në pushtet, me PS-në apo me LSI-në, së pari e ka ndarë mendjen që nuk vjen dot më si e djathtë në pushtet. Ky kapitullim buron nga njerëz jo politik që kanë ngelur në zyrat e opozitës. Nga ata që nuk kanë ëndërr të prodhojnë politik dhe të bëjnë debat idesh, por vetëm të bëjnë llogari.
Ata janë kryesisht njerëz që politika i ka thirrur kur kishte ardhur në pushtet, thjesht për t’i përdorur si eunuk dhe sot ata nuk shikojnë më asnjë rreze shprese si opozitarë, përveçse dikush që t’i sjellë sërish në pushtet. Dhe mundësia e vetme sipas tyre është ose PS-ja ose LSI.
Së dyti, debati është shkatërrues për vet strukturat e PD-së që ndërkohë kanë filluar të degradojnë. Ato po shkojnë dita-ditës drejt LSI-së dhe me këtë frymë ata ndjehen pionierë të "politikës së re" që po trumbetohet në zyrat e SHQUP-it. Nëse Basha, Mediu apo dikush tjetër trumbeton se është mirë ose me Metën ose me Ramën, anëtarët e thjeshtë të PD-së e gjejnë vet më shpejt zgjidhjen dhe janë ndërkohë duke shkuar me Metën. Kjo do ta bjerr dita-ditës PD-në duke i humbur jo vetëm motivimin politik, por dhe moralin.
PD-ja ka qenë parti e madhe dhe po vazhdon të rezistojë si e tillë, duke u relativizuar në raport me LSI. Partitë e mëdha i mbajnë në këmbë fryma dhe idetë dhe jo pragmatizmi për një vend pune, apo skema e menaxhimit të vogël të pushtetit. PD-ja dhe PS-ja nuk ia dalin dot të futin çdo anëtar partie në punë, as të bëjnë të pasur çdo kontribues. Ato ose udhëheqin me frymë dhe moral, ose shkatërrohen. PD-ja është duke bërë gabim të pafalshëm jo vetëm pse ëndërron pushtet me aleanca fluide, por që nuk e godet këtë frymë. Nëse Basha dhe kushdo tjetër në krye të opozitës nuk dalin të bëjnë betejë kundër kësaj fryme, ajo besohet më shumë se çdo gjë tjetër dhe degradon opozitën.
Një militant i opozitës që dëgjon e shikon si alternativë një aleancë të mundshme me Ramën ose Metën, është një militant i shkrehur, i demotivuar për të qenë luftëtarë politik dhe i pamenaxhueshëm politikisht. Ai mendon vetëm se çfarë mund të përfitojë nga kjo situatë.
Degradimi i PD-së në këtë pikë është më shumë se kapitullues. Është një dorëzim pa kushte përballë kundërshtarëve.
Së fundmi, vërtitja rreth këtyre thashethemeve forcon padrejtësisht shumicën dhe mbyll çdo të çarë të mundshme mes tyre. Një shumicë që ka vënë në rresht opozitën, e cila po mendohet me kë të bëjë pazar, është një shumicë me fat, pasi e ka garantuar pushtetin. Opozita humbet kështu misionin e saj kryesor, atë të mbajtjes nën tension të pushtetit, duke u kthyer në një levë që mban gjithnjë lartë frymën e besimit të pushtetit, pasi e ka gati ofertën për të mos ikur nga pushteti.
Rënia në këtë standard dëmton rëndë çdo shpresë për opozitarizëm në këtë vend dhe lë shteg për një opozitë tjetër jashtë dyerve dhe oborrit të SHQUP-it. Një opozitë, e cila nuk mendon se me kë duhet të bëjë pazar për të ardhur pushtet, por çfarë pazari duhet të prish me fuqinë e saj për të ardhur në pushtet.
TEMA