Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri!
Nga Flutura Açka
Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.
Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare.
Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.
Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi.
Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.
Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer! F.A
***
Përmbledhje e veprave të tij shkencore
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë:
Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare),
Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature(Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.
Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004.
Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildës’hajm (Hildesheim) 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (l. 1942) në Who Will Slay the Ëolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina (l. 1949) në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha (l. 1948)në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova(S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Këto përkthime janë bërë në bashkëpunim me shkrimtaren kanadeze, Janice Mathie-Heck (Kalgari)./