Ambasadori i OSBE: Ku janë paditë? Ku janë dënimet e të korruptuarve?
OSBE vlerësoi sot se korrupsioni është një problem serioz për Shqipërinë dhe investimet e huaja, ndaj në Tiranë duhet bërë shumë më tepër për ta luftuar atë.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se nevojitet përfundimi i hetimeve dhe dënimeve për zyrtarët e korruptuar.
“Ne ndihmuam në ngritjen e portalit “stopkorrupsioni”, falë të cilit mbi 100 raste korrupsioni u dërguan në prokurori. Po ku janë rezultatet? Ku janë paditë? Ku janë dënimet? E njëjta pyetje duhet ngritur për krimin zgjedhor. Rastet e blerjes së votës i janë referuar prokurorisë. Ku janë paditë? – pyeti ambasadori Borchardt.
Njëlloj ai pyeti për rezultatet e munguara edhe për transparencën e financimit të partive politike, ku bashkësia ndërkombëtare kërkoi të ngrihej një sistemi auditimi efektiv dhe llogaridhënës.
Fjala e plotë e Ambasadorit
Është kënaqësi të jem këtu sot, në aktivitetin përmbyllës të Projektit “Mbështetje për Masat Antikorrupsion”. Dua të falënderoj Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si edhe Shkollën Italiane të Administratës Publike, për besimin dhe mbështetjen e tyre. Megjithatë, duhet theksuar se një pjesë e madhe e suksesit të kësaj nisme i takon edhe angazhimit të përfaqësuesve të qeverisë, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe studentëve. Idetë, bashkëpunimi dhe angazhimi juaj kanë qenë thelbësor për ta çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët: luftën kundër korrupsionit.
E konsiderojmë këtë projekt si një arritje kundër korrupsionit. Kjo është e dukshme nga bashkëpunimi i shkëlqyer i arritur mes aktorëve të ndryshëm, që përfaqësojnë shoqërinë civile dhe institucionet.
Bashkëpunimi me një larmi kaq të madhe aktorësh ka sjellë rezultate shumë pozitive. Disa shembuj janë Kodi i Sjelljes kundër Mitës për komunitetin e biznesit, kurrikula e trajnimit për antikorrupsionin dhe integritetin për zyrtarët publikë, që janë tashmë pjesë e programit mësimor të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për nëpunësit, fushata kombëtare e sensibilizimit kundër korrupsionit, si edhe anketat e biznesit kundër mitës dhe për klimën e investimeve, së bashku me rekomandimet e tyre përkatëse për institucionet.
Ne besojmë se vullneti juaj për të punuar me ne në këtë projekt është dëshmi e fortë që ju keni vendosur të veproni kundër korrupsionit në Shqipëri.Megjithatë, siç është shpesh rasti për OSBE-në, ne punojmë me ju për të përgatitur mjetet, mjete të cilat ne nuk mund t’i përdorim vetë. Sado kompleks që ka qenë projekti, sado besim të kemi ne në rezultatet e tij, jeni ju që duhet t’i përvetësoni këto mjete dhe t’i përdorni nëse dëshironi të sillni ndryshim. Trajnimi i nëpunësve publikë kundër korrupsionit do të jetë i dobishëm vetëm nëse ata japin llogari për sjelljen etike para eprorëve të tyre. Trajnimet e përfituara nga organizatat e shoqërisë civile për monitorimin e fondeve publike do të funksionojnë vetëm nëse këto organizata vendosin të angazhohen, të luajnë rolin e tyre dhe të flasin hapur. Rekomandimet dhe gjetjet e anketave të biznesit, apo udhëzimet e Kodit të Sjelljes kundër Mitës do të bëjnë dallimin vetëm nëse institucionet përgjegjëse bazohen në to në të ardhmen. Mesazhi im për të gjithë pjesëmarrësit këtu sot e më tej pra është: përdorini instrumentet që ju ofron ky projekt dhe projekte të tjera, me qëllim që të bëni diferencën kur bëhet fjalë për korrupsionin. Shikoni përreth. Juve dhe vetëm juve ju takon vendimi nëse doni që zyrtarët publikë të japin llogari për korrupsionin.
Nga një këndvështrim më i përgjithshëm, Shqipëria ka bërë disa hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër korrupsionit: treguesi më i mirë që kemi është treguesi i Transparency International. Ai e rendiste Shqipërinë në pozicionin shumë të ulët prej 31 pikësh, nga 100 të mundshme, në vitin 2013, dhe me 39 pikë më 2016. Kjo tregon përparim, por sigurisht nuk mjafton dhe është ende larg të qenit mirë.
Të gjithë e dimë se korrupsioni është një problem serioz për investimet e huaja, pra për vetë vendin. Unë kam bindjen e plotë se duhet bërë akoma më shumë për të luftuar korrupsionin. Është e nevojshme të ketë ndjekje rigoroze dhe sistematike të hetimeve dhe dënimeve. Ne ndihmuam në ngritjen e portalit “stopkorrupsioni”, falë të cilit mbi 100 raste korrupsioni janë dërguar në prokurori. Po ku janë rezultatet? Ku janë paditë? Ku janë dënimet? E njëjta pyetje duhet ngritur për krimin zgjedhor. Rastet e blerjes së votës i janë referuar prokurorisë. Ku janë paditë?
Një tjetër problem i lidhur me zgjedhjet: komuniteti ndërkombëtar ka rekomanduar tashmë për një kohë të gjatë vendosjen e një kuadri ligjor mbi financat e partive politike për të ngritur një sistemi auditimi efektiv dhe llogaridhënës. Ku jemi më këtë çështje?
Në vende të tjera, institucionet e forta dhe të pavarura kundër korrupsionit kanë vërtetuar se janë një vegël mjaft e dobishme për të luftuar korrupsionin. Ne rekomandojmë me forcë të punohet për ngritjen e një organi të tillë edhe këtu në Shqipëri.
Reforma në Drejtësi është me rëndësi kryesore. Por ajo nuk është gjithçka. Korrupsioni është kërcënim për çdo qytetar, çdo ditë. Ne e nxitim Shqipërinë të bëjë më shumë kundër tij. Dhe, sigurisht, OSBE-ja mbetet e gatshme ta mbështetë Shqipërinë në këtë përpjekje.
Faleminderit!
KOHA JONË SONDAZH

