Analistët: deklarata e Ramës “inkursion i më të dobëtit”

 

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi, mbi raportet mes dy vendeve, sipas analistëve krijojnë pështjellime të panevojshme në raportet me rajonin dhe BE.

Perspektiva e Shqipërisë dhe Kosovës bazuar në optikën e politikanëve të tyre, ka rinxjerrë në opinion klishetë nacionaliste të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Fillesa ka qenë një intervistë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama me shefin e diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi për një media shqipfolëse. Rama e ka përshkruar bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, si të pashmangshëm dhe të padiskutueshëm, duke paraqitur dy opcione: "që të ndodhë në funksion të BE, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim ndaj një verbërie apo përtacie evropiane."

Këto dhe qëndrime të tjera të dy politikanëve prominentë nga Tirana dhe Prishtina, nuk janë perceptuar me shpejtësi vetëm nga "radarët" në Beograd, që kanë artikuluar reagim të menjëhershëm kritik, duke pretenduar për provokim. Por dhe Brukseli ka marrë qëndrim pakënaqësie përmes Maja Kodjançiç, zëdhënëse e përfaqësuesve të lartë të Komisionit Europian, F. Mogherini dhe J. Hahn. Në të njëjtën gjatësi vale, ka qenë dhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë, në nxitje për kryerjen e reformave në procesin e integrimit për në BE, si dhe vijimin e forcimit të bashkëpunimit rajonal.

 

Sforcim në krijimin e metaforave patriotike

 

Drejtori i Qendrës për Qeversije të Mirë, Arben Çejku, i cili ka drejtuar dhe selitë diplomatike të Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, mendon se qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, përfshi dhe ato të ministrit të Jashtëm kosovar Hashim Thaçi kanë shkaktuar pështjellime të panevojshme, sipas tij, në raportet me rajonin dhe BE. Duke mirëkuptuar vullnetin pozitiv të tyre për t'i parë shqiptarët sa më parë pjesë të BE-së dhe NATO-s, gjykoj se ata dhe, sidomos kryeministri Rama, nuk ka pse të sforcohen aq shumë në krijimin e metaforave patriotike apo adresimet herë – herë ironike ndaj BE-së, sepse çdo deklaratë që ata japin jashtë programit për të cilin kanë marrë votëbesimin e parlamentit, më e pakta i bën të pabesueshëm dhe jo seriozë, komenton për Deustche Welle-n Çejku.

"Po marr dy fakte për ta ilustruar këtë. Në intervistën e fundit Rama dhe Thaçi pohojnë, që rreth 30 përqind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk gëzojnë të drejta as sa 4 përqind e serbëve në Kosovë, etj. etj. Në fakt, vetëm dy a tri ditë para kësaj interviste ishte në Tiranë vetë Presidenti maqedonas, Ivanov, të cilit nuk iu tha asnjë shqetësim i tillë për shqiptarët. As Thaçi nuk shprehu gjë në vizitën e tij në Shkup para disa kohësh. Qoftë kur i qasen vizionit të shqiptarëve për të ardhmen europiane të rajonit, apo qoftë kur hedhin shigjeta kundër burokracisë së njohur të Brukselit, sidomos zoti Rama e Thaçi që ishin pjesëmarrës në samitin e thirrur nga Kancelarja Merkel, që tashmë njihet si "Samiti i Berlinit" duhet të kenë parasysh se sfida e integrimit nuk është askund tjetër përpos në shtepinë tonë, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Ata për mendimin tim ose nuk e kanë kuptuar mesazhin mbështetës të Gjermanisë dhe vendeve mike të BE-së, ose nuk duan ta kuptojnë".

 

Diversion apo padurim e lodhje me qëndrimet e BE-së?

 

Analisti i së përditshmes MAPO, Alfred Lela, qëndrimet e kryeministrit Rama i sheh nga dy pikëvështrime: sipas tij, së pari, ato lexohen si diversion, dhe së dyti, si padurim apo lodhje me qëndrimet e BE-së. Duke filluar argumentimin nga versioni i dytë, Lela thotë për Deutsche Welle-n, se nga lodhja është ndoshta me vend të citohet ajo që në gjuhën e eurokratëve njihet si enlargement fatigue e BE-së. Pra, një lodhje nga zgjerimi.

"Por, a mund të ketë edhe një fatigue, një lodhje, të atyre që duan të anëtarësohen në BE? Përderisa ekziston dyshimi, edhe fakti është i mundshëm. Në rast se e shohim deklaratën e kryeministrit Rama si diversion, duhet thënë se diversionet janë në modë në politikën ndërkombëtare. Kryesisht janë inkursion i më të dobëtit. Marrim një shembull të freskët: vizitën në Rusi të kryeministrit grek Cipras dhe deklaratat e tij. Një diversion i përllogaritur mirë. Nëse BE nuk na mban, Rusia është gjithmonë aty si alternativë. Pyetja gjithmonë mbetet, si për Cipras ashtu dhe për Ramën, a është Rusia dhe nacionalizmi një alternativë e Europës dhe shoqërive të hapura? Nëse e jap vetë përgjigjen, do të thosha: Kurrësesi Jo! Duket se edhe kryeministri Edi Rama ka rënë në pendesë për "dronin" e tij të Ulqinit. Të mërkurën ai tha se patriot është ai që paguan energjinë, dhe jo ai që valëvit flamurin në stadium. Duhet ta ketë pasur fjalën për flamurin që ai vetë tundi në Ulqin".

Për Arben Çejkun nga Qendra për Qeverisje të Mirë, përtej artikulimit të togfjalëshit mbi "bashkimin kombëtar", për të cilin u kritikua nga BE-ja, sipas tij është këndvështrimi i kryeministrit Rama për raportet Shqipëri – BE, "sepse tashmë e ka kthyer në aksiomë konceptin e tij, se nuk është koha e 10 viteve më parë, kur shqiptarët kishin nevojë për Europën: sot Europa ka nevojë për shqiptarët, njësoj siç kanë nevojë shqiptarët për Europën". Kjo lloj retorike e lakuar në parlamentin grek, nuk na shkon neve ta artikulojmë për miqtë e Shqipërisë në BE apo në NATO. Dua të besoj se reagimi nga Brukseli dhe nga kanale të tjera diplomatike, të ndikojë në qartësimin e politikës sonë të jashtme lidhur me rajonin dhe euro-atlantizmin e shqiptarëve".

SHKARKO APP