Analiza/Berisha nuk synon vetë të fitojë!
Në çdo vend normal, ku qeveria qendrore kontrollon gjithçka – nga administrata publike deri te sistemi i drejtësisë e media – opozita duhej të ishte flamuri i shpresës dhe ndryshimit. Në Shqipëri, ndodh e kundërta. Pavarësisht pakënaqësive të shumta, abuzimeve, arrogancës dhe konsumimit të gjatë të pushtetit nga Edi Rama dhe Partia Socialiste, opozita jo vetëm që nuk fiton, por duket sikur nuk dëshiron të fitojë.
Në qendër të kësaj tabloje të zymtë është Partia Demokratike, e cila prej më shumë se një dekade është kthyer në një skuadër e përçarë, e plakur dhe pa orientim. Ajo ka humbur rrugën, busullën politike dhe besimin e një mase të madhe qytetarësh që dikur e panë si të vetmen alternativë ndaj sistemit komunist.
Lufta brenda, jo përballë qeverisë
Në vend që të përballej me një qeveri të konsoliduar dhe shpeshherë arrogante, Partia Demokratike zgjodhi të përçahet. Konfrontimi mes Berishës dhe Bashës, ndarja në grupime, krijimi i fraksioneve dhe më pas “PD-ja zyrtare” dhe “PD-ja reale” kanë lënë pas një strukturë pa forcë, pa zë dhe pa bosht. Lufta për vulën, për logon dhe për siglën është kthyer në një teatër të shëmtuar politik që ka larguar masivisht elektoratin gri dhe të rinjtë.
Mungon alternativa, jo vetëm fitorja
Kritika ndaj Ramës është legjitime. Por vetëm me akuza dhe retorikë nuk fitohet pushteti. Çdo alternativë duhet të shoqërohet me program, vizion dhe njerëz të besueshëm. PD nuk ka pasur asnjërën nga këto në zgjedhjet e fundit – qofshin lokale apo parlamentare. Njerëzit nuk duan më thjesht rrëzim të Ramës. Duan të dinë çfarë vjen pas tij. Kjo përgjigje mungon.
Figura të vjetra, pa energji të re
Prej vitesh, PD nuk ka arritur të prodhojë lidership të ri. Emrat që qarkullojnë janë të njëjtët që kanë qenë aty në vitin 2005, madje disa edhe më herët. Në një kohë kur Shqipëria ka një brez të ri votuesish që mendojnë dhe reagojnë ndryshe, opozita vazhdon të flasë me një gjuhë të vjetër dhe për probleme që nuk përputhen më me realitetin e sotëm. Ndërkohë, në vend që të rrisë figurat e reja, PD i përjashton, i injoron ose i trajton si të padëshiruar.
Gabime strategjike dhe vendime të pamatura
Nga djegia e mandateve, te mosmarrja pjesë në zgjedhje lokale, nga protestat pa strategji te dialogu i munguar me qytetarët – PD ka bërë të gjitha gabimet që një opozitë nuk duhet të bëjë. Në politikë nuk fitohet me emocione të çastit, por me kalkulim afatgjatë. Në vend të një opozite shtetformuese, kemi parë një opozitë që sillet si e fyer dhe e tërhequr.
Demokracia nuk mbrohet vetëm nga shumica, por edhe nga opozita
Faji nuk është vetëm i opozitës. Mazhoranca ka ndërtuar një sistem të mbyllur, ku pushteti qendror dhe ai lokal janë në një linjë, ku administrata përdoret si makinë elektorale dhe ku media shpesh i shërben propagandës më shumë se informimit. Por ky nuk është justifikim. Opozita ka dështuar ta sfidojë këtë sistem dhe të ofrojë një alternativë reale. Sepse sistemi sfidohet me besueshmëri, jo me viktimizim.
Për sa kohë Partia Demokratike nuk arrin të ngrihet mbi interesat personale, të çlirohet nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojë një opozitë moderne, asaj nuk i mungon vetëm fitorja – i mungon legjitimiteti. Dhe në këtë rast, humb të gjithë Shqipëria.
Pse të fitojë, kur nuk mban dot premtimet?
Berisha është i kënaqur se ka 50 deputetë militantë që nuk ngrenë zërin, aq me tepër që “kundërshtarët” brenda PD i ka sakatosur e damkosur vetë, sepse i futi në listë të sigurtë dhe tani u thotë se nuk fituat asgjë në zonat tuaja. Si mund të flasë Gaz Bardhi apo Tomor Alizoti?
Në PD, kupola është e lumtur. Nuk fituan pasi asnjë premtim nuk e realizonin dot nëse fitonin!
Dhe tani për të bërë të merakosurin për demokratët bërtasin se “i manipuloi Rama”. Por kur e dije se ti merr votat pse u fute në zgjedhje me kryeministër Ramën? A ishte Berisha që para një viti deklaronte se nuk futemi në zgjedhje pa qeveri teknike? A ishte ai që bëri ndryshime të Kodit Zgjedhor siç e donte vetë për listat e mbyllura?
Ndaj duhet pranuar se Berisha nuk e donte fitoren se nuk punoi për të, sepse pikësëpari nuk duhej të ishte ai alternativa e PD, por dikush tjetër!
Berisha mbetet aktor i madh, pasi edhe kur bën sikur ankohet, prapë kënaqet brenda vetes, se nuk fitoi.
/SP/
KOHA JONË SONDAZH

