Analizë nga Gurali Brahimllari mbi procesin për kualifikimin dhe zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese
Nga av. Gurali Brahimllari
Këto ditë në media është publikuar pjesë e vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi lidhur me plotësimin e vakancës së shpallur, kohë më parë nga Gjykata e Lartë, pas deklarimit prej saj të përfunduar të mandatit të znj. Olta Zaçaj, Kryetare aktuale e Gjykatës Kushtetuese.Nga informacionet e publikuara del se në garë kanë marrë pjesë 13 kandidatë, prej të cilëve pas procedurës së ndjekur nga KED, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar për të vazhduar garën. Kandidatët që u përzgjodhën dhe pritet t’i nënshtrohen votimit nga Anëtarët e Gjykatës së Lartë janë:
– Florjan Ballhysa, Genta Tafa, Alma Faskaj ish funksionare të Institucioneve të Vetingut;
– Asim Vokshi, në funksion Anëtar i Gjykatës së Lartë si edhe
– Alban Toro dhe Naureda Llagami, ish funksionarë të KLGJ-së,
Në opinionin publik është duke u debatuar mbi konfliktin e interesit të kandidatëve të sipërpërmendur, të cilat janë përzgjedhur nga KED, për tu votuar e zgjedhur si Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi duket se është fokusuar më shumë në faktin se një prej kandidatëve, z. Asim Vokshi është aktualisht Anëtar i Gjykatës së Lartë. Duke kujtuar lexuesin se në Dhjetor 2018 kam qenë zgjedhur me short si pjesë e KED-së (anëtar zëvendësues), vlerësova të shpreh publikisht mendimin tim në lidhje me këtë çështje:
– Ligji nuk e ndalon një Anëtar të Gjykatës së Lartë, në detyrë, që të konkurojë e zgjidhet si Anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
– Renditjen e kandidatëve sipas pikëzimit për çdo kriter të përcaktuar në ligj e kryen organi kushtetues, sikurse është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, anëtarët e të cilit zgjidhen me short.
– KED ka verifikuar edhe konfliktin e interesit për z. Asim Vokshi dhe e ka lejuar konkurimin e tij.
– Askush nuk duhet të dyshojë mbi vullnetin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të cilët LIGJI i thërret të votojnë për plotësimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese (sigurisht që z.Vokshi nuk mund të votojë). Prandaj Z. Asim Vokshi duhet të jetë pjesë e kandidatëve që do të duhet të votohen nga Gjykata e Lartë për Anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
– Pengesë, sipas meje, kanë patur dhe kanë VETINGARËT, për të cilët ligji ndalon promovimin në organet e drejtësisë pas përfundimit të mandatit.
– Neni 29 pika 6 e Ligjit nr. 84/2016 lejon vetëm emërimin e tyre “në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes, ose në një vend të përafërt në administratën publike.
– Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e Administratës Publike por Institucion Kushtetues, ish-anëtarët e së cilës iu nënshtruan VETINGUT dhe u shkarkuan nga këta kandidatë, që sot aplikojnë për t’ju zënë vendin.
– Ish fuksionarët e VETINGUT janë në konflikt interesi sepse kanë kryer rivlerësimin kalimtar të Anëtarëve të Gjykatës së Lartë që thirren për votim. Prandaj KED duhet të bëjë transparencën për shkeljen e ligjit lidhur me vendimin për kualifikimin e kandidatëve që kanë qenë në këto funksione për tu zgjedhur Anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithsesi z. Asim Vokshi në vlerësimin tim, është kandidatura më dinjtoze për të qenë Anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

