Andi Bushati: Për Ramën, “asgjë e mirë nga fronti i perëndimit”
Andi Bushati mendon se qoftë nga deklaratat e ambasadorit Donald Lu mbi krimin e organizuar, qoftë nga vërejtjet e FMN mbi politikat ekonomike të PPP-ve, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka më një koordinim të mirë me diplomacinë perëndimore.
Metaforikisht, ai e shprehu këtë me frazën: “Për Ramën, asgjë e mirë nga fronti i perëndimit.”
I pyetur në një intervistë për News 24, Bushati u shpreh se deklaratat publike të amerikanëve vijnë pasi kalohet vija e kuqe e interesave që janë në përputhje me diplomacinë e tyre.
“E njëjta gjë ndodhi në vitin 2012 kur Ambasada amerikane doli në deklarata publike pasi Sali Berisha, kryeministër i asaj kohe, filloi të ligjëronte teza nacionaliste mbi problemet e Shqipërisë në Ballkan”, tha Bushati.
Bushati i kushtoi rëndësi faktit “të çuditshëm” që Lulzim Basha u shpreh i bindur për akuzat e forta që e prisnin qeverinë Rama, disa ditë përpara se ato të artikuloheshin nga ambasadori Lu.
Bushati u shpreh se ka pak gjasa që Basha të ketë hedhur fall dhe shumë gjasa që Ambasada e SHBA-ve të jetë në bashkëpunim më të afërt me opozitën, si një mënyrë për të kërkuar zgjidhje politike ndaj problemit të krimit të organizuar që sipas ambasadorit Lu, sundon vendin ulur këmbëkryq.