Andi Bushati: Shkatërrimi i kërpudhës, si simbol i artit që fsheh krimin

Nga Andi Bushati –

Reagimi i parë që Edi Rama bëri për protestën e opozitës në bulevard ishte keqardha e tij për shkatërrimin e veprës së artistit, Carsten Holler, kërpudhës së famshme të ngujuar në lulishten me bar në anë të kryeministrisë. Me tepër sesa keqardhja për një objekt të ekspozuar në shumë të galeri të botës, kryeministri tentoi të tregonte diçka tjetër: Se beteja e tij nuk ishte me qytetarët, por me barbarët që nuk kanë asnjë ndjeshmëri estetike ndaj të bukurës.

Prandaj me një naivitet të shtirur ai shkroi: “Ndjesë Carsten, kjo s’është Shqipëria këta s’janë shqiptarët”.

Në fakt, beteja rreth kërpudhës që policët e mbrojtën me gaz lotësjellës dhe protesstuesit e shkatërruan me vare, është shumë më tepër sesa kjo servirje bajate sipërfaqësore.

Kush e mban mend kohën e instalimit të saj, ajo përkon pak a shumë me periudhën, kur kryeministria u mbyll, sepse aty donator të panjohur privatë do të rregullonin zyrën e shefit, sallën e tij të ngrënies dhe mjediset e nëntokës.

Vepra e Carsten Hollerit dhe markiza e Phillipe Parrenos u shfaqën aty për të shkruan fillimin e një politike të re, kur e bukura do të mbizotëronte mbi krimin, vjedhjen dhe abuzimet.

Kerpudha e shkaterruar sot ne 16 shkurt

Por, nuk ndodhi aspak kështu.

Më pas u mor vesh se ai që kishte bërë “falas” rikonstruksionin e kryeministrisë do të shpërblehej mes një afere 200 milionë euroshe me 6 kulla në qendër të Tiranës të cilat do të ngriheshin mbi rrënojat e një monumenti culture: teatrit Kombëtar.

Edhe për këtë grabitje si fasadë u përdor alibia e një arkitekti të përmasave botërore, Bjarke Ingels. Po ashtu si për stadiumin, Velierën në Durrës dhe disa kulla në Tiranë, u përdor emri i një tjetër arkitekti, të dënuar në vendin e tij, Mario Kazamonti. Ashtu sikurse për rokaqejtë me leje qindra milionëshe shërbeu emri i Stefano Boerit. Ashtu si masakra e dikurshme betonizuese e ish kryetarit të bashkisë tentoi të fshihej pas studios belge 51N4E.

Të gjitha këto kanë shërbyer vetëm për një gjë, për t’i dhënë një shkëlqim sipërfaqësor një lideri grabitës dhe banal.

Prej kohësh kjo vello tashmë ka rënë.

Ndaj protestuesit e 16 shkurtit nuk ishin barbarët që sulmuan shpirtin artistik të pushtetit. Ata qenë thjeshtë njerëzit e ndërgjegjësuar që nuk e durojnë më mashtrimin që mbulon grabitjen. Ata u bënë ekzekutuesit e një vullneti të gjërë, që nuk duron dot më atë që sillet si keqbërës në Tiranë dhe vazhdon të hapë ekspozita në Firence dhe Berlin.

SHKARKO APP