Andrea Stefani sulmon Dritëro Agollin: Ato që thua janë servilizëm dhe shkërdhatokraci
Andrea Stefani ne një shkrim per gazetën “Dita” ka replikuar ashpër me shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli, për një intervistë të këtij të fundit dhënë pak ditë më parë.
Në të, Agolli vlerësonte figurën e Ramës, Bashës, por dhe Berishës.
“Nuk është fare mosvlerësimi i dëshirës së mirë për zbutje konflikti por raporti me të vërtetën dhe të drejtën dhe këmbëngulja për to, ajo që më shtyj të kritikoj ato çka, pak ditë më parë, tha për disa politikanë kryesorë shqiptarë, Dritëro Agolli, shkrimtari ynë i motshëm dhe i shquar. Mund, në shenjë respekti, edhe të heshtja ndërsa jo pak ta sugjeronin me “argumente” nga më të ndryshme.
Si për shembull: Hë mos se Dritëroi do që të zbusë pak këto bishat e politikës dhe të ndjellë paqen! Ose dikush tjetër: Lëre fare, mos u merr me të se tashmë ka rrjedhur! I pari, ka shumë të ngjarë të jetë i vërtetë. Por është i kritikueshëm si iluzion. Sepse as e mira, as paqja nuk arrihen duke ju bërë elozhe politikanëve të këqinj ose duke ju thënë “peqe”!
Tjetri është një fyerje, në bindjen time, e papranueshme për shkrimtarin e shquar. Ndaj përballë kësaj avokatie të heshtjes, ku iluzioni konkurron me ofendimin, unë preferoj kritikën. Si më të denjë ndaj një emri që pa asnjë dyshim, ka qenë dhe mbetet heroi, shkrimtari i dashur i gjeneratës që i përkas.
Dhe kritika ime modeste, e ndodhur përballë kultit të poetit të dashur për të gjithë, nuk mund të gjejë strehë morale veç në thënien e Aristotelit: E dua mësuesin Platon por më shumë dua të vërtetën”, shkruan Stefani.
“Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci!
Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi! Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit!
Dhe kush i thotë këto?
Patriarku i socialistëve që në vitin e mbrapshtë ’97, një kob që Shqipëria e vuajti pikërisht falë “këmbënguljes” së Saliut “për t’ia dalë” pra, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, deklaronte: “Kur Sali Berisha, të bjerë nga froni, 8 milionë shqiptarë do ta dënojnë më shumë se çdo diktator dhe vetëm atëherë Shqipërisë do t’i buzëqeshë paqja”.
Dritëroi ka një kult të madh. Është i vetmi kult i shëndetshëm, i pranueshëm, frymëzues për lirinë dhe jo mbytës për të. Është kulti i artistit, poetit të shquar.
Është e pafalshme që ky kult të vihet në shërbim të një kulti të keq, si ai i politikanit autokrat Berisha. Do qe një aleancë e tmerrshme në sajë të të cilit, adhurimi i sinqertë për artistin dhe artin, do vihej në shërbim të arrivizmit më të zi politik”, vijon Stefani, që e kritikon Agollin edhe për lavdet ndaj Bashës.
“Pastaj ato të tjerat, për Lulzim Bashën, janë ca të pavërteta që nuk mund të të mos sekëlldisin. Pikërisht se i thotë Dritëroi, jo ndonjë nga lakejtë e berishizmit. Sepse Lulzim Basha është projekti kukull i vazhdimësisë së berishizmit në PD dhe në politikën shqiptare. Një lloj litari i lënë jashtë…
Dhe i paska pëlqyer Dritëroit lëshimi i stafetës në bashki! Po ç’kishte për të pëlqyer në faktin që Lul Basha as nuk pati etikën institucionale për ta pritur në zyrë fituesin si në çdo vend ku pushteti ndërrohet me votë? Ajo që Basha bëri është një zgjatim i harbutërisë konfliktuale që ka karakterizuar politikën shqiptare këto dy dekada e kusur dhe kjo, nuk është fare mënyra sesi të rinjtë duhet të kontribuojnë “për të mirën e vendit” sikundër edhe Dritëroi këshillon.
Dritëroi pohon se e ka uruar Bashën kur fitoi në zgjedhjet e vitit 2011 edhe pse socialistët u mërzitën për deklaratën e tij. Dhe shton se ai si shkrimtar ka detyrë të mbështesë të rinjtë të futen në politikë. Por puna është se jo pak të rinj, nuk hyjnë në politikë për të konkurruar të vjetrit dhe të vjetrën por futen në politikë nga të vjetrit për t’i shërbyer të vjetrës.
Dhe Basha është rasti tipik i të riut të katapultuar nga Berisha, deri edhe me manipulimin e zgjedhjeve për kryetarin e PD. Prandaj, përkundër asaj që thotë Dritëroi, ai nuk ka as edhe një ide të vetën. Prandaj ka vetëm këmbënguljen për t’i qëndruar ideve të Berishës. Prandaj jo vetëm nuk do bashkëpunojë me qeverinë, sikundër e këshillon Dritëroi, por do konfliktohet shumë shpejt me të. Dhe qenka i kulturuar?!
Një politikan që me copë letre përpara, e lexon emrin e shkrimtarit Orhan Pamuk – Orhan Pambuk, vetëm me librin nuk ka lidhje. Me letërsinë jo e jo!
E gjithë kjo, më vjen keq ta them, bie erë shkërdhatokraci. T’i bësh qejfin njerëzve me pushtet. Prandaj ata socialistët u mërzitën me Dritëroin kur, në 2011, uroi Bashën për fitoren. Nga se po bënte kinse një “politikë” për të mirën e vendit, për paqen, por që shkelte mbi të vërtetën. Dhe e mira e vendit nuk themelohet mbi gënjeshtrën.
Sepse të thuash që Luli fitoi në 2011, është gënjeshtër. Odiseja e rivlerësimit të votave të hedhura gabim, ka hyrë në analet e politikës si rasti më flagrant i uzurpimit të pushtetit me anë të një proceduralizmi antidemokratik dhe kapjes së institucioneve si KQZ e Kolegji Zgjedhor. Provë? Po a ka më provë se Arben Ristani, ish kreu i “pavarur” i KQZ, që sot është bërë një nga kamikazët e Berishës?”, shkruan Stefani.